MENU
klinika

Sulmet kibernetike

Pas Shqipërisë, Kosova dhe Maqedonia kthehen në shënjestër

11.09.2022 - 12:56

Shqipëria është kthyer edhe një herë në qendër të sulmeve kibernetike, ndërsa lajmi është bërë i ditur mëngjesin e djeshëm nga kryeministri Rama. Objekt i sulmit të radhës ka qenë sistemi TIMS, ndërsa gazetarja Klodiana Lala ka raportuar më parë se sulmi është kryer nga Rinasi dhe se dyshohet që shumë nga të dhënat e sistemit tashmë janë marrë. Kryeministri Rama deklaroi se sulmi dyshohet se ka ardhur sërish nga Irani, vend me të cilin Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike pak ditë më parë.

Ndërkohë sulmeve kibernetike nuk i ka shpëtuar as Kosova. Mediat kosovare raportojnë se pas sulmeve kibernetike ndaj mediave, bizneseve dhe institucioneve në Kosovës, sot duket se janë sulmuar ueb-faqet e Policisë së Kosovës, sistemit prokurorial e gjyqësor.

Edhe Maqedonia e Veriut ka raportuar për një sulm kibernetik të ndodhur në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sulm i cili ka ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Agjencia e lajmeve REL ka raportuar se prej disa orësh në faqen e kësaj ministrie shihet mesazhi, “Hakuar nga ekipi grek i hakerëve Netwatchers” ndërsa në rast të klikimit në faqe paraqitet një video në YouTube me titullin “Maqedonia e famshme”.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kanë thënë se nuk ka vend për shqetësim lidhur me pohimet për shkarkimin e supozuar të të dhënave të qytetarëve, sepse faqja e internetit nuk ka baza të tillë të të dhënave.

“Ministria e Arsimit është në komunikim me Qendrën Kombëtare për sulme kompjuterike pranë Agjencisë së Komunikimeve Elektronike, ku është raportuar rasti, dhe nga ku presim që në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, të ndërmerren veprime konkrete për zbulimin e burimit të sulmit”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Sulmi kibernetik ndaj faqes së internetit të Ministrisë së Arsimit, ka ardhur pasi të enjten një grup tjetër hakerësh në platformën sociale Twitter, ka kërcënuar se do të sulmojë këtë faqe dhe t’i shkarkojë të dhënat që janë në të, nëse nuk i vendoset flamuri bullgar.

Sulme kibernetike ndaj institucioneve të Maqedonisë së Veriut kanë ndodhur edhe vitin 2021 kur është sulmuar faqja e internetit e Entit Shtetëror të Statistikave.

Në shënjestër të sulmit ka qenë sistemi i regjistrimit të popullsisë.

Për sulme kibernetike ditëve të fundit ka raportuar edhe Mali i Zi.