MENU
klinika

Mësuesja amerikane takon mbretin

Shqipëria si në përralla dhe dasmat me zakone të çuditshme

13.09.2022 - 11:48

        Nga: Aurenc Bebja*, Francë

“New Castle News” ka botuar, të mërkurën e 2 korrikut 1930, në faqen n°32, rrëfimin nga Anna Cattell, mësueses amerikane në shkollën e vetme për vajza në Shqipëri, në lidhje me mbresat mbi takimin me mbretin Zog dhe zakonet e dasmave shqiptare, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar:


Mësuesja amerikane zbulon Shqipërinë Graustarke moderne

Nga Sally Frank

Korrespondente special e Shërbimit Ndërkombëtar të Lajmeve

Los Anxhelos – Kaliforni, 2 qershor – Historitë e përrallave të Graustarkut (referencë për librin “Graustark : The Story of a Love Behind a Throne”) u zbehën në të parëndësishme përballë atyre të vërtetave, të rrëfyera nga zonjusha Anna Cattell, mësuese nga Los Anxhelosi në shkollën shqiptare – Graustarku i sotëm.

 

“Shqiptar” është emri i vendit, që bota e njeh si “Albania”.

Imagjinoni një mbretëri rreth dyfishin e madhësisë së Nju Xhersit, pa hekurudha apo rrjet kanalizimesh modern.

Kjo ishte fotografia që pa zonjusha Cattell teksa doli në breg të Durrësit, porti detar i Shqipërisë.

Zonjusha Cattell pranoi një ofertë, për të dhënë mësim në të vetmen shkollë për vajza në monarkinë e vogël.

“Ajo botë e çuditshme, më pushtoi më në fund,” tha zonjusha Cattell.

“Ishte kënaqësi në fillim. Gjithçka ishte kaq ndryshe — kaq joreale; Rojet me uniforma të librit me tregime më shoqëronin kudo që shkoja, për të më mbrojtur nga banditët — ose më keq — nga ujqërit e malit. Ndonjëherë, pyesja veten nëse nuk ishte e gjitha një ëndërr.”

“Zgjimi im erdhi në ditën e prezantimit tim te mbreti. Imagjinoni pozitën time, kur më duhej të shkoja në pallat, e veshur e gjitha me rrobat më të mira, në mjetin e vetëm transportues të shkollës, një kamion të vjetër mallrash.”

Pasi përshkoi një lumë me rrjedhje të shpejtë dhe udhëtoi shumë kilometra rrugë malore gjithë kthesa me kamionin, zonjusha Cattell nuk kishte dëshirë të takonte askënd, e lëre më një mbret, – tha ajo.

“Por, kur u gjenda në praninë e mbretit Zog I i Shqipërisë, i harrova menjëherë vështirësitë dhe u qetësova plotësisht. Sepse, Zogu, i lindur si i zakonshëm, është nga koka te këmbët mbret.

“Zogu shërbeu si president i Shqipërisë, pasi vendi u çlirua nga 500 vjet sundim turk, nga lufta ballkanike në 1912.”

“Më pas, për shkak të popullaritetit të tij universal, ai më vonë u kurorëzua mbret, gjatë restaurimit të monarkisë.”

Mbreti dëshiron të fusë zakonet perëndimore në vendin e tij. Ai është përgjegjës për themelimin e shkollës ku ajo (zonjusha Cattell) dha mësim dhe ku katër motrat e tij të pamartuara dhe dy mbesat ishin nxënëse.

Zogu, po përpiqet të heqë edhe ferexhenë. — deklaroi zonjusha Cattell. Në Shqipëri, të rejat e pamartuara mbajnë çarçaf të bardhë, duke lënë të hapur vetëm sytë. Gratë e martuara, veshin ferexhenë që u mbulon të gjithë fytyrën.

Ky është një zakon që u shfaq në Shqipëri, gjatë 500 viteve të sundimit turk dhe për ta dekurajuar atë, mbreti nuk e lejon nënën, motrat ose asnjë anëtare femër të oborrit, në asnjë moment të vishet me ferexhe.

“Martesa është e rëndësishme në Shqipëri, ashtu siç është në Amerikë”, – tha Zonja Cattell, “Të gjitha martesat rregullohen nga nënat dhe shumë shpesh, çifti i lidhur e sheh njëri-tjetrin, vetëm një ose dy herë para ceremonisë.”

“Vajzat, zakonisht martohen sipas radhës — më e madhja, e para dhe më e reja, e fundit. Nëse vajza e madhe nuk dëshiron të martohet, motra e saj më e vogël duhet të marrë leje nga vajza e madhe, përpara se të martohet.”

“Më pëlqen një vajzë amerikane, që pret të vendosë të martohet.”

“Dasmat shqiptare bëhen gjithmonë të dielën dhe festimet, zakonisht fillojnë rreth një javë para dasmës. Të shtunën, gratë e ftuara e veshin nusen me rroba të vjetra dhe i lyejnë fytyrën, për ta bërë atë sa më të frikshme. Në mesnatë, ajo duhet të shkojë e vetme në një pus të vjetër dhe atje, për të pritur fatin e saj.”

“I ftuari organizon një sërë marifetesh, për të luajtur njërin prej tyre, njërin kur shkon atje dhe e gjithë performanca është mjaft e mundimshme për vajzën.”

“Pastaj, të dielën, ajo vesh fustanin e nusërisë, që është i qëndisur në mënyrë të mrekullueshme dhe nusen e çojnë me sy të lidhur nëpër rrugë, deri në kishë”.

Shqiptarët kanë një pikëpamje mjaft cinike për dashurinë dhe martesën, pasi zonjusha Cattell thotë, se asnjë pajë nusesh nuk është e plotë, pa një mëndafsh të hollë të bardhë, për tu mbështjellë ajo dhe burrin, në momentin e vdekjes.

“Me sa duket, ata mendojnë se martesa është fillimi i fundit,” – tha zonjusha Cattell.

 

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania