MENU
klinika

"Nuk mundet kush të bëjë “policinë morale”

Debati degjeneroi në ofendime, Bieta Sulo largon të ftuarin

30.09.2022 - 11:53

“Sot nuk ishte një emision i zakonshëm”, kështu e cilësoi moderatorja Bieta Sulo puntatën e fundit të “Ftesë në 5.”

Kjo pasi në puntatën e sotme ajo u detyrua të mbyllë lidhjen me një nga të ftuarit e saj.

Tema e diskutuar kishte lidhje me deklaratën e avokates Migena Balla në puntatën e djeshme, ku propozoi ligjërimin e poligamisë (martesa e një burri me më shumë se një grua.) Madje ajo tha se do ta lejonte bashkëshortin e saj të kishte “edhe tre gra.”

Në panelin e të ftuarve sot ishte bashkëshorti i avokates, historiani Olsi Jazexhi. Blogerja Zhaklin Lekatari, gjithashtu e ftuar në emision, pati një debat të ashpër me Jazexhin, i cili kaloi në ofendime personale.

Historiani ka ofenduar gazetaren disa herë, duke e kaluar krejtësisht nivelin e debatit dhe duke përdorur terma seksistë, ofendues me një mënyrë ironike të të folurit. Gjithashtu ai ka përdorur terma si “o rrushi” apo “zemra”, dhe ka aluduar për jetën personale të blogeres duke thënë se “fiton para me blogje seksi” apo “t’i numëroj dashnorët që ke pasur.”

Kështu Bieta ka ndërhyrë duke e larguar Olsin nga programi, duke mbyllur lidhjen me të.

Më pas moderatorja reagoi lidhur me ngjarjen përmes një postimi në Instagram, në të cilin shprehet se ishte e detyruar për zgjedhjen që bëri, nisur nga fakti që e konsideron të patolerushme përdorimin e fyerjeve personale, goditjeve nën brez dhe lincim publik të personazheve që fton në emision, teksa dënon edhe fjalët e Jazexhi, duke i konsideruar ato edhe si “polici morale”.

“Sot nuk ishte një emision i zakonshëm. Një të ftuari kërkova t’i fikej mikrofoni, derisa vendosa edhe ta largoj nga emisioni. Është jo thjesht e turpshme, por tërësisht e patolerueshme që goditje nën brez: fyerje personale, futje nën çarçafin e krevatit të çdonjërit, lincim publik dhe përdhosje e figurës publike të lejohen.

Sikundër edhe e shpreha dhe reagova ashpër përgjatë emisionit deri në largim të të ftuarit, dënoj çdo fyerje dhe nuk mund të pranoj që pikërisht në ‘Ftesë në 5”, emisionin që ka shtyllë të vetën “mbrojtjen dhe lartësimin e dinjitetit të gruas”, të denigrohet kush mendon ndryshe. As në ‘Ftese ne 5’ dhe as në shoqërinë tonë nuk mundet kush të bëjë “policinë morale”– thuhet në postimin e plotë të Bietës.