MENU
klinika

Editoriali i The Washington Post

Gjithçka që ka Putin momentalisht janë fjalë…

27.09.2022 - 09:30

Presidenti rus Vladimir Putin ndoshta nuk do të hedhë një bombë atomike në Ukrainë, vetëm sepse një veprim i tillë do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm për Rusinë dhe botën.

Por fjalët e tij kanë pasoja, dhe duke kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore, Putin po tregon një pamaturi ekstreme.

Rusia posedon deri në 2000 armë bërthamore jostrategjike ose taktike, kryesisht të dizajnuara për përdorim relativisht të shkurtër në një fushë beteje ose për sisteme mbrojtëse.

Bombat që do të hidhen nga aeroplanët dhe raketat mbahen rezervë, në depot qendrore të magazinimit, të cilat Shtetet e Bashkuara me sa duket i monitorojnë nga afër. Këto armë bërthamore taktike nuk janë kufizuar kurrë me traktat.

Pa asnjë dyshim, përdorimi i një arme bërthamore në Ukrainë do të krijonte një kataklizëm humanitar.

Siç vunë në dukje Paul Craig dhe John Jungerman, “Fakti është se zjarri bërthamor është më i fuqishëm me një faktor prej 10 milionë deri në 100 milionë sesa zjarret kimike”, siç janë ato në armët konvencionale. Shpërthimi, nxehtësia dhe rrezatimi nga një bombë bërthamore mund të përhapen lehtësisht përtej Ukrainës për të rrezikuar jetën në Rusi dhe kudo tjetër.

Kjo perspektivë e zymtë e kthimit mund ta frenojë Putin, nëse ai mendon në mënyrë racionale.

Gjithashtu, Putin nuk mund të hedhë armë bërthamore thjesht me shtypjen e një butoni; ka njerëz të tjerë, përfshirë lidershipin e mbrojtjes, të përfshirë në proces. Nuk ka asnjë përfitim ushtarak nga një sulm bërthamor që djeg pa dallim gjithçka dhe e lë tokën të pabanueshme.

Në të njëjtën kohë, ushtria dhe forcat e sigurisë ruse deri më tani me sa duket nuk e kanë ngadalësuar aventurën katastrofike të luftës së Putin.

Edhe nëse Rusia nuk ka gjasa të përdorë një armë bërthamore, kërcënimet e Putin janë shqetësuese dhe të papërgjegjshme.

Një bombë atomike nuk është përdorur në luftime që nga viti 1945. Një arsye: parandalimi. Historiania Nina Tannenwald ka treguar se përtej parandalimit, natyra krejtësisht shkatërruese e armëve bërthamore përforcoi një tabu të fuqishme – një neveri – kundër përdorimit aktual ushtarak.

Përvoja e frikshme e krizës së raketave Kubane dhe alarmet e rreme periodike gjatë gjithë epokës bërthamore pa dyshim e përforcuan.

Parimet e fundit të parandalimit bërthamor të Rusisë, të miratuara nga Putin në vitin 2020, thonë se një armë bërthamore mund të përdoret vetëm nëse vendi është nën sulm bërthamor ose “vetë ekzistenca e shtetit është në rrezik”.

Putin tani shkon përtej kësaj, duke kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore “në rast të një kërcënimi për integritetin territorial” të kombit.

Putin është duke e nrdryshuar strukturën e tabusë bërthamore. Bllof ose jo, ai po i rrezikon të gjithë.

Administrata Biden ka të drejtë ta paralajmërojë Putin për pasoja të rënda.

Putin duhet të kujtojë fjalët e mençura të Ronald Reganit dhe Mikhail Gorbaçovit në 1985 se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë”.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Akuzat e Rusisë dhe Kinës

“SHBA po nxit garën e re të armëve”

Nga “Il Giornale”

“Vijat e kuqe” të Evropës