MENU
klinika

Nuk ka amnisti për gjobat e vendosura

Vendimi për ndërtimet pa leje! Hapat që do të ndiqen

14.09.2022 - 10:07

Zbardhet vendimi i Qeverisë në të cilin janë përcaktuar rregullat dhe procedurat për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Çdo kat apo shtesë e ndërtuar jashtë planit, do të kalojë në favor të shtetit përmes një kontrate në vlerë 1 Euro.

Vendimi i zyrtarizuar dje iu njeh të drejtën e parablerjes edhe ndërtuesve, por fatura në këtë rast do të jetë e majme, pasi çmimet që do të aplikohen do të jenë çmimet e tregut. Në të dyja rastet, pra edhe kur i blejnë edhe kur do të jenë të detyruar t’i dhurojnë, ata nuk do të çlirohen nga gjoba. Ky është një detyrim që nuk do të amnistohet.

VENDIMI

Kështu, sipërfaqja e ndërtuar pa leje do të kalojë në favor të shtetit përmes një kontrate noteriale me vlerë 1 euro. Sikur të mos mjaftonte kjo, ndërtuesi do të ketë në ngarkim po ashtu edhe shpenzimet noteriale. Përmes vendimit Qeveria është kujdesur që të specifikojë që këto ndërtime do të përdoren për interes publik, por kjo nuk zhbën detyrimin e ndërtuesve për të dhuruar 5 për qind të sipërfaqes së ndërtimit në kuadër të ligjit për strehimin social.

“Përpara fillimit të procedurës së konfiskimit, të parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi dhe deri në marrjen e vendimit të konfiskimit nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit, zhvilluesi apo çdo subjekt i autorizuar prej tij, me akt noterial kalon në favor të shtetit, me kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro, shprehimisht Ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronave shtetërore të drejtën e pronës të sipërfaqeve të ndërtuara pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit, me qëllim përdorimin e tyre për nevoja të strehimit social apo për interes publik. Sipërfaqet që kalojnë në pronësi të shtetit nuk konsistojnë në realizimin nga subjekti zhvillues të detyrimit në kuptim të nenit 19, të ligjit ‘Për strehimin social’”, thuhet në vendim.

Ligji për “Strehimin social” përcakton që për çdo leje ndërtimi, apo leje zhvillimore që do të miratohet për kompanitë e ndërtimit, do të aplikohen sanksione në favor të bashkive.

“Çdo shoqëri ndërtuese ose investitor, që investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore mbi 1000 metra katrorë, duhet të sigurojë kalimin, pa shpërblim, e të paktën 50 metrave katrorë në favor të fondit publik të banesave sociale me qira. Subjekti privat që investon apo ndërton banesa ka të drejtë të kalojë në pronësi të paktën 5% të sipërfaqes së ndërtimit për fondin publik të banesave sociale me qira, kundrejt të drejtës që të paguajnë një taksë të reduktuar mbi vlerën e shtuar (TVSH) deri në 10%”. Një sanksion i ngjashëm është vendosur edhe për ata që do të aplikojnë për leje zhvillimore. Kërkesa mund të pranohet vetëm përkundrejt përfitimit të një sipërfaqeje ndërtimi në favor të bashkisë.

PARABLERJA

Ndërtuesit do të kenë të drejtë për ta blerë sipërfaqen e ndërtuar pa leje, por me çmim tregu. “Ndërtimet e konfiskuara sipas këtij vendimi mund t’i transferohen me të drejtë parablerjeje subjektit zhvillues të objektit apo çdo subjekti të autorizuar prej tij, për një vlerë jo më të vogël se çmimi i tregut, dhe fondet e siguruara përdoren për shpronësim, trajtim të posaçëm apo kompensime me qëllim realizimin e punëve publike.

Pagesa e çmimit të punimeve në tejkalim të lejes nuk e çliron subjektin nga detyrimi i pagesës së gjobës së parashikuar nga pika 1,e nenit 52, të ligjit ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar”, theksohet më tej në vendim, ku përcaktohet po ashtu se momenti i kryerjes se aktit të konstatimit të paligjshmërisë në ndërtim deri në përfundim të procedurës së konfiskimit, punimet pezullohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

INSPEKTIMET

Inspektoratet vendore kanë detyrimin e raportimit pranë IKMT-së kur gjatë inspektimit konstatojnë paligjshmëri dhe shkelje të legjislacionit në fuqi në fushën e ndërtimit. Më pas, është IKMT-ja që bën dorëzimin e dokumentacionit me të dhënat e subjektit pranë Këshillit Kombëtar të Territorit. “Ministri përgjegjës për administrimin e pronave shtetërore, brenda 7 ditëve nga njoftimi i vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit, nxjerr urdhrin për zbatimin e tij, e cili, ndër të tjera, përmban: autoritetin përgjegjës për ndjekjen e procedurës së konfiskimit të objektit; të dhëna identifikuese për objektin që po konfiskohet; masat në zbatim të parashikimeve të pikave 2,3 dhe 4,të këtij vendimi, dhe shprehjen e vullnetit të subjektit zhvillues; parashikimet për ndalimin e tjetërsimit të destinacionit të objektit deri në zbatimin nga ana e subjektit zhvillues të detyrimit ligjor që rrjedh nga ky vendim”, përcaktohet më tej në vendim. Ministria përgjegjëse për administrimin e pronave shtetërore, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, krijon dhe administron një regjistër të veçantë për regjistrimin dhe inventarizimin e objekteve të konfiskuara me çdo të dhënë të tyre.

PJESE NGA VENDIMI

Përpara fillimit të procedurës së konfiskimit, të parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi, dhe deri në marrjen e vendimit të konfiskimit nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit, zhvilluesi apo çdo subjekt i autorizuar prej tij, me akt noterial kalon në favor të shtetit, me kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro, shprehimisht ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronave shtetërore të drejtën e pronës të sipërfaqeve të ndërtuara pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit, me qëllim përdorimin e tyre për nevoja të strehimit social apo për interes publik. Sipërfaqet që kalojnë në pronësi të shtetit nuk konsistojnë në realizimin nga subjekti zhvillues të detyrimit në kuptim të nenit 19, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”.

Shpenzimet noteriale mbulohen nga subjekti zhvillues.

Ndërtimet e konfiskuara sipas këtij vendimi mund t’i transferohen me të drejtë parablerjeje subjektit zhvillues të objektit apo çdo subjekti të autorizuar prej tij, për një vlerë jo më të vogël se çmimi i tregut dhe fondet e siguruara përdoren për shpronësim, trajtim të posaçëm apo kompensime me qëllim realizimin e punëve publike. Pagesa e çmimit të punimeve në tejkalim të lejes nuk e çliron subjektin nga detyrimi i pagesës së gjobës së parashikuar nga pika 1, e nenit 52, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.

Nga momenti i kryerjes se aktit të konstatimit të paligjshmërisë në ndërtim deri në përfundim të procedurës së konfiskimit, punimet pezullohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Ministri përgjegjës për administrimin e pronave shtetërore, brenda 7 ditëve nga njoftimi i vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit, nxjerr urdhrin për zbatimin e tij, e cili, ndër të tjera, përmban: a) autoritetin përgjegjës për ndjekjen e procedurës së konfiskimit të objektit; b) të dhëna identifikuese për objektin që po konfiskohet; c) masat në zbatim të parashikimeve të pikave 2, 3 dhe 4, të këtij vendimi dhe shprehjen e vullnetit të subjektit zhvillues; ç)parashikimet për ndalimin e tjetërsimit të destinacionit të objektit deri në zbatimin nga ana e subjektit zhvillues të detyrimit ligjor që rrjedh nga ky vendim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN