MENU
klinika

Panik në Evropë, kriza energjetike mund të çojë në…

Analiza/ Paketa gjermane e ndihmës 200 miliardë euro ka hapur orekse në BE

05.10.2022 - 10:02

Në Evropë po përhapet paniku për krizën energjetike. Por paketa e shpëtimit prej 200 miliardë eurosh për ekonominë gjermane nuk mund të jetë një model për të gjithë BE-në, thotë Bernd Riegert.

Borxhi i përbashkët evropian për të luftuar një krizë të paprecedentë?

Kështu vendosi BE-ja gjatë krizës së Koronës 2020. Gjermania, e drejtuar asokohe nga kancelarja Angela Merkel, bëri një kthesë të fortë në politikën fiskale në atë kohë

Gjermania e kishte refuzuar gjithmonë në mënyrë kategorike borxhin e përbashkët evropian. Por epërsia e krizës, e cila e zhyti të gjithë Evropën drejt tatëpjetës ekonomike, e detyroi ta rishikonte qëndrimin e saj.

Fondi i Ndihmës për virusin Korona është parashikuar të shpërndajë gjithsej 750 miliardë euro grante dhe kredi të volitshme. Nëse do të arrihet efekti i dëshiruar dhe nëse borxhet do të shlyhen ndonjëherë, siç premtuan Merkel dhe kolegët e saj, kjo nuk dihet. Borxhi i përbashkët, për të cilin janë bërë garant veçanërisht vendet anëtare me performancë të lartë, do të ishte një përjashtim absolut.

Berlini hap rrugën për borxh të ri

Deri më sot. Në takimin e ministrave të Financave në Luksemburg, gjithnjë e më shumë vende anëtare dhe dy komisionerë të BE-së apeluan sërish në “solidaritetin europian”, pra kërkuan më shumë borxhe në nivel të BE-së.

Frika po përhapet, madje po përhapet paniku, se kriza e madhe energjetike e shkaktuar nga Rusia mund të çojë në rënie të madhe të prodhimit industrial në Evropë.

Dhe qeveritë me borxhe të mëdha po kuptojnë se ato thjesht nuk kanë kapacitet fiskal për të ulur presionin mbi bizneset dhe elektoratin në vendet e tyre, presion ky i krijuar nga çmimet e rritura.

Në vend të kursimit, hapjes së burimeve të reja të energjisë dhe përgatitjes së popullatës për kohë të vështira, tani po vjen ajo që pritej: thirrja më komode për ndihmë nga Evropa, nga  shtetet më të fuqishme – mbi të gjitha nga Gjermania.

Bernd Riegert Brüssel
Bernd Riegert, korrespondenti i DW në Bruksel

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, i cili nuk ka aq përvojë në këtë post, ua hapi oreksin, kur të enjten e kaluar së bashku me kancelarin Scholz dhe ministrin e Ekonomisë Habeck, ai ofroi një paketë shpëtimi prej 200 miliardë eurosh për ekonominë gjermane – paketë kjo e lindur nga nevoja që ka Gjermania në planin e brendshëm.

Në koalicionin qeverisës të Berlinit, Lindner përkundër të gjitha betimeve, ra dakord ta rriste borxhin për të lehtësuar krizën e shkaktuar nga mungesa e energjisë. Ky “bumi i dyfishtë”, siç e quan paketën kancelari në gjuhën e tij të çuditshme, natyrisht ngjall lakmi tek fqinjët evropianë: Fondin për paketën e shpëtimit për prodhimet “made in Germany”, i cili nuk dihet ende se si do të funksionojë, Gjermania mund ta përdorte edhe për BE-në, dëgjohet të thuhet në disa vende anëtare.

Si për ironi, Orban dhe Meloni

Mund ta përdorte? Duhet ta përdorte? Jo! Kriza energjetike nuk mund të krahasohet me krizën e virusit Korona. Ajo shkon shumë më thellë, është shumë më e shtrenjtë dhe do të mbetet. Korona shkaktoi vetëm një rënie të madhe të kërkesës dhe do të mbarojë dikur. Mungesat jashtëzakonisht të shtrenjta në furnizimin me energji do të vazhdojnë edhe shumë vite pasi – siç shpresojmë – Vladimir Putini ta ketë humbur luftën e tij. Dhe ndryshe nga kriza e Koronës, as shteti dhe as Evropa nuk do të jenë në gjendje t’i mbrojnë njerëzit nga pasojat drastike të recesionit të shkaktuar nga Putini. Kjo do të kushtojë prosperitet dhe standard jetese.

Ministri i Financave, Christian Lindner, FDP, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, SPD dhe ministri i Ekonomisë dhe Klimës, Robert Habeck (Gruene) gjatë konferencës së shtypit duke prezantuar paketën e re të shpëtimit prej 200 miliardë euro.
Ministri i Financave, Christian Lindner, FDP, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, SPD dhe ministri i Ekonomisë dhe Klimës, Robert Habeck, Të Gjelbrit gjatë konferencës së shtypit duke prezantuar paketën e re të shpëtimit prej 200 miliardë euro.

Ministrat e Financave të BE-së kishin premtuar se do t’i koordinonin masat e shpëtimit dhe nuk do t’i subvenciononin industritë e tyre në një mënyrë që do të dëmtonte konkurrencën. Por kjo nuk po shihet. Megakriza i ka bërë të gjithë të shohin punët e veta. Është e paskrupullt që kryeministrja e ardhshme e djathtë e Italisë, Giorgia Meloni, dhe autokrati hungarez anti-BE, Viktor Orban, tani po kërkojnë para nga Evropa, d.m.th nga Gjermania. Italia ka nisur prej kohësh paketat e saj të shpëtimit dhe tashmë po mbledh 200 miliardë euro nga fondi i ndihmës për koronavirusin. Hungaria vazhdon të blejë gaz dhe naftë të lirë nga Rusia dhe kritikon ashpër sanksionet. Miku i Putinit Viktor Orban nuk ka fituar asnjë cent evropian në këtë krizë!

Kriza ekonomike do të intensifikohet në muajt e ardhshëm nëse vazhdon lufta e pakuptimtë e Rusisë kundër Ukrainës. Presioni ndaj ministrit gjerman të Financave për të bërë një tjetër kthesë dhe gjithashtu për të rënë dakord për një borxh të ri evropian me pasoja të panjohura do të rritet.

BE-ja duhet t’u përgjigjet pyetjeve

Para së gjithash, qeveritë evropiane duhet të përqendrohen në blerjen e energjisë së bashku dhe jo të garojnë me  njëra-tjetrën në tregjet tashmë të egërsuara. Përveç kësaj, ato duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të hequr së bashku fitimet e tepërta nga korporatat evropiane dhe për të rishpërndarë të ardhurat. Kjo do të ishte një qasje e mirë ndaj solidaritetit evropian.

Evropianët më në fund duhet të mendojnë edhe se si do ta përballojnë mungesën e gazit ose të energjisë elektrike të krijuar në tregjet evropiane pa kufij. Çfarë ndodh nëse vendi tranzit i gazit, Gjermania, merr shumë pak gaz për të furnizuar fqinjët e saj? Këto po që janë pyetje konkrete të solidaritetit evropian, të cilave duhet t’u përgjigjen tani politikanët. Thirrjet komode për ndihma financiare nga Gjermania nuk ndihmojnë aspak.

DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përpjekja e re për negociata shtyhet për në vitin 2021

BE shtyn zgjerimin me Ballkanin


Analiza nga "Deutsche Welle"/ Çfarë parashikon IEA?

Energjia e rinovueshme do ‘zëvendësojë’ qymyrin?

Ja sa do të shiten karburantet nga sot

Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja