MENU
klinika

Tragjedia e Himarës

Dëshmitarët okularë çojnë prova në ambasadën britanike

09.08.2022 - 10:37

Ngjarja e rëndë e Potamit duket se ka hyrë në një fazë verifikimi dokumentacioni mjeti, duke lënë mënjanë aktin e paprecedentë të marrjes së jetës së vajzës 7 vjeçe, Jonada Avdia.

Prokuroria e Vlorës që me shumë bujë demonstroi kundërshtimin e akuzës që ngriti Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për autorin që shkaktoi këtë tragjedi, komisarin e Policisë, Arjan Tase, ka konkluduar se në fakt Tase është i pajisur me leje drejtimi.

Por, Prokuroria e Vlorës, sipas të dhënave, ende nuk ka marrë dëshmitë e personave që ishin të pranishëm në vendin e krimit, mesditën e 2 gushtit.

Sipas të dhënave, janë disa dëshmitarë të cilët kanë refuzuar jo vetëm të japin dëshmi nën presion, por madje ata posedojnë edhe prova që nuk i posedon ende organi hetimor që ngriti ndaj efektivit të Policisë të pajisur me leje drejtimi për mjetin ujor akuzën e vrasjes me dashje indirekte.

Sipas burimeve, mësohet se këta dëshmitarë do ia dorëzojnë provat e tyre ambasadës së Britanisë së Madhe në vendin tonë, duke lënë të kuptohet se nuk kanë besim në organet tona të hetimit për atë ngjarje.

DËSHMITARËT

Në vendin e tragjedisë momentin e krimit kanë qenë të pranishëm me dhjetëra pushues, disa edhe nën shoqërinë e familjes fatkeqe Avdia. Kanë qenë pikërisht njerëz të afërt të kësaj familjeje, të cilët nuk janë pajtuar me atë çka mbledhur Policia dhe çfarë ka dokumentuar Prokuroria për të hartuar edhe dosjen për ngjarjen e rëndë të Potamit.

Ata kanë reaguar në rrjetet sociale duke treguar se kanë të dhëna dhe prova, të cilat nuk janë marrë në vendin e ngjarjes që do t’i depozitojnë në ambasadën britanike, duke u bazuar edhe në faktin se e ndjera Jonada ishte me nënshtetësi britanike.

Përgjatë ditëve të fundit, Prokuroria e Vlorës që ka në dorë hetimin e çështjes ka bërë me dije se ka nisur edhe hetimin e praktikave të koordinimit të institucioneve lokale dhe qendrore për të parë se çfarë nuk ka shkuar mirë me rastin konkret mes tyre.

Ndonëse aty nuk bëhet fjalë për një problem procedural apo shkresor, po për marrjen e jetës së një fëmijë të pafajshëm nga një efektiv policie, mësohet se tashmë hetimi është përqendruar vetëm në këtë pikë.

Të dhënat tregojnë se do të jenë edhe avokatët e familjes së viktimës, të cilët do të jenë në betejë për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, për të mos lejuar që të manipulohen fakte e prova.

Nuk dihet ende nëse Prokuroria ka mundur të sekuestrojë pamjet filmike të hotelit që ka qenë përballë vendit të tragjedisë, e po ashtu nuk është bërë pjesë e dosjes ende gjendja teknike e mjetit lundrues, për të cilin vetë i zoti i tij, Arjan Tase, tha që ka pasur probleme.

Prokuroria këmbëngul që mjeti nuk ka pasur defekte, çka lë të kuptohet që Tase ka dashur të fshehë pas defektit të mjetit atë manovër që shkak toi edhe tragjedinë e madhe.

MISTERET E SKAFIT

Për më shumë se 12 orë, ngjarja e rëndë u verifikua dhe u hetua nga Policia me anë të përfaqësuesve të AMPsë. Ata konkluduan se vrasja ka ndodhur nga pakujdesia, duke besuar se kolegu i tyre nuk kishte dashur ta kryente atë ngjarje, siç mund ta kuptonte kushdo, por Tase edhe në vendin e ngjarjes, edhe në Komisariatin e Himarës po edhe gjatë hetimeve paraprake ka këmbëngulur që mjeti ka pësuar defekt.

Ai i tha Gjykatës, ditën që doli për masë arresti, e nëse do të kishte vijuar drejt për të marrë kthesën më pas për të hyrë në det të hapur do iu merrte jetën gruas, dy fëmijëve, motrës dhe fëmijëve të saj, të cilët i kishte ulur në breg në atë moment fatal për jetën e 7-vjeçares.

Nuk dihet nëse mjeti ka pësuar defekt aty apo e ka pasur të mëparshëm, pasi u tha se ekzistonin dyshimet që mjeti kishte qenë në remont rreth një muaj e gjysmë para se të ndodhte edhe ngjarja e rëndë.

Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë thënë asnjë fakt për të mohuar remontin e mjetit ashtu siç nuk është pranuar që mjeti motoskaf të kishte pësuar defekt në momentin që Arjan Tase tentoi të hynte në det të hapur, por një indietro e fortë, bëri që skafi t’i ikte me shpejtësi skëterrë dhe t’i merrte nga dora vajzën djalit nga Tropoja që kishte zgjedhur Potamin për të pushuar bashkë me familjen e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN