Kjo javë pritet të jetë me mot të paqëndrueshëm. Meteorologia Lajda Porja nga “Meteoalb” në një lidhje direkte për Klan News tha se pritet që kjo javë do të jetë me mot të ngrohtë, por të lagësht pasi pritet që të kemi reshje në të gjithë territorin.
Lajda Porja: Reshjet kanë filluar në zonat veriore. Pritet që nga ora në orë, reshjet të përfshijnë të gjithë territorin. Dita e sotme dhe nesërmja do të kenë stuhi të forta era, reshje të konsiderueshme shiu ku herë pas here do të jenë rrebeshe në pjesën më të madhe të territorit duke krijuar përmbytje në shumë qytete të Ultësirës Perëndimore, Shkodra, Lezha, Tirana, Durrësi. Pritet që sot pasdite të kemi zhvillim të reshjeve dhe në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës.
Do të ketë nga 70 deri në 120 milimetra shi përgjatë këtij episodi, pra ditën e hënë dhe të martë. Ka një përmirësim të dukshëm ditën e mërkurë ku reshjet do të jenë në sasi të pakta, megjithatë presim që të kemi sërish ditën e enjte.
E gjithë kjo javë, duke filluar që nga sot deri në fundjavë do të jetë e paqëndrueshme, e ngrohtë, por e lagësht. Ka një shkëputje ditën e premte, por sërish dita e shtunë do të sjellë reshje në zonat veriore.
Meteorologia Porja u shpreh se këtë radhë edhe qytete si Shkodra apo Lezha rrezikohen të përmbyten teksa shtoi se Tropoja rrezikon që të ketë edhe rëshqitje dherash.
Lajda Porja: Edhe Tropoja mbetet e rrezikuar pasi ky sistem është i fokusuar në veri dhe në qendër, thjeshtë ky rast do të zgjerojë më shumë hartën e përmbytjeve për shkak se Shkodra dhe Lezha që nuk patën probleme gjatë episodit të shkuar, do të kenë probleme gjatë këtij episodi pasi reshjet jo vetëm që do të jenë me intensitet, pror dhe do të qëndrojnë dhe më gjatë në krahasim me radhën e shkuar. Padiskutim do të ketë dhe Tropoja probleme, ndoshta dhe në rrëshqitjen e dherave.
Porja shtoi se gjatë javës do të fillojnë stuhitë e forta dhe do të ketë momente kur era do të jetë 70-75 km/orë.
Lajda Porja: Do të fillojnë stuhitë e forta të erës duke filluar që sot jo vetëm në brigjet detare, por edhe në tokë, madje do të ketë momente kur era do të jetë 70-75 km/orë.