MENU
klinika

“Mos qani hallin e BE dhe SHBA, i kanë punët në rregull”

BE kundër, Rama i prerë: Amnistia fiskale do të bëhet!

28.09.2022 - 13:37

Kryeministri Edi Rama është shprehur sot i prerë duke theksuar pas mbledhjes së qeverisë se amnistia fiskale do të bëhet pavarësisht qëndrimit kundër të vendeve të Bashkimit Europian.

Ai u shpreh se qeveria nuk mund të ndalojë shqiptarët që kanë punuar në të zezë për të formalizuar të ardhurat për sa kohë në vend ka një parti që ka synuar të vijë në pushtet e cila sipas tij është financuar me para ruse.

“E kundërta është e vërtetë. Nuk jemi tërhequr. Po vazhdojmë të diskutojmë për të sheshuar moskuptimet. Amnistia fiskale do të bëhet. E kam thënë dhe e përsëris. Sepse amnistinë fiskale e kërkojnë shumica e shqiptarëve. E kemi parë edhe në këshillimin kombëtar. Të gjitha pikat e këtij këshilli kombëtar ose kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes. Nënave me tre fëmijë u është dyfishuar ndihma. Dhe kështu me radhë nismat e tjera. Jo vetëm sepse e kërkon këshillimi kombëtar.

Nëse sot ne kemi në Shqipëri deri edhe një parti politike të tërë që është financuar me para të një vendi armik të demokracisë dhe të ekspozuar si armik ndaj normave që ne besojmë, dhe nëse në atë parti kemi sot në krye jo formalisht një person të shpallur non grata për të gjitha të zezat nga SHBA dhe nëse me radhë mund të marrim të tjerë dhe të tjera që vazhdojnë të jenë në skenë dhe vazhdojnë të pretendojnë të marrin vota atëherë kush jemi ne të privojmë shqiptarët nga e drejta elementarë për të formalizuar të ardhurat e tyre nga puna në të zezë në vendet e huaja. Pse?

Kush jemi ne të paragjykojmë 99% të shqiptarëve për shkak të 1% që ka të bëjë me trafikun etj. Ne nuk jemi askush që t’ia bëjmë ferr jetën emigrantëve. Nuk jemi askush që të themi se për shkak se është kjo ju nuk mundeni. Kush janë ata që mund ta thonë këtë sepse shqiptarët janë kriminela. Atyre nuk u vë faj sepse ia kemi bërë ne vetes përmes politikanësh që nuk ka bërë gjë pa nxirë shqiptarët për të luftuar kundërshtarin.

Atë që i bëjnë Shqipërisë vetë disa shqiptarë nuk ia ka bërë asnjë armik. Këtu shtoj edhe ata që marrin përsipër të bëjnë ndërmjetësin që kontribuojnë për mjergull dhe gënjeshtra. Amnistia do të bëhet. Ne jemi të duruar të pastrojmë cepat nga pluhuri apo iluzioni se aty ka pluhur. Unë këtu përfaqësoj shqiptarët dhe ndonjë shtet tjetër”, tha Rama.

Pyetur për qëndrimin kundër të disa vendeve të BE, Rama u shpreh se nuk qan hallin e tyre por të shqiptarëve. Ai deklaroi se ligjin për amnistinë fiskale e kërkon më shumë se 60% e shqiptarëve. Rama ironizoi gazetarët duke thënë se Amerika dhe BE i kanë punët në rregull.

“Po ju me kë jeni, jeni me shqiptarët apo përrallat? Hallin e kujt qani në këtë rast. Unë jam këtu për të qarë hallin e shqiptarëve. Ne jemi në diskutim me të gjithë dhe do mundohemi të krijojmë një bazë ku të gjejmë dakordësinë. Ne këtu jemi për të bërë detyra karshi shqiptarëve pa shkelur normat dhe parimet. Amnistinë fiskale ne i kemi parë dhe i kemi studiuar nga të gjitha vendet e BE-së. Nuk i kemi gjetur në Australi apo vendet latine.

Në Itali janë bërë edhe më shumë amnisti. Ne nuk po bëjmë diçka që është shpikje. Por nuk bëjmë asgjë që shkon ndesh me parimet dhe konceptet e BE. Këtu bëhet fjalë për para të kursyer nga puna në të zezë. Jo nga punët e zeza. Pak më shumë respekt kur flisni për paranë e zezë të emigrantëve. Ky nuk është një ligj për mua. Dhe as për politikanët. Asnjë politikan nuk përfshihet në amnisti. Çfarë keni ju me këtë?

Qani hallin si do ia bëj unë. Unë nuk jam këtu për hallet e mia personale. Unë jam këtu sepse besoj në atë që kam besuar që ditën e parë që i kam hyrë kësaj. Këtë ligj e kërkon 60 e kusur % e njerëzve të këtij vendi. Ju qani hallin sa do të mërzitet BE dhe Amerika. Ata i kanë punët në rregull. Ne duhet t’i bëjmë punët në rregull duke bashkëpunuar me ata”, tha Rama.