MENU
klinika

Lufta po merr rrjedhë tjetër...

Referendumi rus në Ukrainë, ushtarët shkojnë derë më derë

24.09.2022 - 10:59

Ukrainasit kanë raportuar se ushtarë të armatosur rusë shkojnë derë më derë në pjesët e pushtuara të Ukrainës për të mbledhur vota për “referendume”, që siç i ka quajtur Putin, për t’u bashkuar me Rusinë.

“Duhet të përgjigjeni verbalisht dhe ushtari e shënon përgjigjen në fletë dhe e mban atë”, tha një grua në Enerhodar për BBC.

Në Kherson jugor, gardistët rusë qëndruan me një kuti votimi në mes të qytetit për të mbledhur votat e njerëzve. Media shtetërore ruse thotë se votimi derë më derë është për “siguri” . Një grua në Melitopol tha për BBC se dy “bashkëpunëtorë” vendas mbërritën me dy ushtarë rusë në banesën e prindërve të saj, për t’u dhënë atyre një fletë votimi për ta nënshkruar.

“Babai im tha ‘jo’ [për t’iu bashkuar Rusisë],” tha gruaja. “Mamaja ime qëndroi afër dhe pyeti se çfarë do të ndodhte nëse thoshin “jo”. Ata thanë: “Asgjë”. “Mamaja tani është e shqetësuar se rusët do t’i persekutojnë.”

Ajo tha gjithashtu se kishte një fletë votimi për të gjithë familjen, dhe jo për person. Por, prania e ushtarëve të armatosur që kryejnë votimin bie ndesh me këmbënguljen e Moskës se ky është një proces i lirë ose i drejtë.

Ekspertët thonë se ‘referendumet’ që do të zhvillohen për pesë ditë, do t’i lejojnë Rusisë të pretendojë – në mënyrë të paligjshme se katër rajone të pushtuara ose pjesërisht të pushtuara të Ukrainës, i janë bashkuar Rusisë. Pra, një votim i rremë për aneksimin, shtatë muaj pas pushtimit të Rusisë.

“Aneksimi” nuk do të njihet ndërkombëtarisht, por mund të çojë në pretendimin e Rusisë se territori i saj është nën sulm nga armët perëndimore që i janë dhënë Ukrainës, gjë që mund të përshkallëzojë më tej luftën.