MENU
klinika

Arrestohen prindërit

Greqi/ Foshnja 4 muajshe me dëmtime në tru

26.09.2022 - 12:34

Një foshnjë vetëm katër muajshe me origjinë shqiptare ndodhet e shtruar dhe e intubuar në gjendje shumë të rëndë në spitalin e fëmijëve “Agjia Sofia”, në Greqi.

Sipas mediave greke pasditen e së shtunës prindërit e transportuan foshnjën për në spitalin e Kyparissias nga një fshat i komunës së Trifilisë ku jetojnë pasi fëmija kishte konvulsione.

Mjekët që e kanë ekzaminuar kanë konsideruar se foshnja duhej të dërgohej në spitalin e Kallamatës, siç është bërë mbrëmjen e së shtunës. Kur foshnja mbërriti në Kallamatë dhe u kontrollua nga mjekët, u konsiderua i nevojshëm intubimi dhe transferimi në spitalin e Athinës.

Në të njëjtën kohë, mjekët kanë njoftuar policinë pasi kanë zbuluar se fëmija vuante nga sindroma e lëkundjeve (dyshohet se është tundur vazhdimisht) dhe kishte të nxira në trup.

Babai 20-vjeçar i fëmijës, shtetas shqiptar, ka udhëtuar me foshnjën drejt Athinës, por pak më pas është arrestuar nga autoritetet. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, dhunë në familje, si dhe armëmbajtje dhe drogë.

E teksa babai mbahet në paraburgim në pranga ka përfunduar edhe nëna po 20 vjeçe e foshnjës. Mbi të gjithashtu rëndojnë akuza të njëjta, ndërsa nga kontrolli i policisë në shtëpinë e çiftit shqiptar në Aetos u zbulua një bimë kanabis, një pistoletë dhe gëzhoja arme.

Ndërkohë, foshnja vijon të mbetet e shtruar në spital me dëmtime të rënda në tru dhe mavijosje.

Prindërit e foshnjës 4 muajshe, e cila po lufton për t’u mbajtur gjallë, do të dalin sot para prokurorit të Qiparisisë, pasi në Spitalin e Kalamatës janë konstatuar shenja të forta abuzimi.