MENU
klinika

"Pisllëqet..."

Bota që krijoi Stephen King

21.09.2022 - 17:05

       Dhjetëra romanet e tij horror janë shitur në miliona kopje, duke ndikuar në kinematografi, televizion dhe jo vetëm: dhe sot ai mbush 75-vjeç. Stephen King ishte në vitin e tretë, kur shkroi suksesin e parë “The Well and the Pendulum”, një transkriptim i një filmi tmerri gotik që ai kishte parë në kinema. E shtypi në dyzet kopje dhe arriti t’ua shiste shumicën shokëve të shkollës, para se të thirrej nga drejtori, i cili e qortoi që kishte shkruar “të tilla pisllëqe”./Konica.al

Në librin “On Writing”, ku ai rishikon një pjesë të historisë së tij, King thotë se kaloi vite, pas atij episodi, i turpëruar për profesionin e tij dhe duke menduar për drejtorin që e pyeti se përse donte ta shkonte dëm talentin duke shkruar “pisllëqe të tilla”. Prej atëherë ka kaluar shumë kohë dhe King sot mbush 75-vjeç, në karrierën e tij ka botuar më shumë se 80 libra, që e kanë shndërruar në shkrimtarin më të famshëm dhe produktiv të tmerrit dhe trillerit në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Edhe pse nuk është vlerësuar gjithmonë nga kritika, romanet e tij janë shitur në miliona kopje: disa janë bërë filma kult, si “Shining” (“Rrezatimi”) i Stanley Kubrick (për të cilin King qe shumë kritik), “The Wings of Freedom” (“Krahët e lirisë”) dhe “Stand By Me” (“Qëndro pranë meje”). Në përgjithësi, në tërësi krijimtaria e tij ka ndihmuar në krijimin e një imagjinareje të përbërë nga fëmijë me biçikleta, klounë monstruozë, autobusë shkollash dhe shkrimtarë të çmendur, që vazhdon të frymëzojë dhe emocionojë lexuesit dhe spektatorët e të gjitha moshave. […] Stephen King lindi në Portland, Maine, dhe u rrit me nënën dhe vëllanë. Filloi të shkruante shumë herët: tregimi i parë titullohej “Hotel Greymore” dhe, kur ia dha nënës ta lexojë, ajo i tha se ishte kaq i mirë sa ia vlente ta botonte në një libër të vërtetë. “Që atëherë, – shkruan King, – asnjë fjali tjetër nuk më ka bërë kurrë kaq të lumtur”. Megjithatë, botimi i një tregimi nuk ishte vërtet i lehtë dhe para se të bëhej një shkrimtar profesionist, King u refuzua disa herë. I mbante të gjitha në dhomën e tij, varur nga një gozhdë, madje në moshën katërmbëdhjetë vjeç iu desh ta zëvendësonte me një më të fortë, sepse pesha ishte bërë e padurueshme. Megjithatë, disa letra përmbanin komente inkurajuese, si ai i drejtorit të redaksisë së revistës “Fantasy & Science Fiction”, i cili u përgjigj se historia që ai i kishte dërguar nuk ishte e keqe: “Ti ke një talent të caktuar. Na dërgoni propozime të tjera”. King punoi si reporter sportiv për gazetën e shkollës, pavarësisht se nuk dinte shumë për sportin dhe i konsideronte gazetat “armiq” të tijtë dhe, më pas, në një fabrikë tekstili, në bibliotekën e një kolegji dhe në një lavanderi./Konica.al/Në moshën 24-vjeçare, u martua me Tabitha Spruce (tashmë e njohur si King), e cila u bë shkrimtare dhe patën tre fëmijë, Naomi, Joe dhe Owen: dy të fundit, janë bërë shkrimtarë. Tabitha King, e cila aktualisht drejton Fondacionin “Stephen and Tabitha King”, që në fillim luajti një rol qendror në karrierën e tij. Siç shpjegon “On Writing”: “Të shkruarit është një profesion vetmitar. Të kesh dikë pranë teje që beson tek ty, bën një ndryshim të madh”. […]

Filloi punë si mësues dhe kishte të ardhura të mira, i lindi ideja për “Carrie”: nuk ishte romani i parë që shkroi, por ishte i pari që u botua. King thotë se historia e Carrie, lindi si shumë nga idetë e tij, duke bashkuar dy elementë të rastësishëm penga nga e kaluara dhe që papritmas gjetën një lidhje. […] Pas “Carrie” pasuan “Netët e Salemit”, që është edhe romani më i rekomanduar për ata që duan t’i afrohen shkrimtarit. Këtu do të shfaqen për herë të parë disa nga elementët që do të kthehen në romanet e mëvonshme dhe që do të kontribuojnë në përvijimin e botës së frikshme të Stephen King: një qytet i vogël në provincën e Maine, një shkrimtar protagonist, një autobus shkolle dhe sigurisht monstra, në këtë rast vampirë. Në këtë pikë karriera e Stephen Kingut mori hov, por, pavarësisht kësaj, nuk pati jetë të lumtur. Vitet e para si shkrimtar, ai tregoi se kishte vuajtur nga alkoolizmi dhe varësia nga droga. Në retrospektivë, ai kuptoi se të dyja veste dolën nga librat e tij: për shembull, një nga personazhet kryesore në “The Shining” është një shkrimtar alkoolist dhe ish-mësues, ndërsa “Misery” tregon historinë e një infermiere psikopatike që rrëmben një shkrimtar, për ta detyruar të shkruajë atë çfarë do ajo. Infermierja ishte një metaforë për kokainën, zbuloi ai më vonë. King shkroi për ato vite, se “po vdiste para syve të familjes sime” dhe se, gruaja i dha dy mundësi: të shkonte në një qendër rikuperimi ose të bënte gati valixhet. Ai zgjodhi të parën.

Midis viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, kur kishte fituar famë, ai botoi disa romane me pseudonimin Richard Bachman: pjesërisht sepse donte të shihte, nëse do të kishin pasur sukses gjithsesi, pjesërisht sepse atëherë shtëpitë botuese nuk botonin më shumë se një libër në vit për autor dhe ai shkroi më shumë se kaq. Pavarësisht shitjes së miliona kopjeve, Kingut iu deshën vite për të marrë vlerësimet e para nga kritika, kryesisht për shkak të stereotipit, se zhanret horror dhe triller i përkisnin domosdoshmërish një lloji “të ulët” të letërsisë, e cila tërheq veçanërisht masat më pak të arsimuara. Kur fitoi çmimin prestigjioz “O. Henry” për një nga tregimet e botuara në “New Yorker” në 1994, revista “Publishers Weekly” e quajti “një nga historitë më të dobëta të konkursit të atij viti”. Gjërat ndryshuan pak me filmin “Krahët e lirisë”, i bazuar në historinë e Kingut, i cili fillimisht titullohej “Rita Hayworth and Shawshank Redemption” dhe që shkëputej nga zhanri horror: tregon historinë e një të burgosuri padrejtësisht dhe jetën e tij së bashku me të burgosurit e tjerë të burgut Shawshank. U publikua në vitin 1994 dhe mori shtatë nominime për Oscar: ende sot konsiderohet si një nga filmat më të bukur në historinë e kinemasë. Pasi u bë i famshëm, përveç librave, King bëri edhe shumë gjëra të tjera: për shembull, duke bashkëpunuar me Michael Jackson në videon muzikore horror 40-minutësh “Ghosts”, duke shkruar një roman me katër duar “Bukuroshet e Fjetura”, me djalin e tij, Owen dhe të bllokohej në Twitter nga Donald Trump, kur ai ishte ende president i Shteteve të Bashkuara.

Prej vitit 1980, në shumë raste King ka folur për politikën amerikane, duke mbështetur herë pas here kandidatët demokratë për president, nga Gary Hart te Joe Biden dhe politikanët e Maine që i pëlqenin. Në vitin 2014, Barak Obama i akordoi “Medaljen Kombëtare të Arteve”, nderimi më i lartë për artistët në Shtetet e Bashkuara. Llogaria në Twitter e Stephen Kingut, të cilën ai e përdor shpesh për të shprehur pikëpamjet përgjithësisht progresive për çështjet aktuale, ndiqet nga 5.8 milionë njerëz. […] Filmi i parë “It” , romani i gjatë i Stephen Kingut që tregon historinë e një grupi fëmijësh (më vonë të rritur) nga një qytet në Maine, të cilët e gjejnë veten të detyruar të luftojnë kundër një përbindëshi të tmerrshëm, ishte ndër filmat me fitimet më të larta, të vitit 2017. Dhe klouni i keq i “It” është kthyer në simbolin e terrorit edhe për ata që nuk e njohin historinë. Përveç filmave, disa seri dhe miniseriale të marra nga librat e tij, janë publikuar: ndër më të fundit, janë “Doctor Sleep”, “Castle Rock” dhe “The Stand” (marrë nga “Shadow of the Scorpion”).

Përveç frymëzimit të shumë filmave dhe serialeve televizive, romanet e tij kanë kontribuar në ndërtimin e një imagjinate unike dhe koherente që, prej viteve 1980, nuk ka reshtur së rifilluari, përshtaturi dhe cituari në televizion e kinematografi. Një shembull i fundit është “Stranger Things”, ndoshta seriali më i suksesshëm në Netflix.[…]/Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ndiqni sekuencat dhe zgjidhni!

“BBC Culture” propozon filmat e tetorit…

Regjisorja kalabreze kujton gjyshen...

”Arbëria” vjen në gjuhën origjinale


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit