MENU
klinika

Pol Valeri: Diktatura!

“Çdo pushtet politik është… regjim”

23.09.2022 - 20:24

        Nuk di thuajse asgjë për politikën praktike: hamendësoj se ka gjithçka, nga e cila i shmangem. Asgjë nuk duhet të jetë kaq e papastër, e rrëmujshme, ndërkohë që mua nuk më pëlqen kaosi, përzierja e panevojshme e çnjerëzores dhe metafizikës, forcës dhe ligjit, besimit dhe interesit, pozitives dhe teatrores, instinkteve, ideve… Si pasojë, do të kufizohem që të imagjinoj para lexuesit gjendjen e sapolindur të një Diktature./Konica.al

Pak a shumë, të gjitha sistemet shoqërore janë kundër natyrës dhe natyra, në çdo çast, punon për të rifituar të drejtat e saj. Çdo qenie e gjallë, çdo individ, priret të thyejë ose shpërbëjë sistemin e fuqishëm të abstraksioneve, burgun e ligjeve dhe ritualeve, ngrehinën e marrëveshjeve dhe pëlqimeve që përcaktojnë një shoqëri të organizuar. Individualitete të veçanta, grupe interesi, sekte, parti, minojnë, korruptojnë, shpërbëjnë, secili sipas qëllimeve dhe mjeteve të veta, rendin dhe përmbajtjen e shtetit.

Përderisa abuzimet, gabimet, dështimet, që, në çdo regjim të mundshëm ekzistojnë dhe nuk mund të mos ekzistojnë, nuk e ndryshojnë vetë parimin e këtij subjekti (besimin në kujdesin dhe sigurinë e epërsisë së forcave të tij), opinioni publik nuk është edhe aq i inatosur nga këto incidente, të cilat, shpejt të ripërthithura, tregojnë soliditetin e thellë të institucioneve përpara kompromisit të tyre. Megjithatë, vjen një çast kur preket pragu i ndërgjegjes së përgjithshme, kur për shumicën bëhet e pamundur të mendojë për interesat e veta të veçanta, pa besuar se çdo pengesë i atribuohet veseve të shtetit. Kur rrethanat e përgjithshme janë aq shqetësuese, sa prekin ndjeshëm jetën private, kur çështjet publike duken si zgjedha e ngjarjeve, thjesht një lojë, kur besimi te njerëzit dhe institucionet ka vdekur dhe funksionimi i administratave dhe shërbimeve, zbatimi i ligjit, duken të braktisura në dorën e kapriços, favorizimit, rutinës; kur partitë luftojnë për kënaqësinë e thjeshtë të pushtetit dhe jo për atë që ai ofron për të rregulluar një komb brenda një ideje – këto ndjenja të çrregullimit dhe rrezikut nuk reshtin së ngjalluri tek ata që i përjetojnë ato pa pasur ndonjë përfitim nga një shpërbërje e tillë, imazhi i një Shteti kontradiktor, rrënjësisht armiqësor; dhe të punojnë për ta vendosur atë.

Pra, një regjim qeveriset nga tri pika: forcat e interesave të veçanta, që lejojnë ekzistencën e tij; pasiguria dhe frika nga e panjohura; mungesa e një ideje unike dhe mjaft të saktë të së nesërmes (ose të njeriut që këtë ide duhet të përfaqësojë). Ikona e Diktaturës është përgjigja e pashmangshme, madje edhe instinktive, e mendimit kur nuk njeh më drejtimin e çështjeve, autoritetin, vazhdimësinë, unitetin, që janë shenjat e vullnetit reflektues, të perandorisë së dijes së organizuar. Kjo përgjigje është e padiskutueshme. Nuk është e thënë, se nuk përfshin iluzione të mëdha për shtrirjen dhe thellësinë e veprimit të pushtetit politik, por është i vetmi që formohet nga përballja mes të menduarit dhe kaosit të rrethanave publike. Të gjithë mendojnë për Diktaturën, me vetëdije apo jo; të gjithë ndjejnë në zemrat e tyre rebelimin e një diktatori. Bëhet fjalë për një efekt të parë, spontan, një lloj akt reflektimi, për të cilin e kundërta e asaj që është kërkon një figurë të padiskutueshme, unike, të vendosur. Është çështje rregulli dhe sigurie publike, nevojitet që këto objektiva të arrihen sa më shpejt që të jetë e mundur. Vetëm një UNË mund të angazhohet për këtë qëllim. E njëjta ide, edhe pa u ekspozuar kaq vrazhdë, është tek të gjithë ata që ëndërrojnë të reformojnë, apo ribëjnë shoqërinë sipas një projekti teorik, zbatimi i të cilit kërkon modifikime të thella të ligjit, zakoneve, madje edhe zemrave. /Konica.al/Në të dyja rastet, shoqërisë i atribuohet një qëllim shumë specifik: asimilimi, pak a shumë i ligjshëm, i një grupi qeniesh të gjalla ndaj një konstruksioni, një mekanizmi që duhet të plotësojë disa kushte, që duhet të shfaqë në çdo rast renditjen e paqartë të një mendimi. Shkurtimisht, kur mendja nuk e njeh më vetveten ose nuk dallon më planet e saj thelbësore, mënyra e veprimit të arsyeshëm dhe provon lemerinë e kaosit, çoroditjen e forcave, në dështimet luhatëse të një sistemi politik, ajo domosdoshmërisht imagjinon, dëshiron instinktivisht, ndërhyrjen e menjëhershme të autoritetit të një udhëheqësi të vetëm, sepse vetëm në një kokë të vetme është e qartë korrespondenca midis perceptimeve, nocioneve, reagimeve, vendimeve, të cilat mund të organizohen dhe të imponojnë kushte dhe dispozita të kuptueshme. Të gjitha regjimet, të gjitha qeveritë janë të ekspozuara ndaj këtij gjykimi të mendjes: ideja e Diktaturës përvijohet, sapo veprimi ose abstenimi nga pushteti duket i pakonceptueshëm, i papajtueshëm me ushtrimin e intelektit të mirëfilltë.

Bonaparti, Konsulli i Parë, hyn në sallën, ku Këshilli i Shtetit diskuton në mënyrë mjaft të rrëmujshme organizimin administrativ të Francës. Dëgjon për pak. Më pas, me një vështrim që i bën të heshtin të gjithë, atë e gjallëron një lloj frymëzimi, improvizon – ose shtiret sikur improvizon – një sferë që i lë spektatorët, më shumë të grinden, sesa të krijojnë, gjysmë të magjepsur e gjysmë të mërzitur. Magjistari i vrullshëm e perandorak, zhvillon një ide të thjeshtë dhe të jashtëzakonshme, e cila duket se zbulohet ashtu siç pret rreshti nga pritja e kotë, dhe e end me një fjalim nervoz e të guximshëm. Ai u thotë të marrin si model institucionet organike, të krijuara sipas strukturës dhe funksioneve të aftësisë të tij intelektuale, nga vendosmëria e tij – që
do të strukturojë administratën në atë mënyrë që shteti të zotërojë mjete dhe organe perceptimi, përpunimi, zbatimi, të cilat sigurojnë ekzistencën e një qenieje, mendja e së cilës, e qartë dhe konkrete, shërbehet nga shqisa dhe muskuj vazhdimisht të stërvitur. E gjithë politika priret t’i trajtojë njerëzit si gjëra, meqenëse gjithmonë bëhet fjalë për t’i rregulluar ata sipas ideve mjaft abstrakte që të mund të përkthehen, nga njëra anë, në veprime, çka kërkon një thjeshtim ekstrem të formulave; nga ana tjetër, të zbatohet për një pafundësi të pacaktuar individësh të panjohur. Politikani i portretizon këto entitete si elemente aritmetike që disponon. Edhe dëshira e sinqertë për t’u dhënë këtyre individëve sa më shumë liri të jetë e mundur, për t’i ofruar secilit një copëz pushtet, çon në imponimin e tyre, deri diku, avantazhe që ata mund të mos i duan. Kemi parë njerëz që ankohen se duhet të lihen të lirë./Konica.al

Kur bëhet fjalë për njerëzit, mendja mund t’i reduktojë ata vetëm në një tërësi kombinuese. Prej tyre, ajo ruan vetëm vetitë e nevojshme dhe të mjaftueshme, që e lejojnë atë të ndjekë një “ideal” të caktuar (rregulli, drejtësie, pushteti, prosperiteti…), duke e reduktuar shoqërinë njerëzore në
një lloj mekanizmi, në të cilin ajo njeh vetveten. Tek diktatori zhvillohet një artist, një estetikë në konceptimet e veta. Prandaj, ai duhet të modelojë materialin njerëzor që disponon, ta rafinojë atë, për ta vënë në dispozicion për qëllimet e tij. Idetë e të tjerëve duhet të krasiten, të përpunohen, të
bashkohen; instinkti i tyre “spontan” duhet të fashitet ose grishet me dinakëri, të reduktohet në formula të qarta dhe të hollësishme që i përgjigjen gjithçkaje, që të gjitha kundërshtimet mund t’i parandalojnë; ndjenjat do të riedukohen etj. (Me qëllim që funksioni që ndjek intelekti të mos
vuajë nga teprimi i nënshtrimit, i inercisë nga ana e vartësve, megjithatë, nuk duhet mohuar, shkatërruar ose zhvlerësuar iniciativa e tyre. Në këtë mënyrë, fryma (politike) që gjithsesi i kundërvihet njeriut, njerëzimit, të cilit i refuzon lirinë, sofistikimin, mutacionin, arrin, në një
regjim diktature, në plotësinë e zhvillimit të saj.

Nën këtë regjim, që është, siç u tha, realizimi më i plotë, edhe pse i nënkuptuar, i çdo mendimi politik, intelekti zotërohet nga dëshira supreme për t’u zbatuar, me vullnetin për të punuar për të mirën, domethënë për të mirën e dikujt veprën e vet dhe të kryejë me fuqinë më të bujshme aktin e njërit kundër të gjithëve, falë të gjithëve dhe teorikisht për të gjithë, që është karakteristikë e natyrës së tij dhe që kërkon prej tij tablonë e çrregullimit njerëzor. Ndaj paraqitet si një ndërgjegje më e lartë, fut në praktikën e pushtetit kontrastin dhe marrëdhënien vartëse, që ekzistojnë te çdo individ, midis vullnetit të reflektuar, të orientuar drejt një qëllimi, së bashku me një sërë “veprimesh automatike” të ndryshme. Mendja do të kujdeset për mendjet, duke stërvitur ose shpenguar fuqitë më të ulëta që depërtojnë dhe zvogëlojnë atë: frika, uria, mitet, elokuenca, ritmet dhe imazhet, ndonjëherë arsyetimi. Këto mjete, në bazë të shfrytëzimit të ndjeshmërisë, do të vidhen, do të nënshtrohen në shërbimin e saj. Në format moderne të diktaturës, rinia dhe fëmijëria janë objekt i një vëmendjeje të veçantë, bjerrë nga një punë e veçantë stërvitore.

Kështu, rendi do të mbretërojë: masa do të sigurohet për mallra të ndryshme të nevojshme, disa autentike, të tjera imagjinare. Veprimet e pushtetit do të duken të sakta dhe racionale, edhe nëse energjia e tyre shpesh shpenzohet për vrazhdësi. Instinktet e bisedës dhe të rritjes kolektive që përcaktojnë një popull, do të jenë të qarta, të kualifikuara, të drejtëshkruara, madhështore, të përcaktuara mirë në idetë dhe strategjitë e një koke të vetme, në të cilën, çuditërisht, feks përbuzja për turmën e manipuluar dhe kultin e formës historike kombëtare, nga e cila ajo turmë është çështja momentale./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Valerio Magrelli

PPP: Politika, pelikula, poezia