Është i njohur për rolin e tij si Edi Rama në “Portokalli”, por aktori Florjan Binaj është një ndër personazhet publikë që nuk i kursen kritikat ndaj qeverisë.
I ftuar në një intervistë në “A Show”, aktori ka deklaruar se merrte shpesh komente madje edhe kritika për përfshirjen e politikës në rolet e tij në emisionet e humorit. Në përgjigje të tyre, Binaj tha se qeveria po i vjedh shqiptarët me faturat e kripura dhe nuk ofron shërbime.
“Është gjithmonë një grup njerëzish që thonë “ç’punë ke ti me politikën, merru me humorin.” Dhe gjithmonë nuk kam përtuar t’ju kthej përgjigje se: “Nëse qeveria mua më vjedh me fatura, më vjedh me këtë e atë, nuk më shërben, pse të mos merrem me qeverinë”. Sepse nëse unë hesht, i bie që e pranoj. E ke dëgjuar shprehjen e qeveritarëve që “ne do të mbështesim”, atyre që iu rrinë pas. Unë kam vendosur t’i rri përballë qeverisë dhe t’ia them në sy, sepse ai që ta thotë në sy të do. Sepse unë e dua këtë vend.”-tha Binaj.
Gjatë intervistës aktori u shpreh gjithashtu se shqiptarët po largohen masivisht nga vendi, jo për një jetë më të mirë, por për një jetë normale. Binaj tregoi edhe rastet e miqve të tij, që janë larguar jashtë Shqipërisë, duke theksuar që ajo që fitojnë këtu nuk ka asnjë vlerë.
“Fatkeqësisht jetojmë në një vend ku ata që kanë jetuar jashtë nuk e gjejnë veten të rikthehen prapë këtu. Ata që janë këtu nuk e gjejnë prapë veten këtu. Pra ikin të dyja palët. Ata që jetojnë këtu e kanë shumë të vështirë, janë si ata të cirkut që kanë 100 pjata duhet t’i mbajnë të gjitha duke u rrotulluar. Publiku që në këtë rast është politika, pret që të bjerë një pjatë, të bjerë një tjetër pra që të kapin gafil.”- tha Florjan Binaj.
Por a ka menduar ndonjëherë ai vetë të largohet nga Shqipëria?
“Kush tha që jo. E kam menduar disa herë, e kam pasur një mundësi në vitin 2004, fitova të drejtën e studimit në një Universitet italian, bëra provimin e gjuhës dhe e fitova. Por në atë kohë sa kisha filluar në “Portokalli” dhe bëra disa llogaritje dhe vendosa të rri. Ne të gjithë kemi miq e shokë që po ikin çdo vit mua më ikin 3-4 shokë, dhe nuk është se janë në punë të këqija dhe fitojnë pak. Por është ajo që… ajo që fitojnë këtu nuk ka më vlerë mbrapa, ajo që iu mësojnë fëmijëve nuk është i njëjti rregull që funskionon jashtë. Më së shumti ikin për fëmijët. Nuk është se fitojnë më shumë, por ndihen të vlerësuar. Ato lekë që iu marrin nuk i zë gjumi vonë pse nuk iu kthehet shërbimi”- shprehu aktori.
Në një analizë të shkurtër që bëri për kryeministrin Edi Rama, Florjan Binaj bëri një paralelizëm me “Edi Ramën e Portokallisë.” Kështu ai tha se kur Rama ishte në opozitë publiku duartrokiste por pasi u bë kryeministër publiku mezi priste që dikush të bënte një batutë “që t’ja zhyste.”
“Unë vë re atë zbulimin shkencor që syri sheh atë që do mendja. Dhe syri i tij sheh atë që do mendja e atij por që jo domosdoshmërisht është ajo që ne të gjithë shohim ndjejmë dhe prekim. Syri vetëm sheh, nuk prek, nuk nuhat, nuk shijon. Di të them që e gjithë qeveria, prandaj qeveria shqiptare zgjat jo më shumë se 8 vjet sepse të gjithë e humbin sensin me realitetit. Po të shohësh videot ku bëja kryeministrin Rama para se të fitonte zgjedhjet njerëzit duartrokisnin e ngriheshin në këmbë sepse të gjithë shpresonin që ky do na shpëtojë. Erdhi dhe ajo që vura re ishte që kur dilja unë njerëzit mezi prisnin që dikush të bënte një batutë të ma zhyste mua”– tha Binaj në analizën e tij.
Duke lidhur emisionin e tij të ri investigativ me “Piranjat” në vendin tonë, aktori tha: “Ky vend ka shumë prianja të mira dhe të këqija. Siç ka njerëz të mirë dhe të këqinj. Ne kemi piranjat e mira që duan të zbulojnë dhjamin që kanë vënë piranjat e këqija në kurriz të njerëzve të ndershëm.”