MENU
klinika

Scriptorium

“Çmimi i civilizimit”

30.10.2022 - 12:52

Javier Cercas Archives - BARDBOOKS

Javier Cercas/

Claudi Perez i ka rënë pikës kur thotë: “Taksat janë çmimi i civilizimit”.

Klasikët e ekonomisë u shprehën të gjithë se ishin dakord me këtë deklaratë. Megjithatë nuk ka nevojë të dish shumë mbi ekonominë për të kuptuar që klasikët kishin të drejtë. Për çfarë shërbejnë taksat?

Për të paguar shkolla, spitale, pensione dhe të gjitha shërbimet e domosdoshme në një shoqëri në të cilën ia vlen të jetohet: shoqëri e cila është dizenjuar jo vetëm për më të privilegjuarit, më të fortët, më të aftët, por për të gjithë njerëzit dhe ata të zakonshmit, ata të cilët nuk janë të veçantë.

Si konkluzion: është e pamundur të jesh njeri i civilizuar pa paguar pjesën e taksave që të takon. Megjithëse në një shoqëri si e jona, ku katolicizmi e asimiloi protestantizmin, ku shpirti dinak shkatërroi atë kalorësiak ashtu si Quevedo shkatërroi Cervantes-in, shumicës së njerëzve nuk iu intereson në janë apo jo të civilizuar, megjithatë klasikët mbeten klasikë.

Por a janë vetëm katolicizmi, dinakëria dhe Quevedo të përgjegjshëm për kriterin që na kanë vënë klasikët, a janë vetëm këto arsyet që në vendet skandinave sistemi fiskal është i pakrahasueshëm me tonin?

Përgjigja është jo. Sepse përveç se paguajmë taksa, është detyra e atyre që na qeverisin që t’i menaxhojnë siç duhet taksat, ose të paktën mos t’i menaxhojnë keq.

Qetësohuni: do mundohem të shmang demagogjinë antipolitike, do përmend vetëm disa shifra.

Sipas FMI, në 2019 korrupsioni i kushtonte Spanjës diku tek 60.000 milionë euro në vit, ose rreth 4,5 përqind e PBB; sipas OCDE, në vitin 2017 rreth 10 deri në 30% të fondeve publike mund të keq menaxhoheshin si pasojë e korrupsionit.

A është e kuptueshme që shumë spanjollë e konsiderojnë budalla dikë që paguan taksat, kur ka mundësinë të mos i paguajë?

Etika fiskale dhe qeverisja e mirë janë anët e së njëjtës monedhë: njëra i paguan taksat më me kënaqësi nëse e di që do të menaxhohen mirë, ose të paktën kështu ndodh në vende ku niveli i korrupsionit është konsideruar më i ulëti në botë.

Por sigurisht pyetja një milion dollarëshe mbetet gjithmonë: kush duhet t’i paguajë taksat, dhe si duhet t’i paguajmë. Ndërsa po shkruaj këtë artikull, qeveritë lokale në Spanjë kanë lançuar një projekt i cili synon të rrisë nivelin e taksave që duhen paguar me të paktën 3.000 milionë euro, taksa të cilat do të paguhen nga kompanitë më të fuqishme.

Më duket çmenduri të mendojnë këtë si zgjidhje në një vend ku inflacioni është në nivelet që është dhe për më tepër problemet mbeten tek njerëzit që bëjnë mijëra euro jo ata që bëjnë miliona euro.

Ndaj më pëlqeu propozimi i ekonomistit Thomas Piketty, i cili promovon një shoqëri ku secili prej nesh mund të posedojnë disa mijëra euro dhe ata që kanë miliona mund të pasurohen më tej. Por ai shton që, “dikush që ka qindra apo mijëra miliona euro nuk i kontribuon interesit të përgjithshëm. Zgjidhja është e qartë, ata që kanë miliona euro le të paguajnë 90% të taksave”. “90% e atyre që kanë pasuri prej 1.000 milionë euro do të thotë që do t’iu ngelin 100 milionë euro¨, argumenton Piketty. “Me 100 milionë secili mund të realizojë disa projekte në jetë”.

Unë mendoj që kjo zgjidhje është shumë e civilizuar, por kush do të hidhet i pari në gojën e ujkut?

Javier Cercas është romancier spanjoll. Ai jep letërsi spanjolle në universitetin e Gironës. Ka fituar këto çmime:  Independent Foreign Fiction Prize në 2004, International Dublin Literary Award in 2008, European Book Prize në 2016.

Artikulli u shqipërua nga Albana Murra.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN