Policia e Himarës ka dhënë detaje për operacionin “Formulari”, ku janë lëshuar 24 urdhër-arreste. Pas një hetimi 1-vjeçar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Formulari” u ekzekutuan 6 masa sigurie “Arrest në burg”, 8 masa sigurie “Arrest në shtëpi”, 8 masa sigurie “Detyrim paraqitjeje” dhe u shpallen në kërkim 2 shtetas, për veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.
Mësohet se masa ‘arrest në burg’ u caktua për shtetasit; Arqilea Veizi, Spiro Dhima, Serxhio Joshi, Denis Kokaveshi, Vasillo Mëhilli dhe Artur Duni.
Në arrest shtëpie është dhe Anesti Dhimojani, ish-kryetar i Qarkut Vlorë.
NJOFTIMI I POLICISE
Para 1 viti, në kuadër të operacionit “Formulari”, janë vënë në pranga 3 shtetas, 2 prej të cilëve ushtronin funksione publike.
Në vijim të operacionit të koduar “Formulari, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kanë vijuar hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në veprimtaritë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe finalizuar fazën e dytë të operacionit të koduar “Formulari”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për caktimin e masës e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve“, të kryera me shumë se një herë, në bashkëpunim, për 6 shtetas:
A. V., 56 vjeç, S. Dh., 33 vjeç, S. J., 58 vjeç, V. M., 60 vjeç, A. D., 57 vjeç, të gjithë banues në Himarë dhe D. K., 49 vjeç, banues në Tiranë.
U bë shpallja në kërkim e shtetasve: P. L., 49 vjeç, banues në Dhërmi dhe I. Gj., 42 vjeç, banues në Himarë, pasi Gjykata iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për të njëjtat vepra penale.
Në vijim të operacionit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit: A. Gj., I. R., S. L., Dh. L., N. L., A. Dh., A. Gj. dhe J. M., banues në Dhërmi dhe në Himarë.
Gjithashtu u ekzekutuan masat e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, për shtetasit:
P. X., E. B., S. B., A. A., A. L., J. Z. dhe M. R., banues në Dhërmi dhe në Himarë, si dhe G. A., banuese në Vlorë.
Nga veprimet e kryera gjatë periudhës hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar formularët e AMTP-së, për të përfituar sipërfaqe toke (truall) në zonën e bregdetit, në Himarë dhe në Dhërmi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.