MENU
klinika

Bordi nuk reflekton uljet në vendin tonë

Çmimi i naftës në bursë, në nivelin e fillimvitit

27.09.2022 - 09:43

Për të dytën ditë më radhë çmimet e naftës në bursë kanë pësuar rënie duke arritur në nivelet e fillimvitit.

Kështu një fuçi naftë është shitur me më pak se 85 dollarë, por pavarësisht kësaj rënie në vendin tonë çmimet e karburanteve vijojnë të jenë të larta. Bordi i Transparencës u mblodh për herë të fundit në datën 24 shtator, pra para 3 ditësh ndërsa rëniet e ditëve të fundit vijojnë të mos jenë të reflektuar në çmimet e tregtimit. Në mbledhjen e fundit u vendos që një litër naftë të tregtohet me 223 lekë, ndërsa benzina me 194 lekë.

Në njoftimin për mediat vihej në dukje se rritja e gazoilit vjen për shkak të rritjes së dy faktorëve bursa +31 dollarë/ ton nga data 15 Shtator dhe së dyti kursi dollarit nga 117.2 dollarë në afërsisht 120 dollarë. Ndërsa për benzinën është ulur bursa me 26 dollarë/ton, por është rritur kursi i këmbimit të dollarin me 3 lekë. Pra për benzinë ulja e bursës kompensohet me rritjen e kursit prandaj nuk ka lëvizje çmimi.

“Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e angazhuar në mbrojtje të interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg. Situata që po kalojmë nuk është zakontë, ndaj dhe vendimet që marrim, vijnë si përgjigje e zhvillimeve të ekonomisë vendase, por edhe e lëvizjeve të tregjeve ndërkombëtare. Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtej vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, thuhej më tej në njoftimin zyrtar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pas vendimit të fundit të Bordit

Çmimet e naftës arrijnë rekordin