MENU
klinika

“Shqipëria dhe SHBA gabuan”

Nazarko: Marrëveshja e Abazoviçit me Gjukanoviçin garantonte kalimin në model të ri

14.09.2022 - 22:27

Në studion e ABC Live, me Sibora Bitrin, analisti Mentor Nazarko ka komentuar ndër të tjera, edhe zhvillimet në Malin e Zi.

Si i gjykoni zhvillimet e tanishme pas rënies së qeverisë se Abazoviç, ndërsaGjukanoviç ka akuzuar ish-kryeministrin Abazoviç, për marrëveshjen me Kishën Ortodokse të Serbisë, duke thënë se ky i fundit nuk u konsultua me publikun e gjerë…

Lidhur me këtë Nazarko tha:

Jo, nuk është ashtu. Abazoviçi shfrytëzoi me aftësi pragmatike të shquara momentin që u krijua, kur katër deputetët e tij, votat e tij ishin fondamentale, për t’i dhënë shumicën njërit krah apo tjetrit, pra pro serbëve dhe pro malazezëve. Ai shfrytëzoi jo vetëm aftësitë e tij por edhe mbështetjen amerikane. SHBA nëpërmjet Abazoviçit, me gojën e tij tentuan të siguronin një tranzicion të butë nga Gjukanoviç në një model tjetër qeverisës- sepse kemi një model jetëgjatë të presidentit të Malit të Zi, i cili prej 30 vitesh e dominon këtë vend- në një model tjetër qeverisjeje. Më pajtues.. Ky model i vjetër me gjithë të mirat e veta është model autokratik, model i konsumuar, mbështetur tek ndarja dhe konflikti. Kjo bashkëjetesë e dy liderëve nuk mundi të mbijetonte dhe mendoj që ky është edhe gabim i SHBA-së, edhe i Shqipërisë, e cila nuk u investua në mbijetesën e kësaj marrëdhënieje. Mbijetesa e kësaj aleance mund të siguronte kalimin nga Gjukanoviç, nga modeli i dikujt që themeloi apo po themelon kombin modern malazez, siguroi stabilittetin në momente të vështira, ruajti marrëdhëniet me Perëndimin, ama ishte model i mbështetur mbi konfliktualitetin, mbi ndarjen e shoqërisë, ndarjen e shtetit- në një model të ri, më plural, më pajtues, projektuar kah e ardhmja. Po ju jap disa shembuj.

Gjatë qeverisjes së tij, pjesa e atyre që deklarohen si serbë, është rritur nga 30% në 50%, numri i malazezëve që njohin Kishën serbe si të tyren, ka shkuar në 70% dhe ky numër ka prirje të rritet. Dhe ajo që bëri Abazoviçi me marrëveshjen për Kishën, që keqinterpretohet, anatemohet pa u lexuar fare në gjithë hapësirën shqiptare dhe ballkanike, ishte shkëputje nga një temë e të kaluarës. Ajo është në një marrëveshje e cila nuk ka asnjë problem nga ato që akuzohet prej atyre që e kanë lexuar. Marrëveshja dhe disa veprime të tjera proaktive të tij ishin fokusim tek një model i ri përbashkësues, pra kapërcim i ndarjeve të thella që po rriten edhe për shkak të dominimit të Gjukanoviç.

Për shkak të gabimit që bëri Perëndimi, duke mos e mbështetur këtë martesë, apo dhe Shqipëria gjithashtu që nuk u përfshi, si garante e kësaj martese, kemi rikthimin e zotit Gjukanovic, rikonfirmimin e tij apo rikandidimin e tij si president në zgjedhjet e 2023-shit, kemi shtimin e konfliktualitetit në zgjedhjet lokale, që do ndodhin në 23 tetor. Pra kemi shtimin e shanseve për destabilitet.

Unë e shihja këtë martesë si garante për kalimin në një model të ri dhe çështja e Kishës është përdorur si pretekst nga zoti Gjukanoviç, ndërsa arsyeja reale ishte goditja prej prokurorisë e njerëzve të lidhur me të. Mund të ishte zgjedhur një kohë tjetër për miratimin e Marrëveshjes me Kishën, por edhe koha që u zgjodh nuk ishte një kohë që provokoi ndarje apo destabilitet, sepse s’pati askënd që protestoi, me përjashtim të disa këshilltarëve të zotit Kurti, apo disa këshilltarëve të Gjukanoviç.” Asnjë reagim popullor, veçse ajo temë po risillet në skenë sërish për ndarje të opinionit në kuadër të zgjedhjeve lokale atje.

Për më shumë ndiqni intervistën! (Minuta 28:55)