MENU
klinika

Kërkesa e Prokurorisë

Del para gjykatës në Elbasan “bosi” turk i kriptovalutave!

01.09.2022 - 12:22

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë arrest me burg, për Faruk Fatih Özer, bosin turk të kriptovalutave, i cili u arrestua dy ditë më parë në jug të Shqipërisë.

Seanca ndaj tij do te mbahet nesër ne oren 09:30, ndërsa theksohet se “ekzistojnë të gjitha kushtet ligjore që shteti kërkues, Turqia të nisë procedurat e ekstradimit ndaj shtetasit turk Faruk Fatih Özer.”

Arrestimi i tij është bërë pasi autoritetet e drejtësisë turke e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij Gjykata Magjistrale Nr.7 e Stambollit në Turqi ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale të “Ngritja e orgazinatave me qëllim kryerjen e krimeve” dhe “Mashtrim në rrethana rënduese” të parashikuar nenet 220/1, 158/f të K.Penal të Turqisë. Maksimumi i dënimit të mundshëm për këto vepra është 10 vjet burgim..

Njoftimi i prokurorisë

Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bazë të operacionit policor të koduar “Brain”, më datë 30.08.2022, ora 16.20 kanë kryer arrestimin e shtetasit turk Faruk (Fatih) Özer, i biri i Zulkuf dhe Nursel, lindur në Gebze të Republikës Turke më datë 17.02.1994, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Autoritetet Turke të Drejtësisë.

Nga shqyrtimi i akteve procedurale rezultojnë të dhënat e mëposhtme :

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, me shkresën nr.6934 prot., dt.31.08.2022, ka referuar materialet të cilat bëjnë fjalë për arrestimin e shtetasit turk Faruk Fatih Özer.

Rezulton se në Elbasan më datë 30.08.2022, ora 16.20, nga ana e Oficerëve të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, është bërë arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimi i shtetasit turk:

Faruk (Fatih) Özer, i biri i Zulkuf dhe Nursel, lindur në Gebze të Republikës Turke më datë 17.02.1994.

Arrestimi i tij është bërë pasi autoritetet e drejtësisë turke kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin e mësipërm, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore turke dhe konkretisht me vendimin nr.2024/2706D.Is, datë 07.05.2021 Gjykata Magjistrale Nr.7 e Stambollit Anadollian në Turqi ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale të “Ngritja e orgazinatave me qëllim kryerjen e krimeve” dhe “Mashtrim në rrethana rënduese” të parashikuar nenet 220/1, 158/f të K.Penal të Turqisë. Maksimumi i dënimit të mundshëm për këto vepra është 10 vjet burgim..

Nga informacioni i dërguar nga Difuzioni i Interpolit rezulton se shtetasi turk Faruk Fatih Özer në vitin 2017 ka krijuar një platformë online të quajtur “Thodex” me funksion shkëmbimin e kripto-monedhës. Pasi ka akumuluar afërsisht 2 miliard USD pasuri në asete dixhitale, ky i arrestuar ka mbyllur platformën dhe mediat sociale dhe është larguar nga territori turk më datë 20.04.2021.

Për këto arsye shtetasi turk Faruk Fatih Özer është shpallur në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe për llogari të Zyrës Qëndrore të Interpol Ankara.

Nga sistemi i kërkimit nominal e-ASF2, është printuar një kopje e “Urdhërit të Arrestit Ndërkombëtar”, lëshuar nga Gjykata Magjistrale Nr.7 e Stambollit Anadollian në Turqi për shtetasin Faruk Fatih Özer.

Autoritetet turke të cilat kanë lëshuar Urdhërin Ndërkombëtar të Arrestit ndaj këtij shtetasi, kanë bërë të ditur se pas arrestimit të tij, menjëherë do të nisin procedurat për ekstradim në rrugë diplomatike dhe gjyqësore.

Po kështu janë administruar dhe materialet identifikues për shtetasin Faruk Fatih Özer, ku përfshihet kartela foto-daktiloskopike dhe akti i ekspertimit daktiloskopik nr.11039, datë 30.08.2022 sipas së cilit rezulton se gjurmët e daktiloskopuar më datë 30.08.2022 i përkasin shtetasit turk Faruk Fatih Özer.

Për sa më sipër, duke analizuar në terësi materialet e paraqitura, si edhe bazuar në kërkesat e nenit 495 të K.Pr.Penale, vlerësojmë se jemi në kushtet kur ndaj shtetasit turk Faruk Fatih Özer, duhet të caktohet një masë sigurimi me karakter shtrëngues.

Konkretisht, ndaj këtij shtetasi, nga autoritet e drejtësisë turke është nxjerrë një Urdhër Ndërkombëtar Arresti, me qëllim arrestimin e këtij shtetasi për nevoja të ekzekutimit të vendimit penal të dhënë nga Gjykata Magjistrale Nr.7 e Stambollit Anadollian në Turqi, sipas të cilit rezulton se ndaj shtetasit Faruk Fatih Özer është caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale të cituara më sipër.

Për sa më sipër, bazuar dhe në nenin 39/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë vlerësojmë se ekzistojnë të gjitha kushtet ligjore që shteti kërkues, Turqia të nisë procedurat e ekstradimit ndaj shtetasit turk Faruk Fatih Özer.

Gjithashtu Republika e Shqipërisë si dhe Republika e Turqisë, janë të dyja palë të Konventës së Këshillit të Europës “Për ekstradimin” si dhe 2 Protokolleve shtesë të saj. Edhe sa i përket veprës penale për të cilën është shpallur në kërkim shtetasi turk Faruk Fatih Özer, ato janë të parashikuara si të tilla njëkohësisht në Kodin tonë Penal. Konkretisht, vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim është e parashikuar në nenet 143, 143/a, 333 dhe 334 të K.Penal shqiptar dhe këto vepra nuk kanë karakter politik apo ushtarak.

Për sa më sipër, çmojmë se arrestimi i përkohshëm i shtetasit turk Faruk Fatih Özer është i ligjshëm, pasi është kryer në përputhje me kërkesat e nenit 495 të K.Pr.Penale, në pritje të kërkesës për ekstradim nga autoritet turke.

Për këto arsye, bazuar në nenet 494/6 dhe 495 të K.Pr.Penale,

K Ë R K O J M Ë :

Miratimin e arrestimit provizor të shtetasit turk Faruk Fatih Özer të kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Caktimin e masës provizore të sigurimit personal shtrënguese “Arrest në burg”, për shtetasin turk Faruk (Fatih) Özer, i biri i Zulkuf dhe Nursel, lindur në Gebze të Republikës Turke më datë 17.02.1994, me qëllim ekstradimi e tij në Turqi.