MENU
klinika

Situata në Kosovë

Stoltenberg: KFOR-i i gatshëm të ndërhyjë

10.08.2022 - 10:11

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për situatën në Kosovë, pas zhvillimeve të fundit në veri, ka thënë se misioni i KFOR-it në Kosovë po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti.

Stoltenberg, në një intervistë për gazetën malazeze “Vijesti” ka thënë se pak ditë më parë ka zhvilluar biseda me udhëheqësit në në Prishtinë dhe Beograd lidhur me tensionet në veri të Kosovës.

“Të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qetë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, ka thënë Stoltenberg.

“Në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, misioni i KFOR-it po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti. Misioni ynë është i përkushtuar për të siguruar një mjedis të sigurt dhe dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, tha ai.

“NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat. Kjo është thelbësore për paqen dhe sigurinë rajonale”, tha Stoltenberg.

Pas zhvillimeve në veri të Kosovës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 3 gusht ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Përmes një postimi në Twitter Stoltenberg ka thënë se me Vuçiçin kanë folur për tensionet e krijuara së fundmi në veri të Kosovës.
“NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, bazuar në mandatin që ia ka dhënë Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)”, ka shkruar Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, të njëjtën ditë (3 gusht) ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Stoltenberg pas telefonatës me Kurtin ka thënë se të gjitha palët duhet ta ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e njëanshme.

Më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Barrikadat u hoqën më 1 gusht dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës.

Lëshimi i dokumenteve parashihet në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më 2011 në kuadër të dialogut. Që atëherë, Serbia lëshon dokumente të tilla për qytetarët e Kosovës.

Me kërkesën e ambasadorit amerikan në Kosovë është shtyrë edhe zbatimi i vendimit që ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kriza në veri të Kosovës

DW: Serbia mes Rusisë dhe Perëndimit

Daçiç: Serbia ka qenë gjithmonë pala që...

“Tensionet në veri mund të shkaktojnë probleme më serioze”