MENU
klinika

"La Tribuna"

Turhan Pasha thotë sesi të rimëkëmbim Shqipërinë

02.09.2022 - 11:17

        Nga: Aurenc Bebja, Francë – 2 Shtator 2022

“Stamboul” ka botuar, të shtunën e 21 marsit 1914, në faqen n°2, intervistën ekskluzive të Turhan Pashës, dhënë asokohe korrespodentit special për “La Tribuna” në Durrës, në lidhje me rimëkëmbjen e Shqipërisë, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar:

Deklaratat e Turhan Pashës

Romë, 20 mars.

“La Tribuna” publikon një intervistë që korrespondenti i saj special në Shqipëri, ka pasur në Durrës, me Turhan Pashën.

Kryeministri shqiptar deklaroi se ka synimin e vendosur të zbatojë një program për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, duke filluar me zgjidhjen e problemeve kryesore, pra hapjen e porteve dhe ndërtimin e rrugëve, sepse në mungesë të mjeteve të komunikimit, Shqipërisë i mungon jeta aktive.

Duhet t’i tregojmë botës, – shtoi shtetari i shquar, – se Shqipëria është e aftë të punojë për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e brendshëm.

Prandaj, do të na duhet të përmirësojmë kushtet e bujqësisë, të aktivizojmë prodhimet dhe të thajmë kënetat.

Duke folur për politikën e Jashtme, Turhan Pasha pohoi se, Shqipëria duhet të bëhet një element paqeje dhe moderimi në Ballkan.

Ai përfundoi, duke uruar që i gjithë kombi shqiptar të mblidhet rreth ministrisë Kombëtare, në mënyrë që ta mbështetesë në detyrën e mundimshme që ka marrë dhe të meritojë kështu simpatinë e Evropës. – (Ag. It.)