MENU
klinika

Thuhet se djalli ishte i pari që bëri raki...

Maksim Gorki, pena e artë e realizmit socialist

27.09.2022 - 17:26

        I konsideruar në ditët e sotme themeluesi i realizmit socialist,  Maksim Gorki (1868-1936) e kaloi rininë mes varfërisë dhe aventurës, të karakterizuar nga humbje të rënda si vdekja e së ëmës, kur ishte ende fëmijë dhe ajo e gjyshes së dashur (me siguri, asaj i detyrohet dashurinë e madhe për përrallat e gojëdhënat) vetëm disa vite më vonë. Një humbje, që e drobiti kaq fort shkrimtarin e ardhshëm sa tentoi vetëvrasjen. Pikërisht pas këtij episodi tragjik, Gorki filloi udhëtimin e pafund nëpër Perandorinë Ruse. Përgjatë rrugëtimit, për pesë vite të pafundme, djali bëri gjithfarëlloj punësh: ndihmës në një varkë të Vollgës, bukëpjekës në një qytet të vogël, roje nate në një qytet të humbur. Kudo ai pa mjerim dhe vuajtje, kudo varfëri dhe zhgënjim. Shkrimet e tij u bënë kështu një pasqyrë besnike e këtij realiteti dramatik një hap larg revolucionit të madh, që pas disa dekadash do të pushtonte dinastinë shekullore Romanov. /Konica.al/Megjithatë, ndryshimi i vërtetë ndodhi në Moskë vetëm vite më vonë, në 1902, kur në një rrugë dytësore dhe të izoluar, Stanislavskij, një reformator i madh i teatrit rus, vendosi të vinte në skenë  “Fundërrinat”, një dramë e shkruar nga Gorki. Suksesi qe i papritur dhe i bujshëm; brenda natës autori e gjeti veten (siç e quante shumëkush) shkrimtari më i madh proletar në botë. Një sukses që sigurisht nuk i pëlqeu klasës sunduese, që e dënoi me dëbim në Krime. Kur u lirua, Gorki filloi të udhëtonte nëpër Evropë, duke qëndruar gjithashtu edhe në Capri, periudhë kur shkroi romanin “Nëna”, një nga kryeveprat e tij. Pas rënies së Perandorisë Cariste dhe ardhjes së komunizmit, autori gëzoi popullaritet të madh midis komandantëve të rinj. Megjithatë, shkrimtari dhe historiani Solzhenitsin e akuzoi jo vetëm për indiferencë ndaj të dëbuarve të shumtë në gulagët e Siberisë së largët, por se ishte edhe shkaku i pushkatimit të një të riu. Ngjarje të paqarta asnjëherë të plota, që vazhdojnë të mjegullojnë imazhin e shkrimtarit të madh edhe sot. Gorki vdiq më 18 qershor 1936 në Moskë. Që atëherë, thashetheme të shumta qarkullojnë për vdekjen e tij, duke transmetuar gjithashtu mundësinë (ndoshta, jo plotësisht të largët) të helmimit nga vetë Stalini. Penës së Maksim Gorkit i detyrohemi romanet, të cilat, në kapërcyellin e shekujve XIX dhe XX, i dhanë jetë dhe substancë realizmit socialist. Falë tij, të shtypurit, të varfrit, të shpronësuarit më në fund u bënë protagonistë, duke pretenduar për vete vëmendjen e botës, syrin dhe zemrën e një publiku, deri tani shumë të largët dhe të harruar./Konica.al

Russian writer Maxim Gorki (1868-1936) c. 1900. (Photo by APIC/Getty Images)

“Nëna”, botuar për herë të parë në vitin 1906, mbi të gjitha është historia e një emancipimi të vërtetë. Ndryshe mund ta quajmë edhe personale dhe sociale. Protagonistja e romanit të Gorkit është e veja, Pelageja Nilvona Vllasova, e cila pas vdekjes së të shoqit, një alkoolist i varfër pa zanat apo të ardhura, e gjen arsyen e shpengimit në besimin politik të djalit të saj, një punëtor i ri socialist. Ditë pas dite, shohim një ndërgjegjësim të ri dhe shkatërrues që rritet tek ajo. Ndërgjegjësim, që do ta bëjë atë të bëhet gradualisht aktiviste të lëvizjes, të bëhet në kohë nevoje nëna e të gjithë shoqëruesve të djalit të saj dhe, më në fund, të japë jetën që në trazirat e para, pararojë të revolucionit që pas pak vitesh do ta kishte magjepsur Rusia dhe dinastia shekullore Romanov.

“Historia e një njeriu të padobishëm”, romani i shkruar nga Maksim Gorki në vitin 1908, por i botuar vetëm në vitin 1913, sillet rreth veprimtarisë së spiunazhit në Rusinë cariste. Spiuni i parë që shfaqet në vepër është një librashitës i moshuar, që u shet fshehurazi pamflete propagandistike socialistëve dhe, më pas, i raporton në polici. Kur ai vdes, policia detyron djalin e tij të vogël të bëjë të njëjtën gjë. Edhe pse djali simpatizon revolucionarët, Klimkovi i ri dhe i dobët vazhdon lojën e dyfishtë, derisa, duke u përpjekur të hakmerret në sytë e shokëve të tij, tenton të vrasë shefin e policisë. Fatkeqësisht, ky gjest ekstrem sjell pasoja të trishtueshme. Në fakt, Klimkovit do t’i duhet vetëm t’i jap fund vetes.

“Armiqtë”, drama teatrale e vitit 1906, konsiderohet një nga shembujt e parë të atij realizmi socialist, babai i padiskutueshëm i të cilit ishte Gorki. I vendosur në një fabrikë në Rusinë pararevolucionare,  armiqtë  shohin përplasjen e vizioneve kundërshtare. Dëshira legjitime për shpengimin e klasave proletare, progresivizmi i disave dhe verbëria reaksionare e të tjerëve. Vepra, e mbajmë mend kalimthi, u vu në skenë në Moskë në vitin 1935.

Fraza të Maksim Gorkit

Kushdo që kupton gjithçka, është shumë i pakënaqur.

Me mendimet duhet të kesh pak respekt, sepse askush nuk e di se cilat janë të drejta dhe cilat jo. Nga të gjitha shakatë që fati bën për njeriun, nuk ka asnjë më të tmerrshme, se një dashuri e pashpërblyer.

Ka njerëz që nuk mund të kenë më asnjë rehati, përveç iluzionit.

Njerëzit kanë pak admirim, për madhështinë e mrekullueshme të qiejve.

Njerëzit janë mësuar të jetojnë, sikur Zoti t’i kishte vënë në tokë për të qesëndisur njëri-tjetrin.

Dashuria është një sëmundje e imagjinatës.

Njeriu nuk jeton nga mendimet, por nga një dëshirë që nuk meditohet.

Liria është një iluzion gënjeshtar.

Çdo njeri është shërbëtor i disa gjërave; djalli i ligësisë së tij dhe Zoti Perëndi, nëse ekziston, është djalli i veprave të tij, i pakuptueshëm për arsyen njerëzore. Kjo është ajo që unë mendoj për lirinë.

Secili është i shenjtë për veten e tij. Ja pra. Pikërisht kështu: çdo njeri le të jetë i shenjtë për veten e tij!

Çdo lypës e di se mburoja e vërtetë e jetës dhe mbrojtja e vërtetë e njeriut janë pasuria dhe prona.

Sa më shumë pasuri të grumbullohet, aq më shumë zilia rritet dhe përkeqësohet te meshkujt.

Thuhet se djalli ishte i pari që bëri raki. Për një vepër të mirë, “faleminderit” i thuhet edhe djallit.

Ndonjëherë, një gënjeshtër tregon atë që ndodh në shpirt më mirë se e vërteta./Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një vështrim i trashëgimisë së Ajnshtajnit

E shkuara dhe e ardhmja, një njohje më e plotë me aktorët kryesorë