MENU
klinika

“Ndihem i bekuar që kam pasur një bashkëpunëtor si ai”

Berisha përkujton Bujar Nishanin: Do të mbetet në zemrat tona

29.09.2022 - 21:13

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij për figurën e ish-presidentit Bujar Nishani në ceremoninë përkujtimore të thirrur sot në nder të tij.

Berisha tha se Nishani do të mbetet gjithmonë në zemrat e tyre ndërsa shtoi se konsideron veten të bekuar që ka pasur një bashkëpunëtor si ai.

Fjala e plotë:

E dashur Odeta, Ersi, Fiona, baba Faik, vëllezër të Bujarit, i dashur z. Meta, Imami, Edit, zonja Dado, Flamur, të dashur të pranishëm.
I dashur Bujar!
Njeriu, cilido mbart në vetvete në njërën anë vdekatarin, në anën tjetër të pavdekshmin. Ndaj dhe ne sot jemi këtu për të kremtuar, festuar, nderuar, për tu krenuar me trashëgimninë e pavdekshme të prindit, qytetarit, djalit, bashkëshortit, zyrtarit, shtetarit, ministrit, presidenti dhe mikut Bujar Nishani.

Të gjithë këta janë një seri titujsh nderi për të gjithë ata të cilët dinë ti nderojnë, arrijnë ti nderojnë dhe ne sot festojmë, kremtojmë, krenohemi, me të gjithë këtë spektër të gjerë të titujve të këtij burri, miku, qytetari, shtetari, politikani, i cili nuk është më në një karrige këtu mes nesh, por mbetet i pavdekshëm në memorien dhe zemra tona.
Në këtë aspekt, unë mendoj se, Odeta, është një zonjë e bekuar nga Zoti që pati fatin të ketë një bashkëshort shembullor të vyrtitshëm si Bujar Nishani.

Baba Faiku ndjehet sot këtu se bashku me ne, një baba i bekuar se pati fatin të ketë një djalë të vyrtitshëm, një pasardhës që nderoi të gjithë traditën e shkëlqyer të familjes Nishani.
Ersi, Fiona, gjithashtu janë sot të bekuar këtu sepse patën një baba të mrekullueshëm, që i mëkoi ata me vërtitet më të arrira të njeriut. Një baba i cili i mëkoi ata me dashurinë për familjen, me dashurinë për vendin, për mikun, shokun, me atdhetari. Dhe sot, ata krenohen me babain e tyre, për thesarin shpirtëror me të cilin ai i mëkoi.
Krenohen me babain e tyre, i cili në çdo detyrën, funksion i dha nder detyrës, i dha nder vendit, familjes.

Të bekuar ishim ne të gjithë që patëm një mik si ai. Për mik, më e çmuara në miqësi, është besnikëria. Bujar Nishani ishte një mik besnik, me të cilin komunikoje njësoj si me veten tënde. Diskutoje, vendosje i bindur në luajalitetin, besnikërinë e tij. Kështu që ne ishim të bekuar që patëm një mik si ai.

Edhe vendi ishte i bekuar së pari që pati një zyrtar si Bujar Nishani. Unë kam pasur fatin të bashkëpunoj, ta njoh, në të gjitha nivelet e shtetit me Bujar Nishanin. Zyrtar i përgjegjshëm, eficent, dinjitoz dhe më pas shtetar që i bënte nder vendit, nder detyrës. Me përkushtimin e tij, një nga ministrat më eficentë. President, përfaqësues nga më dinjitozët në historinë e këtij kombi.

Të dashur miq! Një politikan, shtetar, mund të ketë shumë veti. Mund ti mungojnë disa, por kryesorja e të gjithave është patriotizmi i tij, dashuria e tij.
Bujar Nishani donte kombin, dheun, flamurin e Kombit dhe i nderoi ato si pak kush tjetër. Ndaj dhe ai sot ka një vend, është dhe do të mbetet gjithnjë në zemrat tona.
Ndaj duke u përulur me nderimin më të madh, shpreh mirënjohje dhe e konsideroj veten të bekuar që pata një bashkëpunëtor si Bujar Nishani. Por edhe në PD, ai ishte një nga personalitetet më të qëndrueshme, të çmuara. Ishte një konservator i vërtetë, për të cilin, liria, familja, vendi, ishin shtyllat më të çmuara të tij.

Pasi përmbushi me nder të madh detyrimet si kryetar shteti dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira, duhet ta pranojmë këtë, sepse kishte të bënte me një ansambël tjetër, person tjetër i cili nuk njeh ligj e moral në sjelljet e tij, por ai i qëndroi besnik flamurit, institucionit që udhëhoqi, kushtetutës së vendit.

Bujar Nishani në një moment kritik, pasi dorëzoi këtë detyrë ju përkushtua asaj force politike në radhët e të cilës ai kishte ngjitur të gjitha shkallët me dinjitet të madh.
Në këtë kontekst dua të them se ai, mua dhe të gjithë juve, na mungon shumë dhe shumë.
Duke u përulur me nderim të madh para veprës së tij, edhe njëherë le të gëzojmë ne, të festojmë ne, kremtojmë ne, krenohemi ne me trashëgimninë e mikut, bashkëshortit, bashkëpunëtorit, e prindit, e birit, qytetarit, shtetarit, presidentit Bujar Nishani.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN