MENU
klinika

Evropa e kombeve!

Meloni, vajza e vogël e bastionit të majtë…

26.09.2022 - 15:28

       Prej 40 vjetësh, Anna Maria Tortora i ka shitur fruta-perime klientëve të saj besnikë, në dyqanin e vogël në periferi të Romës. Ajo nuk do ta kishte imagjinuar kurrë, se vajza e vogël, që dikur mbante radhën, duke i shtrënguar fort, dorën gjyshit të saj, do të arrinte të fitonte zgjedhjet e përgjithshme në Itali.

“Ai ishte burrë i mrekullueshëm”, – thotë ajo, në një reportazh të BBC, për Giorgia Melonin, atë që mund të bëhet kryeministrja e parë e Italisë. “E donte shumë mbesën e tij”. Anna Maria është krenare për arritjen e Melonit. “E kam rritur unë, me fasulet e mia. Ushqehej mirë dhe u rrit mirë”.

Tregu “Garbatella” shërben si pikë grumbullimi për lagjen jugore të Romës, ku shumica e banorëve janë të klasës punëtore dhe tradicionalisht, zona ka qenë bastion i së majtës. “Ajo nuk përfaqëson këtë zonë, që historikisht ka qenë e kuqe”, – thotë Marta, një shitëse në treg. “Unë jam antifashiste e flaktë. Nëse merr detyrën, do të nisë një periudhë e shëmtuar”.

Etiketën e fashistes, Meloni e refuzon me forcë. Në disa dalje në media, ajo thotë se ideologjia i përket së shkuarës. Por e shkuara është pjesë e problemit, në një shtet si Italia, ku nuk ka ndodhur denazifikimi si në Gjermani.

Përtej Adriatikut, partitë fashiste janë lejuar të formohen dhe nga një prej tyre, Lëvizja Sociale Italiane, doli edhe Meloni. “Partia e saj, nuk është fashiste”, thotë për BBC, Gianluca Passarelli, profesor i shkencave politike në “La Sapienza”. “Fashizëm do të thotë që të marrësh pushtetin dhe të shkatërrosh sistemin. Ajo nuk do këtë dhe as nuk mund ta bëjë”.

E lindur në Romë, ajo ishte vetëm 4 vjeç kur babai i saj, Francesco, u largua në Ishujt Kanarie, duke e braktisur atë dhe të ëmën. i ati ishte me prirje të majta, e ëma, Anna, e djathtë. Shumë mendojnë se, pikërisht dëshira për t’u hakmarrë ndaj babait e bëri që të përqafonte idetë e ekstremit të djathtë. Pasi familja u transferua në Garbatella, për të qëndruar më pranë gjyshërve, në moshën 15-vjeçare iu bashkua Frontit Rinor, duke marrë më vonë drejtimin e organizatës.

“Meloni, nuk është rrezik për demokracinë, por për Bashkimin Europian”, – thotë Passarelli. “Ajo është në të njëjtën “skuadër” me Marine le Pen dhe Viktor Orban. Ajo dëshiron Europën e kombeve, ku praktikisht të gjithë janë më vete”.