MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Ditzes, pa universitet dhe pedagogë, jemi pa Atdhe!

18.10.2022 - 17:18

        Një miku im pedagog gjerman, po më shpjegonte një ditë, në lidhje me vështirësitë e marrjes së disa dokumenteve për të filluar punën dikur, si mësues në ciklin e ulët. I thashë pa u menduar, se vështirësia vinte ndoshta, ngaqë Gjermania sa kishte filluar rindërtimin pas luftës së Dytë etj., etj.

 -Jo, jo – më tha, – duhesh të vërtetoja origjinën time, deri në breza, që isha gjerman…

 Mund të bëhesh profesor universiteti këtu, duke qenë polak, a shqiptar, por jo mësues filloreje. Duhet t’u mësosh fëmijëve gjuhën e nënës e këtë, s’e bëjnë dot ata që nuk janë gjermanë… Të flasësh për këto nuanca në Shqipëri, të shohin me çudi…

Sa duhet ta kenë rrogën pedagogët, në Shqipëri?

As që kam ndërmend, të bëj llogaritë e rrogës së tyre. E natyrisht, të dëgjoj ata që u kujtojnë pedagogëve rrogat e larta, marifetet që bëjnë duke kaluar studentët në këmbim të parave, fshehjen e rrogës reale, apo paudhësi të tjera të këtij lloji. Të përzihesh në këtë çështje dhe me gjuhën e shprehur së fundmi, jo vetëm nga militantët partiakë, por nga vetë Kryeministri, që u kujtoi jo vetëm këto hynere, por dhe kontrollin që do t’u bënte, për t’u parë rrogat reale etj., etj., do të thotë të jesh i mjerë.

I bëjnë pedagogët, këto? Një pjesë e tyre, si një pjesë e shoqërisë, po. Po pjesa tjetër, merret me atë që duhet të bëjë.

Një pedagog, natyrisht që mund të trajtohet edhe si një punëtor, a një mjek, por a është vërtet, ky, thelbi i çështjes?

Pedagogu ka në dorë, ndryshe nga Kryemnistri, apo ministri, – që janë nëpunës të lartë të shtetit, por nesër janë ca më pak, – të ardhmen e vendit, në formën më të drejpërdrejtë. Pedagogut i duhet një rrogë të blejë ca libra më të mira se të të tjerëve, të ketë një bibliotekë të klasit të parë, të udhëtojnë në konferenca kombëtare a ndërkombëtare, për të rritur nivelin e tyre, që duhet për fëmijët e njerëzisë etj. Pa kanë dhe ata, fëmijë si të tjerët, shtëpi etj.

Një pedagogu, pra, ndryshe nga të tjerët, u duhen shumë para e jo një milionë e dy milionë, po ca më shumë se kaq. Po ku t’i gjejë qeveria, kaq para?

Po të citosh Kryeministrin, zjarrfikësat kanë dhe ata probleme, dhe rritja 7 për qind e rrogës, ndjehet te pedagogët, më shumë.

Ku t’i gjejë qeveria, kaq para? Po a është vërtet, punë paraje?

Problemi është shumë më i thellë dhe tregon drejpërdrejt, kolapsin e vendit në çdo drejtim e që po e çon atë, në greminë.

Kur sistemi komunist ra politikisht, bashkë me të, ra edhe e gjithë ngrehina shtetërore. Sistemi mbahesh nëpërmjet ca instituteve që studionin që nga tokat, farërart që duheshin mbjellë, ujërat, territori, pyjet e gjithçka. Fundja mirë bënë, se i përkisnin një sistemi sovjetik e po ndërtonim sistem tjetër.

Por, pyetja e thjeshtë, natyrisht vjen këtu.

Kush do t’i zëvëndësonte këta faktorë? Se, tokat duhet të vazhdonin të mbroheshin, ujërat po, pyjet po, studimi i territorit, po. Do ta bënin militantët partiakë, që zunë zyrat për shkak të angazhimit politik, apo nënpunësit e ministrisë, me atë rrogë minimale dhe pa kushte reale, për t’i bërë?

Shihni kazinonë e Shqipërisë së sotme dhe e kuptoni.

Klasa politike nuk e vrau mëndjen. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe vec asaj që ndodhi. Në këtë pike klasa jonë politike e majtë apo e djathtë, u tregua shumë më e poshtër se pushtuesi. Kur Ducja pushtoi Shqipërinë, më parë dërgoi këtu ekspertë të të gjitha fushave, për të kuptuar jo vetëm se cfarë po pushtonte. Ekspertët  e Duces treguan dhe analizuan me imtësi cfarë mbillesh e rritesh këtu. Në cdo centimetër tokë të Shqipërisë. Si mbrohesh dhe rregullohesh territori, ujërat sizmika. Planizuan qytetet thuajse të gjitha duke ruajtur vëndin në gjithcka, megjithse ky vënd nuk ishte i tyri.

Çfarë ndodhi këtu? Pyjet, ujërat, territori, ushqimet, studimi apo strategjitë ndërtuese morën fund.

Ato u zëvendësuan, nga politika dhe mendtë e “Njëshit” që qeveriste, pa shkruar as dhe një artikull të vetëm, si qeverisesh. Po të ketë shkruar qoftë edhe një të vetëm, ndonjë prej tyre këtyre tridhjetë vjet, i tërheq me turp këto që shkrova. Nuk po bëj paralele me vende të tilla, si Gjermania, a Italia, që kur humbën luftën si ne, betejën për të ndërtuar komunizmin, iu drejtuan figurave të mëdha të kombit për të nxjerrë nga pellgu i të keqes Atdheun. Ju drejtuan De Gasperit dhe Adenauerit. Shihni kujt iu drejtuam ne këto tridhjetë vjet… Cilët ishin kryeministrat që e drejtuan vendin dhe sa ide hodhën për vendin e tyre. Çfarë bënin dhe bëjnë realisht?

Po kush do ta mbrojë vendin, territorin, ujërat, kush do t’i bëjë studimet për energjinë, për bimët? Vërtet, mendoni se do ta bëjnë nënpunësat e ministrisë, apo ministrat e improvizuar?

Mos mendoni, se po flas për rikrijimin e institutive komuniste?

Ka vetëm një vend, ku mund të mbrojmë Shqipërinë. Këto janë universitetet dhe pedagogët e tyre. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër. Dhe aty, janë paratë. Ka shumë më tepër, se ato që kërkon qeveria me Kryeministrin e saj.

Nëse qeveria ka ndërmend të bëjë strategjinë e fotovoltaikëve për energjinë e vendit, ajo ja u ngarkon detyrën universiteteve. Mos kërkoj prapë, komunizmin? Jo, këtë bëri Helmut Koli që në 1993-in, për të nxjerrë këtë vend të ftohtë, nga varësia energjitike. Nuk ua kërkoi universiteteve dhe instituteve, si direktivë partie, por si problem e shqetësim kombëtar.

Ka dëgjuar njeri nga Nano, Berisha e Meta, dhe Rama, gjëra të ngjashjshme me Kolin, apo udhëheqësin e një vendi kapitalist. Në Universitetin bujqësor, Kryeministri vetë, mund t’u ngarkojë prodhimin e farërave të pastra, të bimëve e fidanëve për pemët. Në ato ngastrat e universitetit, ku studentët bëjnë praktikë, prodhohen këto fara, që duhet t’i ketë universiteti monopol në shitje e kontroll. Janë para që shkojnë për universitetin dhe studentët që paguajnë taksat.

Projektet kombëtare të rrugëve, u jepen katedrave përkatëse dhe studentëve të ekselencës. Janë shumë para. Shumë më tepër, se mendon qeveria. Universiteteve u jepen licensat e ndërtimit, sizmikës, hekurit, a çelikut etj etj. Universiteti është i përjetshëm, ke ku e kontrollon, privatin ca më pak.

Në perëndim, universitetet mbahen me paratë e privatëve që mund të përfaqsojnë koncerne a fabrika të vogla e të mëdha. Nuk merret shteti me rritjen e rrogave të tyre. Kur shteti merret drejpërdrejt, ua pakëson apo ua shton, ai është thjesht, një shtet komunist e asgjë më shumë.

Pse qeveritë e Shqipërisë, këto trdhjetë vjet, nuk merren me politikat që fuqizojnë universitetin nëpërmjet gjërave të folura sipër? Ne jemi privat tashti, thotë dikush.

Shteti shqiptar në formë është privat, por në thelb është i centralizuar, si komunizmi i dikurshëm. Ai është investitori miliardësh. Dhe pse e bën këtë?

Nuk bën dot më shumë për pedagogët, apo universitetet, apo i pëlqen si sistemi komunist i dikurshëm, të mbajë fort pushtetin politik, pavarësisht se vendi shkon gjithnjë e më shumë, drejt greminës dhe njerëzit po marrin arratinë.

Universiteti dhe pedagogët, janë e vetmja gjë që i ka mbetur Shqipërisë.

E nuk është fare punë rrogash, kjo është gjëja më e vogël, për të cilën, ata nuk kanë nevojën e qeverisë. Ata duhet të kërkojnë që qeveria t’u heqë atë lakun e madh, që i shndërron universitet në ngrehina të mjera dhe të vogla, që duhet të mbijetojnë si të mundin e ku të mundin.

Nëse do të vazhdojmë kështu, nuk është e vështirë të shohim se, shumë më shpejt nga sa mendoni, do të mbetemi pa Atdhe! Atë nuk mund ta mbrojë kurrë, një kryeministër, sado i zoti të jetë realisht, apo sado t’i jetë mbushur mendja, sa i zoti është. Ka një vend ku kryeministri duhet të vejë e të ulet në gjunjë, është universiteti. Nuk do të bënte, në këtë rast, më pak se Napoloni I  Madh, i cili edhe në 100 ditët e fundit, kur nga të gjitha anët, koalicioni i pushtueseve po rrethonte Parisin, shkonte pas çdo beteje në Politeknikën e Francës, që është dhe sot, krenaria e saj kombëtare.