MENU
klinika

Artur Ajazi

PD, si partia e Leninit

27.09.2022 - 13:17

Ndoshta edhe vetë V.I.Lenini, do ta kishte zili formën dhe mënyrën se si Sali Berisha dhe Partia e tij Demokratike, kërkojnë sot pushtetin dhe rrëzimin e “regjimit Rama”. Dhuna, greva, demonstrada, protestat, hunjtë, sfurqet, mosbindja civile apo dhe sabotimet, janë forma leniniste të cilat u përdorën nga bolshevikët 110 vjet më parë për të rrëzuar regjimin e atjeshëm perandorak. Sot Shqipëria është në demokraci, jeton e lirë, e pavarur, e mirëmenaxhuar nga qeverisja e saj legjitime, e ndërtuar dhe investuar politikisht dhe financiarisht nga KiE, BE, NATO, dhe organizma të tjera ndërkombëtare, të cilat ndihmojnë dhe respektojnë rolin dhe vendimarrjet e saj. Politika e sot në Shqipëri, ka pësuar rinovime të jashtëzakonshme, falë reformave të zbatuara.Eshtë bërë më europianiste, më perëndimore, por natyrisht një pjesë e saj, që fatkeqësisht e quan vehten e “djathtë”, ka mbetur mbrapa. Ajo pjesë e vjetëruar e politikës shqiptare, e kapur dhe mbajtur peng nga njeriu i dy partive, ish-PPSH dhe PDSH, sot lëngon, dhe nuk përparon.

Berisha po e shkatërron nga themelet partinë e mbajtur peng. Ai ka instaluar ideologjinë e dhunës, dhe drejton me mentalitetin e përmbysjes me revolucion dhe jo me votën e lirë. Partia e tij, është si partia e Leninit, por në kohë dhe kushte të tjera. Nuk mund të kërkosh “përmbysje regjimi”, kur qeveria ka dalë nga vota e lirë, nuk mund të kërkosh marrje pushteti me greva, protesta dhe demonstrada, kur partia që ka pushtetin ka fituar shumicën qeverisëse me votën e lirë të shumicës së shqiptarëve. Nxitimi i Sali Berishës, “për të mos humbur asnjë ditë kohë për rrëzimin e Ramës”, e ka burimin tek frika, ankthi, mungesa e mbështetjes, apo dhe ideologjizimi i sakatepsur i shumicës së atyre që mban pas vehtes. Shpura e Berishës, së fundi ka marrë urdhër të dalë në rrethe, të zbresë në terren, të takohet me bazën, për ti mobilizuar ata të ngrihen kundër qeverisjes Rama. Ndërsimi i turmave, ka qenë dhe mbetet refreni i çdo fjalimi të Berishës prej 30 vitesh.

Ai kërkon protesta, por nuk i mblidhen aq sa mendon, ai kërkon greva, por nuk i binden më, kërkon demonstrada, por edhe kjo formë dhune, nuk i ka dhënë rezultate. Thjesht, ai mbahet në seli nga një grusht njerëzish fanatikë, që u ka bërë ndere, që i ka bërë me pasuri marramendëse kur ishte në pushtet, duke i mbajtur me gajret ata se “shumë shpejt do të fitojmë mbi Edi Ramën”. Sali Berisha nuk po e kupton se, duke ngulur këmbë në rrëzimin e Ramës, po i shton atij vota nga e djathta. Nuk po e kupton se, duke kërkuar me ‘xhaketat e vjetra” protestat dhe grevat, po i largon edhe ata demokratë që i kanë mbetur akoma si mbështetës të dikurshëm. Dhe kjo për faktin sepse, kanë akoma në mëndjet e tyre, imaxhin e qeverisjes skandaloze nga 2005 deri 2013. Kanë akoma para syve, imazhin e korrupsionit të ish-ministrave dhe ish-zyrtarëve të tij, nga Tirana në rrethe, që zhvatën e vodhën, pasuritë e këtij vendi sikur të ishin në pronat e tyre. Ndaj, partia e tij, ngjet si partia e Leninit, ku natyrisht edhe në rolin e Carit të Rusisë këtu,(me pushtet të përjetshëm) është Berisha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN