Kur na ndajnë edhe 5 ditë nga sesioni i ri parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka thirrur sot në orën 12:00 kryesinë e PD-së për të diskutuar në lidhje me sesionin e ri parlamentar.
Përmes një mesazhi që ka mbërritur tek anëtarët e kryesisë mësohet se në rend të ditës do të jetë diskutimi i aksionit politik të PD-së.
Ndërkohë kur pritet që për pak muaj PD-ja të nisë primaret për zgjedhjet lokale, sot do të caktohen edhe grupet e punës që do të shpërndahen nëpër zona për të organizuar strukturat e Partisë Demokratike. Gjithashtu, një tjetër vendim që pritet të merret sot në mbledhjen e kryesisë së PD-së është edhe miratim i departamenteve pranë PDSHsë sipas sektorëve përkatës.
Pika e fundit e rendit të ditës parashikohet që të jetë miratimi i sekretarëve politikë për disa nga degët e partisë demokratike. Ky sesion politik pritet të ketë mjaft zhvillime. Vet ish-Kryeministri Berisha ka paralajmëruar se kjo vjeshtë do të jetë “pranvera e Pprotestave”.
Por ndërkohë, në varësi të zhvillimeve në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale do të përcaktohet edhe koha për zhvillimin e primareve në Partinë Demokratike për kandidatët për kryetar Bashkie.