MENU
klinika

Loja e qeverisë me paketën antikrizë!

Ekonomistja: Dritëhijet e vendimit për energjinë elektrike

26.09.2022 - 12:18

“Një numër shpejtësie, një truk magjik i servirur mjeshtërisht”. Ky është përcaktimi që ekonomistja Irena Beqiraj bën për paketën e rezistencës të prezantuar nga qeveria pak ditë më parë.

Në një intervistë dhënë për gazetën, ish-zëvëndësministrja e Financave analizon rritjen e pagës minimale dhe efektet zinxhir që pritet të sjellë në ekonomi, indeksimin e pensioneve me 9.5 për qind dhe katërfishimin e çmimit të energjisë për abonentët familjar.

Qeveria me paketën e rezistencës rriti për herë të dytë pagën minimale. Në prill paga u rrit nga 30,000 në 32,000 edhe tani për herë të dytë nga 32,000 në 34,000 lekë. Ju jeni një ekonomiste me bindje të majta, si e vlerësoni ketë rritje në kushtet e ekonomisë shqiptare?

Koncepti i pagës minimale, është koncepti më kontraversial 126-vjecarit të fundit, i trajtuar herë si çështje e së drejtës dhe e mbrojtjes ndaj pagave të ulëta të padrejta, herë si çështje sociale, edhe herë si çështje ekonomike. Në 126 vjet eksperiencë, studime, kërkime, braktisje dhe rikthime te ky koncept, niveli i pagës minimale mbetet pika më rëndësishme e debatit për ekonomistët edhe politikëbërësit.

Në vende si Shqipëria ku 38.5% të të punësuarve në sektorin privat paguhen me pagë minimale, rritja e saj është padyshim edhe një mjet i fuqishëm elektoral, i cili nuk ka munguar në programet elektorale as majtas e as djathtas. E vlerësuar nga këndvështrimi i mirëqenies sociale, paga minimale nuk duhet të jetë më e vogël sesa 2-fishi i minimumit jetik (duke presupozuar se një i punësuar ka edhe një person tjetër që varet nga ai). Matja e fundit e minimumit jetik të bërë nga Avokati i Popullit është 18,875 lekë. Pra, kur Basha premtonte pagën minimale 36,000 lekë, edhe pse mund të tingëllonte e çuditshme shfaqej si një “socialist” i vërtetë.

E parë nga efektet që ka mbi ekonominë dhe punësimin, studimet sugjerojnë faktorë të tjerë referues për caktimin e nivelit të pagës minimale. Së pari, paga minimale duhet të jetë brenda intervalit 60%-80% të medianës së pagave. Mediana e pagave në Shqipëri është rreth 40,000 lek. Sipas këtij rregulli, paga minimale nuk duhet të tejkalojë 32,000lekë. Faktori i dytë referues në përcaktimin e pagës minimale është struktura ekonomike e vendit edhe produktiviteti për punëtor në sektorët kryesorë të kësaj strukture.

Në strukturën aktuale ekonomike, të tejngopur me kompani të vogla të cilat operojnë kryesisht në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve, ku produktiviteti është shumë i ulët edhe ku vetëm pagat zënë rreth 35 % të kostove, çdo rritje e pagës minimale përtej 32,000 lekë mund të sjellë efekte të tjera zinxhir në ekonomi. Me dy rritjet e njëpasnjëshme të pagës minimale, kostot që do të përballojë biznesi privat rriten me 6.8 miliardë lekë, përkatësisht 1,71 miliardë lekë shtesë në skemën e sigurimeve që i shkojnë buxhetit dhe rreth 5.1 miliardë lekë rritje të pagave neto.

Duke qenë se këto kosto nuk shoqërohet me rritjen e produktivitetit për punëtor, atëherë pagat bëhen joeficente dhe biznesi do të përpiqet t’i transferojë ato ose te rritja e mëtejshme e çmimeve, ose do të rrisë evazionin, pse jo mund të rezultojë me ulje dhe të punësimin formal. Për këto arsye, edhe pse e majtë, jam skeptike për rritjen e pagës minimale në këtë situatë.

Çfarë do të thotë për ju rritja e pensioneve me 9,5 % në vit? A është e mjaftueshme?

Me pensionistët zbatohet shpesh parimi, paketimi është më i rëndësishëm se dhurata që është brenda. Në prill të çdo viti, vit për vit, në krizë ose jo, me Kryeministër socialist apo demokrat, sipas ligjit pensionet duhet të indeksohen me indeksin e rritjes së çmimeve të shportës së pensionistëve. Rritja që u ofrua me paketën e parë në prill, ishte indeksimi me normën 3.5% të inflacionit vjetor shkurt 2021- shkurt 2022. Indeksimi tjetër i radhës do të duhej të bëhej në prill të vitit 2023 me normën e inflacionit vjetor Shkurt 2022- Shkurt 2023.

Por qeveria duket se ka vendosur ta përshpejtojë me 6 muaj këtë indeksim duke e filluar nga tetori 2022. Por me shumë gjasa inflacioni vjetor për përudhën shkurt 2022-shkurt 2023, i cili do të përdorej në indeksimin e radhës do të jetë shumë më i lartë se 6%. Kështu, indeksimi i ofruar këtë tetor mund t’u japë pensionistëve një normë më të ulët sesa ajo që mund të përfitonin sipas ligjit në prill 2023, duke bërë që përfitimi total nga indeksimi në avancë të ulet ndjeshëm. Në prill të vitit 2023 do të kuptohet nëse pensionistët do të kenë përfituar diçka shtesë nga ajo që u takon me ligj, apo jo. Por një gjë mund ta them, paketimi i vendimit të rritjes së pensioneve ishte mbresëlënës. Për mjaftueshmërinë mjafton të themi që statistikat raportojnë rritje të çmimeve të ushqimeve me 14.4%, e cila gjithsesi është më e madhe se 9.5%.

Në paketën e parë, 28 miliardë lekë shkuan për mbështetje të sektorit energjetik, ndërkohë që prej 1 tetorit qeveria ka vendosur të 4-fishojë çmimin për konsumatorët e fashës mbi 800 KWH. Si e gjykoni këtë vendim?

Ministria e Financave ka deklaruar se 28 miliardë lekë të akorduara në fillim të vitit për sektorit energjetik ndahen në 8 miliardë lekë kredi dhe 20 miliardë lekë rritje kapitali të kompanive shtetërore të sektorit. Ajo është detyruar të rrisë kapitalit e tyre në kohë krize, për të përmirësuar parametrat e tyre financiarë, duke siguruar aftësitë e tyre të munguara paguese.

Ky fakt tregon që reforma në ketë sektor nuk e ka arritur objektivin e saj kryesor, shëndoshjen financiare të sektorit. Ndërsa 8 miliardë lekë të tjera janë dhënë kredi për të rritur likuiditetin e tyre. Pra, ajo që ka ndodhur është e thjeshtë. “I zhveshur” dhe pa likuiditete, sektori energjetik nuk mund të dilte në treg. Bilanci energjetik i 6-mujorit tregon se 86% e energjisë elektrike që është konsumuar në vend është prodhuar në vend ndërsa importi neto (import – eksport) ka qenë vetëm 14%. Pjesën kryesore te prodhimi vendas e zë prodhimi i koncensionarëve privatë me 61%, ndërkohë vetëm 39% është prodhuar nga KESH.

Konsumi familjar në gjashtëmujor ka qenë 1,650,312 MWH edhe ai është mbuluar tërësisht nga prodhimi i KESH. Këto të dhëna tregojnë se mbrojtjen e konsumatorit familjar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike e kanë siguruar veprat e socializmit. Për më tej shifrat tregojnë që çmimi mesatar i importit për periudhën janar -15 shtator 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur me 2.92 herë (për vitin 2021 çmimi mesatar në import ka qenë 10,123 lekë për MWH dhe për vitin 2022 është 29,326 lek për MËH. Një fakt tjetër interesant që tregon ndikimin e koncensionarëve dhe kompanive private në treg është që import-eksportet kryhen kryesisht nga këto të fundit. Kjo dëshmohet edhe sasia e ulët e importuar direkt nga KESH apo nga OSHEE.

Pra, ju po thoni që qeveria nuk është e sinqertë kur thotë që çmimi i është rritur me 4 herë?

Duhet pranuar që qeveritë janë grupime politike dhe tentojnë të mos jenë të sinqerta. Ndaj edhe për të siguruar një qeverisje të mirë dhe transparencë kemi një ent të pavarur nga qeveria, Entin Rregullator të Energjisë. I takon EREs të përcaktojë çmimet edhe të bëj transparencë të plotë për çdo lekë të rritjes së tij.

Padyshim, multiplikatori 4 herë diku është gjendur dhe arsyetimi duhet kërkuar te çmimet e eksportit të energjisë elektrike. Po të analizosh të dhënat me kujdes, eksportet e energjisë elektrike, të cilat njësoj si importet, kryesisht janë realizuar nga prodhuesit koncensionarë, janë realizuar me çmime rreth 4.4 herë më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Më qëllim për të plotësuar nevojat e vendit me sasinë e energjisë që në të kundër mund të shitet në eksport me 4.4 herë më shumë, konsumatori mbi 800 KËH do ta blejë energjinë me atë çmim.

Kështu sigurohen fitimet e papritura këtyre të fundit. Këto fitime quhen të papritura pasi nuk kanë ardhur si rezultat i rritjes së investimeve apo ndonjë ndryshimi thelbësor të kryer nga prodhuesit, por thjesht si rezultat i rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Kam frikë se mënyra sesi funksion tregu dhe kushtet e kontratave koncesionare e bëjnë sinqeritetin një luks të tepruar edhe për ERE-n, jo më për qeverinë.

Shumë analistë ekonomikë thonë që rritja me 51 miliardë e të ardhurave buxhetore, e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve, të cilat sot po rëndojnë mbi qytetarët, krijon mundësi për të qenë më afër shtresave në nevojë? A mendoni dhe ju kështu?

Christine Lagarde, ishministrja e Financave Franceze, ish-shefja e FMNsë, sot Guvernatorë e Bankës Qendrore Europiane, ka një shprehje “Rregulloje çatinë e shtëpisë në kohë të mirë”. Ne pikërisht këtë nuk kemi qenë në gjendje të bëjmë. Çfarë është në gjendje të bëjë qeveria sot, është paracaktuar nga vendimet dhe mënyra sesi është menaxhuar buxheti në të kaluarën.

Sa herë që Kryeministri ka veshur rrobën e Krishtit dhe ka zbritur në terren, p.sh., duke rritur kufirin TVSH apo duke përjashtuar nga TVSH, tatimfitimi apo duke ulur dividendin, rritej deficiti buxhetor, i cili do të paguhej herët a vonë nga qytetarët. Me deficit buxhetor 4.5% ose 101 miliardë lek, rrezikonin stabilitetin makro-ekonomik, kështu që 17 miliardë nga të ardhurat shtesë do të shkojnë për zbutjen e tij, duke e ulur atë në nivelin 4.2%, duke ulur kështu edhe nivelin e borxhit.

Siç shpjegova edhe më lart, 28 miliardë janë dashur për “të mbathur” sektorin energjetik, kryesisht OSHEE. Kështu që ajo që mbetet nga rritja e të ardhurave është vetëm 6 miliardë lek, janë 6 miliardë lekë qeveria jonë ka pasur gjithë mirësinë t’i shpërndajë.

Nëse për një moment do t’i vendosnit një emër paketës së rezistencës, cili do të ishte ai?

“Një numër shpejtësie, një truk magjik i servirur mjeshtërisht”, ku Kryeministrin dhe skuadrën e tij do ta kishte zili çdo iluzionist, përfshirë edhe David Copperfield-in .

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përballë një dimri të vështirë

Si po reagojmë me politikat dhe masat mbështetëse


Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

Gjykata e Lartë merr vendimin për Fredi Belerin

Arrestohet disa orë pas daljes nga burgu “Buzëderri”!

Sokol Simonati përfitoi nga amnistia, por…

"Të rikthehen koalicionet dhe lista të hapura"

Bylykbashi prezanton qëndrimin për reformën zgjedhore