MENU
klinika

Rudina Hajdari: Vendimet e Bashës mbajnë erë

Pse u veprua kundër SHBA? ‘Dora’ ruse në PD

23.09.2022 - 21:11

Rudina Hajdari anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, në një intervistë për Ora News tha se vendimet e marra nga PD gjatë periudhës ku në krye të partisë ishte Lulzim Basha mbajnë erë.

Sipas saj djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale sollën gjendjen në të cilën është sot PD.

Rudina Hajdari: Opozita nën lidershipin e Bashës ka pasur mungesë të një lidershipi në dobi të demokratëve dhe të Shqipërisë. Djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale sollën gjendjen në të cilën jemi sot. Këto të dyja ishin vendime të rënda dhe po vuajmë ende pasojat sot.  Kur shikoj VOA dhe BBC që thotë se PD ka pasur financa brenda PD dua të besoj të mos jenë të vërteta. Nuk mund ta këtë PD këtë lloj damke.

Sipas Hajdarit përgjegjësitë për financimin rus janë individuale.

Rudina Hajdari: Duhet të hetohet dhe të dënohet penalisht jo vetëm politikisht ai që ka qenë i përfshirë. Pse u dogjën mandatet kur SHBA s’ishte kundër, pse u bojkotuan zgjedhjet lokale kur SHBA ishte kundër. Këto vendime mbajnë erë. Diçka ka bërë në këmbim të financave që ka marrë. Kjo nuk mund të jetë në barrën e demokratëve.  Unë mund të aludoj që në shkëmbim të takimit me presidentin amerikan, me paratë vendimet që janë marrë nga Basha janë marrë në kuadër të kësaj marrëveshje.

Sakaq ajo thotë se pavarësisht asaj për të cilën flitet dhe mundësisë që eksponent të PD të kenë marrë para ruse SHBA e duan PD.

Rudina Hajdari: SHBA e duan PD. Kanë pasur marrëdhënia ekselente me PD dhe do të vazhdojnë ti kenë. Gjatë qeverisjes së PD, SHBA ka ndihmuar Shqipërinë për shumë projekte. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me SHBA. Në PD respektoj zotin Basha si deputet dhe zotin Berisha të votuar nga demokratët dhe anëtarësia. Në të ardhmen PD të ketë dhe një lidership të ri. Kemi një statut që thotë, nëse humb në zgjedhjet lokale kryetari i PD duhet të konfirmohet, nëse humb në zgjedhjet parlamentare të hiqet.