MENU
klinika

Shqipëruesi!

Vedat Kokona, një emër që flet shqip

08.08.2022 - 12:23

         “Zakonisht, librat e kujtimeve apo të memuarëve, siç i quajnë ata të përparuarit, i shkruajnë njerëzit “e mëdhenj”, burra shteti të dëgjuar, gjeneralët e politikanët zëkumbues që e luajnë si në bixhoz fatin e njerëzimit, që me një fjalë goje që e merr era ose me një shkrim, shtrijnë përtokë mijëra jetë; që mbajnë në robëri pesëdhjetë a shtatëdhjetë vjet e më shumë miliona njerëz dhe që i merr pastaj dhe historia!” (Vedat Kokona)

Shkrimtar, përkthyes dhe leksikolog shqiptar, i shekullit të 20-të, i njohur edhe për fjalorët e tij dygjuhësh anglisht-shqip dhe frëngjisht-shqip, si edhe për kontributin në leksikologji dhe leksikografi.

Vedat Kokona u lind më 8 gusht 1913, në Izmir, nga një familje qytetare gjirokastrite. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore dhe më pas vijoi mësimet në Liceun e Korçës. Gjatë studimeve në këtë shkollë, më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs letrar. Çmimi ishte një aparat fotografik Kodak, që e ëndërronte, dhe një botim i bukur poezish të Lamartenit.

Po atë vit nisi studimet e larta në Paris, Francë për drejtësi, ku ndenji deri në fillim të 1939-s. Me t’u kthyer në Shqipërinë e pushtuar, punoi si mësues i gjuhës frënge në po atë shkollë të mesme të Korçës, ku kishte qenë nxënës.

Më 1941 u transferua në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë, ku dha mësim për një vit. Për shkak të trysnisë politike dha dorëheqjen më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, themeloi dhe kryesoi redaksinë e të përdyjavshmes “Revista letrare”, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën kulturore e që më pas, do të damkosej si fashiste.

Në vitet e para të pasluftës, i padëshirueshëm si avokat, ai iu kthye punës si mësues i frëngjishtes në një shkollë të mesme në Tiranë, kurse nga 1949 deri më 1965 punoi si përkthyes në Shtëpinë Botuese Shtetërore “Naim Frashëri”. Nga 1965 e deri sa doli në pension dha frëngjishten në Universitetin e Tiranës.

Si fryt i çmimit që fitoi në vitin e fundit të liceut, udhëtoi në Itali, Gjermani, Suedi dhe Danimarkë. Pas këtyre udhëtimeve do të shkruante dhe botonte ditarin me shënime udhëtimi “Nga Tirana në Stokholm”, Tiranë 1935, një nga librat e parë të këtij lloji të botuar në gjuhën shqipe.

Gjatë luftës botoi dy vëllime me poezi, “Dritë dhe hije”, Tiranë 1939, përmbledhje me nëntëmbëdhjetë vjersha introspektive dashurie dhe atë me satira, “Shtatë prilli”, “Mussoliniada”, Tiranë 1943. Si prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin “Yje të këputur”, Tiranë 1940, përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e paraqitnin si një ndër prozatorët më të talentuar e më origjinalë të viteve të luftës sipas Elsit. Ndër veprat e mëvonshme të Kokonës janë romani me dy pjesë “Me valët e jetës”, Tiranë 1961, 1965, dhe drama “Hijet e natës”, Tiranë 1966.

Përkthimin e parë e bëri që në vitet ’30, kur botoi në të përkohshmen “Illyria”, me kryeredaktor Ernest Koliqin, poezinë “Njerëz të varfër” të Hygoit, për të cilën e përgëzuan Koliqi dhe diplomati Fico[1].

Vepra e tij në gjuhën shqipe nis me një libër me përshtypje të një udhëtimi “Nga Tirana në Stokholm” (1934), më pas “Dritë dhe Hije” (poezi, 1938), “Yje të këputur” (novela, 1940), “Lulja dhe Shega” (pjesë për fëmijë), “Me valët e jetës” (roman, 1960), “Hijet e natës” (dramë, 1964), “Mbi përkthimin” (traktat), “Komedia e përjetshme” (ese, 1996), “Endur në tisin e kohës” (autobiografi, 1996).

Është shqipëruesi i mijëra vargjeve nga poetë të mëdhenj, si: Hygo, Lamartin, Bodler, Myse, Ronsar, La Fonten, etj, 28 sonete të Shekspirit, sonete dhe poezi të Dante Aligierit, Petrarkës, Lermontovit etj.

Veprat e autorëve francezë shqipëruar nga Kokona, janë “Gobseku” i Balzakut, “Zadig” dhe “Kandidi (Shpirtçiltri)” i Volterit, “Sidi” dhe “Horaci” i Kornejit etj.

Ka sjellë në shqip nga anglishtja, “Nata e dymbëdhjetë”, “Ëndrra e një nate vere”, “Dy zotërinj nga Verona”, “Masë për masë”, “Timoni nga Athina” të Shekspirit, “Saga e Forsajtëve” të Gollsuorthit, “If” të Kipling, “David Koperfildi” të Dikensit, “Bankieri” i L. Uollerit, Major Barbara” e G. B. Shout, “Plaku dhe Deti” dhe “Lamtumirë armë” të Heminguejit, etj. Nga rusishtja, “Ana Karenina” të Tolstoit, “Fundërrinat” e Gorkit, “Vajza e Kapitenit” e Pushkinit, “Pylli rus” i Leonovit etj.

Gjithashtu, pena e tij ka përkthyer  në frengjisht poezi nga Naim Frashëri, Asdreni, V. Pasha, Migjeni, Poradeci etj.

Do të njihet gjithnjë, si hartuesi i parë i fjalorëve më të mëdhenj të gjuhës frënge në shqip dhe anasjelltas, si edhe i një fjalori shqip-anglisht. Vedat Kokona është dekoruar me titujt “Kalorës i Urdhërit të Letërsisë dhe Arteve” dhe “Oficer i Palmave Akademike” nga Republika Franceze (1996), si dhe me titullin “Doktor Honoris Causa” i Universitetit të Tiranës, në vitin 1998.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


100 vjet histori

Epopeja e një liceu…

“Sipas traditës së vendit tonë, çdo gjë e bukur prishet dhe…”

Si e kujtonte Vedat Kokona takimin me Mid’hat Frashërin?