MENU
klinika

PD: Do kërkojmë referendum!

“Territorialja”, PS mbyll derën e ndryshimeve të hartës!

14.09.2022 - 07:58

Partia Socialiste ka vendosur dje që harta administrativo- territoriale e vendit të mos ndryshojë dhe të vazhdojë ndarja aktuale e territorit, duke u mbyllur derën edhe propozimeve të opozitës.

Vendimi për këtë çështje, u mor dje në mbledhjet e grupit parlamentar ku rrëzoi propozimin e opozitës për të rritur numrin e bashkive nga 61 në 92 dhe qarqet nga 12 në 6 rajone. Qëndrimi i socialistëve u bë i ditur nga kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, i cili tha se shërbimet në këto shtatë vite janë përmirësuar dhe nuk ka arsye të ndryshimit të numrit të bashkive. Ai tha se ky vendim erdhi pas informacioneve dhe të referuara nga ekspertët dhe punës dymujore të Komisionit të Reformës Territoriale në Kuvend dhe të ekspertëve.

“Në mbledhjen e sotme të grupit është referuar edhe një informacion lidhur me atë që kanë konkluduar anëtarët dhe ekspertët përgjatë punës së komisionit të reformës territoriale. Anëtarët dhe ekspertët kanë konkluduar se mes propozimeve për një numër më të madh bashkish dhe propozimeve për një numër më të vogël bashkish, nisur edhe nga fakti që vetëm 7 vite kanë kaluar nga reforma e fundit, por edhe nga fakti që shërbimet publike janë përmirësuar, kemi konkluduar që pozicioni ynë në komision do të jetë që t’i qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe”, u shpreh Balla për mediat.

Kujtojmë që PD propozoi në një ndarje të re administrativo-territoriale, e cila do t’i prezantohej komisionit parlamentar gjatë kësaj javë, sapo ajo të përfundonte procesin e konsultimit të brendshëm. Opozita në draftin e saj të përgatitur kërkon 92 bashki dhe 6 rajone.

PS, e cila fillimisht kërkonte të bënte ndryshime vetëm për sa i përket ndarjes së vendit në rajoneve, duket se ka hequr dorë nga kjo preferencë, për faktin se do të duhet të pranonte propozimet e opozitës për numrin e bashkive që ajo të jepte votat për rajonet. Nga ana tjetër, në Komisionin e Reformës Territoriale kanë përfunduar të gjitha diskutimet dhe seancat dëgjimore me institucionet dhe ekspertët për ndarjen e re, ndërsa kemi hyrë në dy javët e fundit përpara se ato të miratohen në komision dhe dërgohen në Kuvend për miratim.

Tërheqja e PS për ndryshime në këtë moment nuk është pritur mirë nga ana e opozitës, e cila ka kritikuar sjelljen e maxhorancës. PD synonte që harta e re së bashku me paketën ligjore të miratoheshin në Kuvend brenda shtatorit, ku përfundon edhe puna e komisionit me qëllim që zgjedhjet e ardhshme lokale të 2023 të zhvilloheshin me ndarjen e re.

Reforma territoriale, Alibeaj: Do konsultohemi me ndërkombëtarët

Kreu i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka akuzuar qeverinë dhe maxhorancën socialiste se ka një skenar, që përmes kësaj reformë të përgatisë “fitoren e zgjedhjeve lokale të 2023 në tavolinë”.

Teksa ka folur për mediat pas mbledhjes së Grupit Parlamentar demokrat për qëndrimin ndaj reformës territoriale, Alibeaj u shpreh se PD është e vendosur për ta çuar deri në fund këtë reformë të rëndësishme, që sipas tij u shërben vetëm qytetarëve. Vendimin e PS për të mos ndryshuar ndarjen administrativo-territoriale ekzistuese, Alibeaj e konsideroi se një provokim ndaj kërkesës së vetë qytetarëve, pasi sipas tij sot 7 bashki kanë falimentuar dhe një nga shkaqet është ndarja e tyre.

“Kjo është një çështje që meriton trajtim dhe diskutim. I jemi futur kësaj reforme jo vetëm si kërkesë e jona, por është një kërkesë që ka lindur që në vitin 2014. Reforma e asaj kohe u bë në mënyrë të njëanshme, u anatemua se pse si PD, ne nuk morëm pjesë apo pse nuk ofruam variantin tonë dhe për këtë arsye kërkuam me ngulm ngritjen e këtij komisioni. Kjo e sotmja është vetëm një provokim, si mund të thuash që pa mbaruar mandati i Komisionit të Reformës nuk do të ketë asnjë lloj ndryshimi. Ne e kemi çuar deri në fund sepse as mandati i Komisionit nuk ka përfunduar. Ne kemi nisur të bëjmë një reformë që të kallëzojë dështimet spektakolare që ka pasur reforma.

7 bashki kanë falimentuar. Problem shumë i madh është fakti që prej kaq kohësh është një kërkesë jo vetëm e jona, por e qytetarëve. Gjithmonë kanë kërkuar një ridimensionim të Reformës Territoriale për ta çuar shërbimin te qytetarët. E drejta e qytetarëve për të kontrolluar të zgjedhurit e tyre. Nuk do ta quaja me fjalë të tjera përveç se provokim atë që është thënë nga maxhoranca sot.

Thanë që do ngelet po e njëjta reformë. Ajo e sotmja qenka skenari që zgjedhjet lokale të 2023-it do të duan t’i fitojnë në tavolinë. Kjo është një gjë që jo vetëm na vendos ne si PD në detyrim për ta çuar deri në fund, por për t’ui bërë thirrje të gjithë deputetëve të PD, pa dallim, që të ketë ridimensionim të Reformës Territoriale”.

Gjatë deklaratës për mediat, Alibeaj tha se pas tërheqjes së socialistëve për ndryshimet në reformë që kërkojnë demokratët do të ketë konsultime edhe me partnerët ndërkombëtarë. Ai shpjegoi se PD do ta bëjë këtë pasi të ketë përfunduar draftin e saj.

“Ne do t’i eksplorojmë të gjitha mundësitë. Mbi të gjitha nga ana jonë të ketë një reformë që do të adresojë të gjitha nevojat dhe eliminimin e të gjitha defekteve të deritanishme. Ne jemi në momentet e fundit të përpunimit dhe daljes me ofertën tonë. Ne do t’ia bëjmë të qartë publikut se cili është produkti ynë dhe sigurisht do të kemi konsultimet tona me partnerët ndërkombëtarë për draftin”, sqaroi Alibeaj.

I pyetur nëse ka fituar diçka nga marrëveshjet me Ramën, Alibeaj tha se “Bërja pjesë e PD në proceset dhe reformat e rëndësishme tregon qartë orientimin që ka opozita drejt interesit publik. Ne kemi marrë pjesë për të mos krijuar atë kurthin e vogël të abandonimit dhe braktisjes. Me sinqeritetin më të madh duke u shërbyer interesave tona dhe mos u kthyer në fasadë turpi dhe faji i ngelet palës tjetër”.

PS tërhiqet, Çupi: Rama do rezultate në tavolinë, Kërkojmë referendum!

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka reaguar pas vendimit të PS për të mos ndryshuar hartën territoriale duke theksuar se kjo është tallje me qytetarët, Parlamentin dhe ndërkombëtarët e angazhuar në këtë proces.

Në një reagim në rrjetet sociale, Çupi thekson se Edi Rama ka frikë nga vota, duke theksuar se Rama kërkon rezultate në tavolinë ashtu siç ka bërë gjithmonë.

Deputetja e PD-së vë në dukje se përgjigjja e qytetarëve ndaj këtij vendimi të maxhorancës do të jetë referendumi dhe se askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e qytetarëve.

“Vendimi i PS-së për të mos ndryshuar hartën territoriale, është tallje me qytetarët që duan ndryshim të hartës. Është tallje me partnerët që u angazhuan në proces. Është tallje me Parlamentin. Është shpërdorim i taksave të qytetarëve, për një proces të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës. Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat në tavolinë. Kështu ka bërë në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor. Edi Rama ka frikë nga vota. Përgjigjja e qytetarëve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve”, shkruan deputetja e PD.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Fajin për djegien e mandateve e marr unë, por…”

Monika Kryemadhi: Nuk më rruhet fare as për SPAK-un dhe as për burgun!

Kreshnik Spahiu reagon ashpër: Ai do të nxjerrë që ky nuk ka lidhje fare me historinë e...

Krisje mes çiftit/ “Meta dhe Kryemadhi po aktrojnë një “film luftash” nga halli që i ka zënë