MENU
klinika

Përgjigjja, jo e lehtë

Si vdiq Karavaxho, “gjeni përleshjesh”?!

29.09.2022 - 17:57

        Karavaxho (Michelangelo Merisi), piktori italian që jetoi mes shekujve XVI dhe XVII, i konsideruar një nga artistët më të mëdhenj në historinë e artit perëndimor, lindi më 29 shtator 1571 në Milano. Stili i tij piktoresk, karakterizohej nga një realizëm i fortë dhe një përdorim shpërthyes i dritës./Konica.al

Karavaxho ishte artist i shkëlqyer, diçka e tillë nuk vihet në diskutim, por njëherazi ishte edhe poterexhi. Një artikull i hershëm botuar për të, që daton nga viti 1604 dhe që përshkruan mënyrën e jetesës së tij në ato vite, tregon me hollësi se “pas një pune dyjavore, ai do të lëvizë për një ose dy muaj me një jatagan në krah dhe një shërbëtor që e ndjek pas, nga një mbrëmje vallëzimi në një oborr tek tjetri, gjithmonë gati për t’u përfshirë në zënka ose debate, kështu që ishte shumë e vështirë të shkoje mirë me të”. Në vitin 1606, ai vrau një të ri në një përleshje dhe u largua nga Roma me një çmim për kokën e tij. Më vonë u përfshi në një zënkë në Maltë, në 1608, dhe një tjetër në Napoli në 1609, ndoshta një orvatje e paramenduar për ta vrarë nga armiq të paidentifikuar. Gjatë përleshjes mbeti i plagosur rëndë.

Mirëpo, si vdiq Karavaxho? Një vit më vonë, në moshën 38-vjeçare, ai vdiq në rrethana misterioze në Porto Erkole të Toskanës, thuhet nga ethet, ndërsa ishte rrugës për në Romë, për të marrë dokumentin e faljes. Ekzistojnë disa teori që shpjegojnë vdekjen e Karavaxhos, përfshi malarien dhe goditjen nga dielli. Sidoqoftë, kohët e fundit shkencëtarët dhe studiuesit italianë sugjerojnë teori të reja:

Helmimi me plumb

Në vitin 2010, shkencëtarët italianë thanë se janë “85 për qind të sigurt”, se kanë gjetur eshtrat e Karavaxhos, falë datimit të karbonit dhe kontrolleve të ADN-së në mbetjet e zbuluara në Toskanë. Skeleti i dyshimtë përmban nivele aq të larta plumbi, saqë e kanë shpënë piktorin drejt çmendinës dhe lehtësuan vrasjen e tij. Helmimi nga plumbi nuk mund të të vrasë vetvetiu, por besohet se ai ndihmoi në molepsjen e plagëve, që shkaktoi goditjen nga dielli që vrau artistin e madh. Ajo që është interesante, historianët e artit tashmë dyshojnë se Goja dhe Van Gogu mund të kenë vuajtur gjithashtu, nga ndikimi i keq i plumbit nga bojërat.

Vrasje nga Kalorësit e Maltës

Në vitin 2012, u parashtrua një teori e re. Sipas Profesorit Pacelli të universitetit të Napolit, Karavaxhio u vra me gjakftohtësi me urdhër të Kalorësve të Maltës për t’u hakmarrë për një sulm ndaj një prej anëtarëve të tyre. Profesor Pacelli zbuloi dokumente nga Arkivat Sekrete të Vatikanit dhe nga arkivat në Romë, të cilat sugjerojnë se artisti u vra nga Kalorësit e Maltës. Më pas, ata e hodhën trupin në detin Palo, pranë Civitavecchia-s, në veri të Romës. Kjo “vrasje e sponsorizuar nga shteti” u krye me miratimin e fshehtë të Vatikanit. Kjo teori mund të shpjegojë gjithashtu, vdekjen e Karavaxhos./Konica.al

Arti i Karavaxhos mishëron thelbin e barokut. Artisti, i njohur për vëzhgimin e ngushtë fizik me përdorimin e tepruar të dritëhijes, quhet ndryshe ati i errësirës (tenebrizmit). Ai e bëri teknikën një element stilistik dominues, duke errësuar hijet dhe duke tejshpuar subjektet në boshte të shndritshme drite. Veprat e tij kanë pasur ndikim të madh për epokën, veçanërisht për Peter Pol Rubens, Zhuzepe de Ribera, Xhian Lorenzo Bernini, Rembrandin, kurse artistët e brezit të ardhshëm që ndikoheshin prej tij, quheshin karavaxhistë ose karavaxheskë.

Koka e prerë e Meduzës, shtriga me flokë gjarpërinj të gjallë, kushdo që e shikonte, shndërrohej në gur. Ia preu kokën heroi Persusi, i cili fillimisht përdori një shqyt të shndritshme të marrë nga perëndesha Athina, për të shmangur shikimin e drejtpërdrejtë të Meduzës. Këtu kemi imazhin e  tmerrshëm të kokës së prerë të Meduzës, për të cilën, modeli me sa duket, ishte një i ri mashkull. Koka e Meduzës është e prerë, por ende e vetëdijshme. Krijesa mitike, sapo kuptoi vdekshmërinë e vet – në mënyrën më të tmerrshme. Gjaku derdhet nga koka e Meduzës, në currila të trasha. Ajo bërtet në heshtje. Gjarpërinjtë janë vetëm dëshmitarë të heshtur.

Karavaxho u ngarkua ta bënte këtë kryevepër, si dhuratë për Dukën e Madhe të Toskanës, Ferdinando I de Mediçi. Iu desh të futej në koleksionin Mediçi në Firence (në Armaturën e Uffizi), si një garë kundër Leonardo da Vinçit, i cili në atë kohë kishte vdekur prej 80 vjetësh. Meduza ishte pikturuar në një mburojë druri, duke aluduar një histori për djaloshin Leonardo, të cilit, i ati dikur i kishte kërkuar të dekoronte një mburojë. Leonardo shkoi në fusha dhe mblodhi gjarpërinjtë, hardhucat dhe insektet, duke i grupuar në një përbindësh hibrid, që e pikturoi në objekt. Natyrisht, pjesa e drunjtë i referohet gjithashtu mburojës nga Athina, e cila u përdor me dinakëri për të shfrytëzuar fuqinë e Meduzës, për të ngurtësuar njerëzit. Kjo ikonografi përdorej shpesh nga Mediçi, për të përfaqësuar fuqinë e tyre ushtarake.

Meduza e Karavaxho,s ekziston në dy versione. E para, u krijua më 1596 dhe tjetra, me sa duket, në vitin 1597. Versioni i parë (1596) njihet gjithashtu, si Murtola, sipas poetit Gaspare Murtola (v. 1624), i cili shkroi: “Vrapo, sepse nëse sytë të ngurosen nga habia, ajo do të të kthejë në gur”./Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit