MENU
klinika

Historia e portierit holandez

Nga debutimi 39 vjeç, tek ëndrra në Botëror 2022

27.09.2022 - 20:52

Asnjëherë nuk është vonë”. Kështu titullohej një nga emisionet që ka bërë historinë e televizionit në Itali. Por ky koncept vështirë se aplikohet në futboll, për më shumë akoma në futbollin modern të ditëve tona. Zakonisht, nëse një lojtar nuk shpërthen disa vite pas debutimit të tij, ai është i destinuar të harrohet.

Pa i vënë të tjera etiketime pezhorative si “dështak” e me radhë. Por historia ka treguar se ka dhe nga ata që shpërthejnë kur duhet të ishin bërë “gjyshër”. Futbolli italian na ka mësuar me disa si Luca Toni apo Fabio Grosso për shembull, të dy kampionë bote me Italinë në vitin 2006. Ata arritën majat kur nuk ishin më fëmijë.

Por në përgjithësi nuk pritet që një lojtar pasi të ketë kaluar të tridhjetat të kthehet në një “yll”. Mendoni pak sikur të flasim për një lojtar që arrin 39 vjeç! Ky është rasti i portierit të Holandës, Remko Pasver.

DEBUTIMI – Remko Pasver ka lindur më 8 nëntor 1983 dhe me shumë gjasa do të festojë 39-vjetorin, si pjesë e delegacionit të kombëtares holandeze për në kampionatin botëror në Katar. Madje, ai pritat të jetë protagonist në fushë.

Portieri i Ajax ka përfunduar së fundmi në kombëtaren e Holandës, duke bërë debutimin me “Oranje” në moshën 38 vjeç e 11 muaj, në takimin e javës së kaluar në Ligën e Kombeve përballë Polonisë.

Madje, ai ishte në fushë edhe në përballjen e së dielës kundër Belgjikës. Ai ka bërë një paraqitje mjaft të mirë, duke fituar besimin e trajnerit Luis Van Gaal.

“Gjenerali” ka vendosur ta marrë me vete në Katar, për më tepër në Holandë thuhet se i ka vendosur pse jo t’i bëjë një vend në formacionin titullar. E të mendosh që Pasver ishte një i panjohur vetëm një muaj më parë, që kishte mbërritur tek Ajaksi pas një karriere jo fort mbresëlënëse.

NGJITJA TEK AJAX – Nga një portier i tretë tek Ajax, ai duket se ka pasur të gjithë fatin në krah të tij. Fillimisht nga Ajax u largua Onana, i pezulluar për doping, e më pas me transferimin tek Interi. Pas Onanës, në portë ishte Marten Stekelenburg, me ish-romanistin që u dëmtua, duke e detyruar trajnerin e Ajax t’ia besojë vendin e titullarit, Pasverit. Shifrat thonë: një gol i pësuar në 12 takime si titullar.

Me një garanci në portë Ajax hoqi dorë nga të kërkuarit e një portieri titullar, i cili jo vetëm bindi drejtuesit, por edhe trajnerin e Holandës, Luis Van Gaal. Ai u bë një nga lojtarët më të moshuar që ka luajtur me Holandën dhe tani nuk i mbetet gjë tjetër veç të shkruajë historinë në Katar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN