Nga Amy Kazmin “Financial Times”
Në fotot e shpërndara në mediat sociale, ata duken si një çift që po pushon i lumtur në plazh. Krahu i është i pozicionuar në mënyrë mbrojtëse rreth shpatullave të saj, ndërsa ajo pozon me kokën e përkulur drejt gjoksit tij. Por Matteo Salvini dhe Giorgia Meloni nuk kanë asnjë lloj lidhje intime midis tyre.
Dy liderët e krahut të djathtë janë në fakt “armiqtë” më të mëdhenj në politikën italiane, të cilat po punojnë aktualisht bashkë në funksion të synimit të përbashkët për t’u ngjitur në pushtet në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në vend në fund të këtij muaji.
“Ne ia kemi lënë së majtës zemërimin dhe polemikat e ndarjeve. Të bashkuar fitojmë!”- shkruan Salvini në Twitter duke ndarë foton me Georgia Meloni. Sondazhet tregojnë se koalicioni midis partisë Fratelli D’Italia (Vëllezërit Italianë) të Melonit, që ka rrënjë fashiste, LEGA-s së ekstremit të djathtë të Salvinit, dhe partisë Forza Italia të qendrës së djathtë të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, ka të gjitha gjasat të arrijë një fitore përkundrejt një opozite të fragmentuar, të përfaqësuar nga partitë e majta.
Por marrëdhënia e tensionuar mes Melonit dhe Salvinit, nënkupton se stabiliteti dhe koherenca qeveritare nuk janë aspak të garantuara. Ndonëse që të dy po bëjnë aktualisht gjithçka për të projektuar një front të bashkuar, shumë analistë kanë filluar të paralajmërojnë që tani për turbulencat që mund të shfaqen shumë shpejt pas formimit të qeverisë së re, raporton abcnews.al.
“Nuk do të ketë një përplasje gjithëpërfshirëse si Lufta e Trëndafilave midis LEGA-s dhe Fratelli D’Italia. Por do të jetë një konflikt që mund të sjellë prishjen e shpejtë të koalicionit”- thotë Roberto D’Alimonte, profesor i shkencave politike në “Luiss University” në Romë.
“Ata po rivalizojnë njeri-tjetrin edhe tani, ndërsa do të konkurrojnë edhe më shumë pas zgjedhjeve”- shton ai. Dy udhëheqësit kanë përjetuar ndryshime dramatike në karrierën e tyre politike vitet e fundit. Popullariteti i Melonit është rritur në kurriz të Salvinit.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018, partia e Melonit fitoi vetëm 4.3 për qind të votave, ndërsa LEGA mori 17.6 për qind, e dyta pas Lëvizjes Pesë Yjet që ishte kundër establishmenti politik në vend. Popullariteti i Salvinit vazhdoi të rritej edhe gjatë vitit 2019, kur LEGA mori 34.4 për qind të votave në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, rezultati më i lartë në krahasim me çdo parti tjetër italiane.
Por lojërat e tij politike për të detyruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duke u tërhequr nga koalicioni i tij qeverisës me Pesë Yjet, ishin një bumerang për të. Në vend të kësaj, u formua një koalicion i ri qeverisës pa të. Ndërkohë, vendimi i Melonit për të qëndruar jashtë qeverisë së unitetit kombëtar të drejtuar nga kryeministri Mario Draghi, e formuar në fillim të vitit të kaluar, i dha asaj mundësinë e monopolizimit të hapësirës opozitare, duke e rritur në mënyrë dramatike peshën e saj elektorale.
Tani sondazhet tregojnë se Vëllezërit Italianë mbështeten nga 25 për qind e votuesve italianë, ndërsa vetëm 13 për qind preferojnë LEGA-n. Megjithëse liderët e krahut të djathtë ranë dakord që partia më e madhe në bllokun e tyre do të ketë të drejtë të propozojë kryeministrin, Salvini po bën fushatë me logon “Salvini kryeministër!”, dhe mund të mos pajtohet lehtësisht me statusin e tij si një partner i vogël në një qeveri të udhëhequr nga Meloni.
“Dy vjet më parë, Meloni ishte askushi dhe Salvini ishte në majën e politikës italiane. Tani rrota e fatit është kthyer. Ndaj Salvini nuk mund të jetë shumë i kënaqur”- thotë D’Alimonte. Por rivaliteti personal nuk do të jetë problemi i vetëm që do të shkatërrojë koalicionin e ri qeverisës.
Dallimet politike janë gjithashtu gjithnjë e më të dukshme. Meloni, që e ka kritikuar që në fillim pushtimin e Ukrainës nga Rusia, ka shprehur mbështetjen e saj për masat ndëshkuese të NATO-s dhe Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Nga ana tjetër Salvini, i cili nuk e ka fshehur admirimin e tij për Putinin, po ankohet gjithnjë e më shpesh për kostot sociale dhe ekonomike që po përjetojnë italianët për shkak të sanksioneve perëndimore, një linjë që Kremlini ka bërë çdo gjë për ta përforcuar.
Një pikë tjetër që gjeneron përplasje është disiplina fiskale. Teksa italianët janë gjithnjë e më të shqetësuar nga rritja e çmimeve të energjisë, Salvini ka kërkuar që qeveria e përkohshme e Mario Draghit të kërkojë huamarrje publike shtesë, në nivelin rreth 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për të financuar masat e reja në mbrojtje të konsumatorëve.
Megjithatë, Georgia Meloni ka kërkuar kujdes dhe maturi në lidhje me menaxhimin e borxhit të madh publik të Italisë. Mosmarrëveshje të tilla ka të ngjarë të bëhen më të dukshme kur një administratë e re përballet me sfidat e rënda ekonomike dhe gjeostrategjike të Italisë, duke çuar në paqëndrueshmëri të mëdha brenda koalicionit.
Daniele Albertazzi, profesor i shkencave politike në Surrey University, parashikon se duke u përballur me një krizë ekzistenciale për të ardhmen e tij, Salvini do të kërkojë të shfrytëzojë çdo rast për të rrëzuar qeverinë e re, për të forcuar pozicionin e tij, në një kohë që do të përpiqet të ngjallë pakënaqësi ndaj Melonit.
“Unë nuk mendoj se ai mund ta lejojë Georgia Meloni që të luajë rolin e lideres së suksesshme të krahut të djathtë. Ai do t’ia prishë festën. Salvini do të përpiqet të tregojë se ai nuk është vasali i askujt në politikën italiane”- thotë Albertazzi.