MENU
klinika

Porto Palermo

Ktheni ploret o detarë… vargjet e humbura për Ali Pashën

27.09.2022 - 18:25

        Këto janë vargjet që i mungojne kështjellës së Porto Palermos. Ato ishin të gdhendura në hyrje të kështjellës, mbi portën kryesore. Autori i tyre është i panjohur, por mendohet se janë të shkruara ndoshta, nga Jani Vilarai, apo Psalidha në greqisht, për Ali Pashë Tepelenën dhe të sjella kaq bukur në shqip, nga mësuesi Jani Pali nga Qeparoi, në vitet ’30 – shkruan historiani Dorian Koçi.

Pas viteve ’90’, mbishkrimi u hoq dhe u rrëmbye nga njerëz të panjohur dhe tashmë ekziston vetëm si kujtesë epigrafike. Mbishkrimi është shkruar në gjuhën popullore greke (dhimotiki) dhe në vargun heksametër, një lloj si vargjet e poemave heroike homerike.

Në fillimin e shekullit të XIX, Ali Pasha Tepelena përfaqësonte një figurë të admirueshme për popullsinë e Pashallëkut të Janinës. Ajo që të bën përshtypje është krahasimi me Faethonin dhe Pirron. Vargu: “zili ma pat Faethoni dhe Pirrua nakar” i japin Aliut përmasa mitike.

Në pjesën e dytë të vargut të mësipërm e vazhdon himnizimin e Aliut, ku Pirrua do ta kishte zili po ta shihte këtë kala madhështore. Dhe së fundi, karakterizimi i këtij heroi, si bir i Athinasë dhe i ushqyer me instinktet luftarake të Arit (Marsit), shpreh faktin që Ali Pasha i takon jo vetëm historisë shqiptare, por edhe greke, si është e dëshmuar dhe nga shumë historianë të kohës, për admirimin që kishte popullsia greke ndaj Pashait tepelenas.

Vargu general Assirian ka mundësi të jetë një gabim përkthimi, pasi fjalët assirian dhe aσυγκρίσιμος (i pakrahasueshëm), ngjasojnë shumë  Gjatë gjithë jetës së tij, Ali pasha Tepelena nuk është krahasuar ndonjëherë me asirianët e lashtë dhe nëse do të bëhej fjalë për ndonjë epitet që i përkiste kulturës lindore, ai do të thirrej ndoshta si otoman.

Ktheni ploret o detarë, hyni në liman pa frikë,

Këtu në Panormë zhurma e stuhive është fikë

Dhe mua që më shihni në qiell të çaj rretë

Jam e fitores një trofe kështjelle që shkrep rrufetë

Nuset e Himariotëve më ngritën me kujdes

Armike për armiqtë, për miqtë besnike për besë!

zili ma pat Faethoni* dhe Pirrua nakar

i Tepelenës më sundoi hero Aliu i parë.

I plotfuqishem është zot në të Epirit vende

Dhe gjeneral Assirian/ i pakrahasueshëm me shpatë dhe me mënde

Plot pesedhjetë mijëra nën urdhëra ka ushtarë

Pa frikë dhe me plot guxim armiqve ju bën ballë.

Tash në Janinë prehet Luani i pa frikë

Prej Athinasë lindur dhe prej Marsit rritë.

 

 

* Përkthimi nga greqishtja në shqip, është i mësuesit të gjuhës shqipe: Janko Pali, nga Qeparoi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mit'hat Frashëri për bashkëkombasit

“Ali Pasha ka thënë: dy shqiptarë janë shumë!”

Profeti Muhamed për krishtërimin

“Askush prej myslimanëve nuk guxon”