MENU
klinika

Nis procesi i votimit në Itali

Evropa “mban frymën” për ngjitjen në pushtet të ekstremit të djathtë

25.09.2022 - 07:44

Sot Italia zgjedh qeverinë e re në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ndërsa votimet kanë nisur prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm. Por çfarë thonë sondazhet? Nëse ato janë të sakta, italianët do të zgjedhin qeverinë më të djathtë të vendit të tyre që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në krye të koalicionit që duket se do të sigurojë shumicën e vendeve në parlamentin italian është Giorgia Meloni, liderja e partisë “Fratelli d’Italia”, Vëllezërit e Italisë, e cila kryeson sondazhet me 36.5% të votave.

Nëse koalicioni i saj arrin të fitojë, ajo gjithashtu do të bëjë histori duke u bërë kryeministrja e parë grua e Italisë. Meloni, 45 vjeç, u rrit në një lagje të klasës punëtore në Romë, e cila njihet më shumë për kultivimin e aktivistëve të majtë sesa për prodhimin e politikanëve të zjarrtë të ekstremit të djathtë.

Partia e saj i ka rrënjët në lëvizjen neofashiste që doli nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore. Simbolet janë një tregues që faktojnë lidhjen e partisë me të kaluarën. Flamuri i partisë përmban një flakë trengjyrëshe që simbolizonte fashizmit në fillim të shekullit të 20-të.

Evropa është e shqetësuar

Në të njëjtën kohë, shqetësimi për perspektivën e një koalicioni qeveritar të ekstremit të djathtë që të marrë pushtetin në Itali mbizotëron në Bruksel.

Koalicioni Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia) me Giorgia Meloni, Lidhja e Veriut e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconi po dërgon mesazhe kontradiktore, të cilat shqetësojnë BE- në dhe NATO -n. Nga njëra anë, Georgia Meloni paraqitet si proatlantike, ndërsa nga ana tjetër Salvini dhe Berlusconi paraqiten si mjaft tolerantë ndaj presidentit rus Vladimir Putin.