MENU
klinika

19-vjeçari nuk pranoi të shkonte në...

Atentati në Shkodër, shkak dyshohet përplasja mes bandave!

19.09.2022 - 11:05

Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi një natë më parë në Shkodër. Mësohet se atentatorët kanë vëzhguar lëvizjet e 19-vjeçarit Erjon Xhenje, i cili u qëllua me breshëri plumbash, duke mbetur i vdekur. Burime bëjnë me dije se një person ka qenë duke vëzhguar lëvizjet e 19-vjeçarit, ndërsa në momentin që ai ka qenë duke pirë kafe është qëlluar nga dy persona me motoçikletë. Autorët kanë qenë të maskuar dhe të veshur me të zeza.

Mësohet se pak përpara se të ndodhte atentati, babai i 19-vjeçarit e kishte telefonuar djalin e tij duke i kërkuar që ta shoqëronte deri në Mal të Zi, por Xhenja e kishte refuzuar duke i thënë se ishte në lokal dhe po pinte kafe. Pak pas vrasjes, i ati u informua dhe shkoi në vendin e ngjarjes, ku u pa edhe duke shpërthyer në lot për të birin.

Përplasja mes bandave është pista kryesore ku janë përqendruar hetimet për vrasjen e 19-vjeçarit. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa janë sekuestruar kamerat e zonës ku ndodhi atentati, me qëllim vëzhgimin e tyre nëse mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Sakaq, janë marrë në pyetje edhe persona në lidhje me ngjarjen, por ende nuk ka asnjë shenjë nga autorët.

I riu është djali i xhaxhait të Sehar Xhenjën, një person me precedent kriminal në Shkodër. Sehar Xhenje është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkelzen Xhenja, 29-vjeç.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi një natë më parë, rreth orës 20:10, pranë kryqëzimit të Kirasit, në zonën e njohur si ‘Rruga e Gjerë’. Erjon Xhenja ishte duke pirë kafe, ndërsa u qëllua nga autorët që po lëviznin me motoçikletë qëlluan me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur në vend. Rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes, në lagjen ‘Guerile’ është gjetur duke u djegur motoçikleta së bashku pistoletën që dyshohet se i përket autorëve.