MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

E djathta ekstreme, “virus” në Evropë…

19.09.2022 - 09:08

Ngritja e frikshme e së djathtës ekstreme në Evropë: është një temë e njohur dhe një temë që politikanët dhe mediat liberale shpesh e dëgjojnë.

Një rritje e mbështetjes për partitë nacionaliste, euroskeptike dhe jotolerante kulturore u parashikua pas referendumit të Brexit të vitit 2016 dhe fitores së Donald Trump në zgjedhjet në SHBA.

Suksesi elektoral i vitit të kaluar i socialdemokratëve të qendrës së majtë të Gjermanisë dhe pengesat për Alternativën e djathtë për Gjermaninë, treguan se këto forca po “binin”. Më pas erdhi balotazhi i zgjedhjeve presidenciale të Francës, kur Marine Le Pen e ekstremit të djathtë fitoi një rekord prej 13.3 milionë votash – mbi 41% të totalit.

Mësimi më i mirë që mund të nxirret nga këto luhatje është se përpjekjet për të dalluar tendencat e dallueshme në mbarë Evropën mund të na gënjejnë.

Sjellja e votimit në vende të ndryshme ndikohet nga personalitetet, ngjarjet, koha, çështjet rajonale, besnikëria partiake dhe sistemet zgjedhore. Në fund të fundit, e gjithë politika është lokale.

Thënë kështu, partitë populiste të ekstremit të djathtë janë një problem pan-evropian që shqetëson të gjithë demokratët.

Baza e përbashkët dhe lidhjet ideologjike mund të gjenden, për shembull, midis Suedisë, në veriun e largët të Evropës, dhe Italisë në jug të Mesdheut. Në të dyja, partitë e djathta radikale janë në rritje.

Demokratët e Suedisë, një parti me rrënjë neo-naziste dhe një qëndrim të ashpër kundër emigrantëve, ligjit dhe rendit, fituan vendin e dytë në zgjedhjet kombëtare të javës së kaluar, të mbështetur nga një në pesë votues. Mbështetja e saj do të jetë vendimtare për koalicionin e ri të qendrës së djathtë që synon të zëvendësojë socialdemokratët.

Shqetësimet për kostot e jetesës dhe krizat e energjisë, lufta në Ukrainë, imigracioni dhe krimi me armë – një çështje e nxehtë në Suedi – mund të ndihmojnë në shpjegimin e këtij fenomeni.

Dhe nuk kufizohet vetëm tek suedezët. Çështje të tilla përkthehen lehtësisht në Itali, ku partitë e ekstremit të djathtë janë gati të fitojnë pushtetin fundjavën e ardhshme.

Sondazhet e opinionit sugjerojnë se “Vëllezërit e Italisë” të Giorgia Melonit, një lëvizje populiste kryengritëse, prejardhja e së cilës vjen nga Musolini, do të udhëheqë qeverinë e ardhshme.

Ajo mbështetet nga dy figura më të njohura të krahut të djathtë, ish-kryeministri Silvio Berlusconi dhe Matteo Salvini i Lidhjes. Të dy janë ekspertë në politikën e ndarjes.

Ashtu si Demokratët e Suedisë dhe Tubimi Kombëtar i Le Penit (ish Balli Kombëtar), Vëllezërit e Italisë kanë pastruar me kujdes imazhin e tyre. Meloni ka moderuar qëndrimin e saj kundër BE-së dhe është distancuar nga Rusia.

Në të kundërt, Berlusconi njihet si shoku i vjetër i Vladimir Putinit.

E djathta ekstreme e Italisë ndan karakteristika të tjera me vëllezërit evropianë – armiqësi ndaj “elitës”, tendenca autoritare, përbuzje për multikulturalizmin dhe të drejtat gjinore dhe një obsesion me identitetin kombëtar të mbështetur nga racizmi.

Polonia, Holanda, Austria, Spanja, Serbia – të gjitha kanë versionet e tyre të së njëjtës gjë.

Dëmi që mund të bëjë e djathta ekstreme në pushtet është i dukshëm në Hungari. Kryeministri i saj pro Moskës, Viktor Orbán, dhe partia e tij Fidesz kanë penguar veprimet e BE-së në Ukrainë dhe kanë cenuar liritë gjyqësore, akademike, të pakicave dhe mediave.

Javën e kaluar, Parlamenti Evropian deklaroi se Hungaria nuk ishte më një demokraci.

Në një moment introspeksioni kombëtar dhe jo pak vetëflagjelim, britanikët duhet të jenë mirënjohës – dhe krenarë – që partitë e ekstremit të djathtë nuk e kanë fituar kurrë rëndësinë që kanë diku tjetër. A mund të ndodhë këtu? Nëse punët tona menaxhohen keq, po, mund.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një krizë e re emigracioni po afrohet...

Çfarë po pret Evropa?