MENU
klinika

Analiza

Kërcënimet bërthamore të Putinit nuk mund të injorohen

27.09.2022 - 13:30

Tani kemi arritur në lumin e luftës në Ukrainë, për të cilën politikëbërësit perëndimorë kanë shpresuar dhe janë shqetësuar për shumë muaj.

Edhe kur morën vendimin për të furnizuar Ukrainën me raketat që ndryshuan rrjedhën e luftës, zyrtarët amerikanë ishin të vetëdijshëm për natyrën e dyfishtë të zgjedhjes së tyre.

Siç u shpreh njëri prej tyre në maj: “Sa më mirë të luftojnë ukrainasit, aq më e rrezikshme do të bëhet situata”.

Ai moment i mundësive të shtuara dhe rrezikut të shtuar, ka ardhur.

Pas një sërë humbjesh ruse, Vladimir Putin ka thirrur më shumë trupa dhe ka kërcënuar edhe një herë të përdorë armë bërthamore.

Shumë ekspertë perëndimorë mendojnë se Putini po bën bllofin. Por politikëbërësit janë më të kujdesshëm. Këtë fundjavë, Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan Joe Biden, përsëriti se paralajmërimet bërthamore të Kremlinit janë “një çështje që duhet ta marrim seriozisht”.

Ata që këmbëngulin se Putini po bën bllofin, argumentojnë se armët bërthamore do të ishin marrëzi.

Një sulm taktik bërthamor kundër Ukrainës do të kontaminonte rajonin që ai pretendon se po çliron – dhe me shumë mundësi vetë Rusinë.

Do të nxiste gjithashtu një hakmarrje nga NATO. Aq më tepër, nëse një anëtar i NATO-s sulmohej.

Por Putini është imoral dhe i pamatur. Përdorimi i një arme bërthamore nuk është qartë zgjedhja e tij e parë.

Por mund të jetë hedhja e tij e fundit e zareve – nëse alternativa do të ishte poshtërimi dhe humbja.

Në një situatë të dëshpëruar, Putini mund të shpresojë se përdorimi i armëve bërthamore do të ishte një tronditje aq e thellë për perëndimin, saqë do të detyronte bisedime dhe lëshime. Teoria se përdorimi i armëve bërthamore mund të detyrojë një armik të tërhiqet është pjesë e doktrinës ushtarake ruse dhe njihet si “përshkallëzimi për të de-përshkallëzuar”.

SHBA e ka paralajmëruar Putinin se përdorimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja “katastrofike” për Rusinë. Por në Rusi – ashtu si në perëndim – ka shumë që këmbëngulin se pala tjetër po bën bllofin.

Edhe ata politikëbërës perëndimorë që i marrin shumë seriozisht kërcënimet bërthamore të Putinit, mbeten të vendosur se Rusia nuk duhet të lejohet të përdorë shantazhin bërthamor për të detyruar t’i japë fund mbështetjes perëndimore për Ukrainën. Kjo i lë politikëbërësit të ecin në një litar të hollë të rrezikshëm.

Vështirësia me këtë politikë është se ajo përpiqet t’i përgjigjet pyetjes, si e shohim saktësisht përfundimin e kësaj lufte?

Në perëndim flitet shumë për nevojën e një disfate ruse. Por me këtë pak nënkuptojnë dorëzim pa kushte. Përkundrazi, lufta do të duhet të përfundojë me një paqe të negociuar, qoftë me regjimin e Putinit ose pasardhësin e tij.

Synimet e luftës së presidentit rus tashmë kanë ndryshuar shumë.

Ai filloi me objektivin për të rrëzuar qeverinë e Volodymyr Zelenskyy në Kiev – por tani e përcakton qëllimin si “çlirimin” e Donbasit.

Ndërkohë, qeveria ukrainase këmbëngul se Rusia duhet të dëbohet nga e gjithë toka e okupuar ukrainase.

Kjo përfshin pjesët e Donbasit që Rusia i kishte pushtuar tashmë përpara pushtimit të 24 shkurtit, si dhe Krimenë, e cila u aneksua në 2014.

Me avancimin e forcave ukrainase, Kievi gjithashtu nuk po nxiton të shkojë në tryezën e bisedimeve. Statusi heroik që gëzon aktualisht Zelenskyy – i kombinuar me neverinë ndaj Rusisë – e bën gjithashtu të vështirë për çdo qeveri perëndimore që të bëjë presion mbi Kievin për të negociuar tani.

A mundet Putini thjesht të largohet?

Ka shembuj të fuqive të mëdha që kanë pësuar humbje në luftë, pa përdorur armët e tyre bërthamore. Kjo ndodhi me tërheqjen amerikane nga Vietnami në 1973 dhe tërheqjen sovjetike nga Afganistani në 1988. Por në secilin rast SHBA dhe BRSS lanë pas regjime miqësore, megjithëse jetëshkurtra, në Saigon dhe Kabul.

Me luftën në Ukrainë që po shkon keq dhe rekrutët e mundshëm që i rezistojnë luftës, fantazma që ka filluar të ndjekë Rusinë është ajo e vitit 1917, kur disfata ushtarake çoi në revolucion. Por grushti i mëvonshëm bolshevik, lufta civile dhe diktatura staliniste nënvizojnë se trazirat e brendshme në Rusi sjellin rreziqet e veta.

Një paralele më e lumtur, jo-ruse mund të jetë Argjentina në vitin 1982, kur disfata në luftën e Falklands diskreditoi regjimin ushtarak që nisi pushtimin. Junta u shemb dhe demokracia u vendos. Por junta argjentinase ishte më pak e fuqishme se regjimi i Putinit dhe nuk kishte një opsion bërthamor.

Megjithatë, shumë në perëndim shpresojnë për ndonjë variant të rezultatit argjentinas – një humbje për Putinin, e ndjekur nga vendosja e një qeverie ruse më të  më të butë. Kjo do të ishte e mrekullueshme, pa dyshim.

Por të shpresosh për diçka nuk e bën më të mundshme. Dhe shumica e rezultateve alternative variojnë midis ‘të zymtë’ dhe ‘katastrofikë’.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al