MENU
klinika

S’dorëzon inceneratorin e Fierit!

Balluku refuzon të penalizojë koncesionarin

24.10.2022 - 10:06

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzoi dje ministren e Energjetikës, Belinda Balluku, se është bërë pjesë e aferës 420 milionë euro të inceneratorëve.

Duke publikuar faktet, Këlliçi tha se ministrja Balluku refuzon të vendosë penalitet mbi 1 milion euro ndaj kompanisë koncesionare që ndërton inceneratorin e Fierit për shkeljen e kontratës së ndërtimit. Në denoncimin e tij, Këlliçi thotë se ndonëse Balluku është në dijeni të shkeljeve të punimeve dhe detyrimeve që ka kontrata në raste të tilla të shkeljes, nuk penalizon kompaninë e inceneratorëve me qëllim që ato para që do vendoseshin gjobë, Kryeministri Rama t’i përdorë për të blerë vota në zgjedhjet lokale.

“Pra, është e qartë si drita e diellit që ministria përgjegjëse nuk i ka vendosur asnjë penalitet kompanisë koncesionare, por ka vendosur të bëjë 100% të pagesave vjetore brenda korrikut 2022. Me sa duket, fushata elektorale po afron dhe Edi Ramës i duhen para për të nisur shitblerjen e votave. Pra, edhe pse në tejkalim të afateve, edhe pse Impianti i Fierit duhej të ishte dorëzuar dhe vënë në punë që në muajin mars të vitit 2021 dhe sot jemi më tetor të 2022, shteti vijon të paguajë rregullisht kompaninë e inceneratorëve fantazmë, ndërkohë që refuzon të penalizojë koncesionarin, i cili sot që flasim, penaliteti që duhet të paguajë është 1.000.000 euro dhe vazhdon të rritet çdo ditë me 2 mijë e 250 euro.

Arsyeja se përse ndodh e gjithë kjo vjedhje dhe aferë është mjaft e qartë: Edi Rama së bashku me Erion Veliajn, Arben Ahmetajn, Engjëll Agaçin, Damian Gjiknurin dhe së fundmi Belinda Ballukun, ka ngritur një skemë të pastër të vjedhjes së gjysmë miliardë eurove, nga taksat e qytetarëve shqiptarë, duke varfëruar çdo ditë e më shumë qytetarin e zakonshëm, në kurriz të investitorit ‘holandez’ Klodian Zoto, i cili në fakt shërben vetëm si presta nome i Kryeministrit”, tha Këlliçi.

ABUZIMET
Deputeti i Partisë Demokratike, referuar dokumenteve zyrtare, denoncoi dje se inceneratori i Fierit duhet t’i ishte dorëzuar Ministrisë së Energjisë si autoritet kontraktues që në muajin mars të vitit 2021. Mirëpo, edhe aktualisht inceneratori nuk është dorëzuar. Për këtë shkelje supervizori i punimeve ka vendosur në dijeni Ministrinë e Energjetikës, madje edhe penalizimet që lindin nga moszbatimi i kontratës, mirëpo ministria e drejtuar nga Balluku sipas tij nuk ka vendosur penalitete, por përkundrazi vijon të kryejë pagesat.

“Në datë 31 mars 2022, pra, 1 vit pasi është deklaruar përfundimi i punimeve për inceneratorin e Fierit shoqëria supervizore i drejtohet me shkresë Nr. prot 24, kompanisë koncensionare ‘Integrated Waste Treatment Fier’ si dhe për dijeni Ministrisë së Infrastrukturës (autoriteti kontraktor) dhe Njësisë së Zbatimit (Arben Kaçorri).Në shkresë kompania supervizore njofton Kompaninë koncensionare për penalitet të lindur për mosdorëzimin në kohë të impiantit.

Deri në datën 31 mars 2022, detyrimi që kompania koncensionare i detyrohej shtetit ishte 551 mijë euro. Kjo, për shkak se punimet ndërtimore për realizimin e projektit kanë përfunduar që në muajin mars të 2021 e ndërkohë në mars të 2022, impianti ende nuk është dorëzuar. Po në të njëjtën shkresë, supervizori njofton kompaninë koncesionare se penaliteti rritet çdo ditë me 2 mijë e 250 euro. Në datën 29 prill 2022, supervizori i ridërgon një shkresë me nr. prot 36, shoqërisë koncesionare dhe për dijeni Ministrisë së Infrastrukturës dhe Njësisë së Zbatimit të Projektit. Në këtë shkresë, supervizori sërish ngre shqetësimin se mbetjet nuk po përpunohen pasi nuk ka staf dhe makineri për ta kryer këtë proces.

Supervizori kërkon gjithashtu dhe marrjen në ruajtje të objektit që të shmangen vjedhjet dhe dëmtimi, pasi me sa duket ka pasur të dhëna që në impiantin e Fierit kishte nisur edhe bastisja e kantierit dhe pajisjeve. Në të njëjtën shkresë supervizori rikujton dhe njëherë shumën e penalitetit për shkeljen e afateve të dorëzimit të impiantit”, tha Këlliçi. Ndërkohë që denoncoi edhe pagesat për punime të papërfunduara. “Në datë 2 qershor 2022, supervizori i përgjigjet Ministrisë së Infrastrukturës ku i rikujton se në maj të vitit 2022 i ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin për punimet dhe situacionet si dhe për punët e pakryera ende.

Në shkresë citohet se: A-vlera e punimeve të papërfunduara për makineri dhe pajisje elektromekanike është 2.886.680 euro (pa tvsh) Bvlera e punimeve të papërfunduara për lidhjen me sistemin elektroenergjetik është 79 mijë e 800 euro (pa tvsh). Supervizori informon në këtë shkresë të qershorit 2022 se duhet të bëhen pagesat pasi pajisjet janë porositur dhe vepra do të quhet e përfunduar 100%. Në fund supervizori rikujton dhe një herë shkresën e datës 31 mars 2022 ku njoftonte Autoritetin Kontraktor për penalitetin 551 mijë euro që duhet të paguante koncesionari, penalitet i cili rritet me 2 mijë e 250 euro çdo ditë”, vijoi deputeti i PD.

Ndërsa në fund i bëri apel Prokurorisë së Posaçme që të mos drejtohet nga Kryeministri në arrestimet që bën. “I bëjmë sërish thirrje SPAKut me regji, të ngrihet në nivelin e pritshmërive të qytetarëve, të vendosë një herë të vetme standard të njëjtë në gjykim, të administrojnë qoftë edhe vetëm provat e bëra publike nga selia e PD për aferën më të madhe korruptive të shekullit dhe të mos vijojë me skenarin e Edi Ramës për arrestime periferike të cironkave të kësaj afere, pasi peshkaqenët aty i kanë, njërin në Bashki e tjetrin në qeveri”, tha Këlliçi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fatura 2 mld euro e koncesioneve

A rrezikojmë rritje taksash?

U arrestua për aferën e inceneratorëve

Alqi Bllako do të merret në pyetje sot nga SPAK