MENU
klinika

Zhytësja profesioniste u mbyt në Sarandë

Mister shkaku që çoi në vdekjen e 29-vjeçares

21.09.2022 - 11:30

Edhe pse zhytëse profesioniste, një 29-vjeçare angleze humbi jetën në bregdetin e Sarandës. Sipas burimeve nga spitali lokal, e reja nga Britania e Madhe mbërriti pa shenja jete në spital.

Sipas vlerësimit paraprak mendohet se ajo mund të ketë pësuar një sulm paniku gjatë zhytjes që mund të ketë sjellë më pas atak kardiak.

Megjithatë, do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë saktë shkaqet e vdekjes, pasi në rastin e shtetasve të huaj, kjo ekspertizës bëhet në Tiranë. E reja ishte pjesë e një ekspedite në qytetin e Sarandës.

ARRESTIMI

Ngjarja e rëndë u regjistrua më 19 shtator në vendin e quajtur “Vapori i mbytur”, në atë që policia lokale tha se 29-vjeçarja me iniciale R.G, ishte mbytur aksidentalisht. Policia lokale tha se e reja ka qenë në një ekspeditë zhytje.

Ndërsa në njoftimin e parë e konsideronte ngjarjen aksidentale, mëngjesin e djeshëm policia e Vlorës tha se ka arrestuar në flagrancë një 45- vjeçar, duke e akuzuar atë për dy vepra penale.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 45 vjeç, banues në Sarandë, për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’ dhe ‘Punësimi i paligjshëm’, pasi ditën e djeshme, në vendin e quajtur ‘Vapori i mbytur’, gjatë ekspeditës së zhytjes, me përgjegjës këtë shtetas, është mbytur shtetasja angleze R. G., 29 vjeçe. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi S. K. e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes, në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje”, sqaroi Policia.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN