MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Fjalimi i Ramës në KiE? Në vendin dhe kohën e duhur

12.10.2022 - 23:52

Fjalimi i Kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Europës ka një rëndësi për historinë, por jo vetëm. Ai kishte për synim kryesor të zhbënte narrativën diplomatike ruso-serbe me shkrimtar zviceranin Dik Marti që mori dhe përfundim legal- krijimin e Gjykatës speciale në Hagë.

Narrativa ruso-serbe nuk godiste vetëm drejtuesit e luftës, të vizatuar si krerë të një organizate kriminale që trafikonte organe robërish lufte. Ajo godiste dhe Shqipërinë që strehonte një njësi mjekësore ku bëheshin këto ndërhyrje. Apo vetë NATO-n që kishte lejuar vepra të tilla kaq monstruoze duke mbështetur qoftë Kosovën, qoftë Shqipërinë.

Si u rishpjegua në fjalimin ramian, inisiativa nisi nga një deputet rus, në 2008, kur Rusia ndikonte shumë në Këshilllin e Europës. U përforcua nga dosierët e krijuar të prokurorisë speciale serbe. U shndërrua në rezolutë të KiE. Prej kësaj Rezolute u themelua një gjykatë që i ka kushtuar shumë financiarisht bashkësisë perëndimore të interesuar për të hequr njolla të tilla nga vetja, dhe për të bërë drejtësi të paanshme në një ndërhyrje si ajo e Kosovës, që kishte dhe natyrë drejtësie morale. Ju dha fund fund genocidit a spastrimit etnik, sido që të quhet nga institucionet e drejtësisë ndërkombëtare. Dhe ky model gjykate speciale mund të përdoret dhe sot… në Ukrainë… si tha Rama…

Rrethanat 11 vjet më parë dhe sot

Fjalimi i Ramës do të ishte i shkëlqyer të mbahej dhe 11 vjet më parë… nga Berisha. Berishës kryeministër ju bë thirrje asokohe nga një politikan i Kosovës, që të sajonte një tryezë fotografike me liderët shqiptarë të gjithë Ballkanit dhe ta hidhte poshtë raportin kombëtarisht, duke votuar kundër. Pamja bashkë e tyre- një pjesë të akuzuar nga kjo ndërrmarrje rusoserbe mund të kishte njëlloj efekti galvanizues. Berisha nuk i mblodhi princat. Mungoi një fjalim i tij  11 vjet më parë. Fitoi qasja- të bëhet drejtësi dhe kështu heqim njollat ndaj u votua pro raportit. Ndaj ja ku shfaqet Rama fitimtar 11 vjet më pas.

E vërteta është se sot janë rrethana të reja që e mundësojnë amplifikimin e jehonës së një fjalimi nga ato komunikime që Rama i ka përgatitur duke menduar gjyqin e historisë për të! Është në zhvillim konflikti ruso-ukrainas. Shqipëria, rreshtuar me Perëndimin në krah të Ukrainës, ai si lider i saj, sot kanë një peshë më të madhe.

Falë këtij fjalimi Rama mund të shohë rritjen deri diku të rejtingut ndërkombëtar të tij, si tha një deputet rumun. Këshilli i Europës nuk ka megjithatë të njëjtën rëndësi në arkitekturën europiane. Sot është përjashtuar Rusia që bashkë me të djathtët europianë e kontrollonte KiE. Dik Marti është tërhequr në një strehë, i frikësuar nga kërcënimi serb për atentat. Akuzat me burim letërsinë e tij në Hagë janë ridimensionuar nga drejtësia speciale që po tregon probleme serioze.

Popullariteti i Ramës në Kosovë ulet dhe ngrihet sepse sfidohet rregullisht nga krerët e institucioneve të saj që nuk e kanë problemin thjesht me paternalizmin e supozuar të tij. Për më shumë, udhëheqësit e Serbisë së sotme, nuk kanë të njëjtin interes për t’ju kundërvënë Ramës si do bënin përshembull 11 vjet më parë ndaj Berishës. Mungon pra sintonia ruso-serbe si 11 vjet më parë.

Mu për të gjithë këto rrethana, fjalimi, apo dhe rezoluta nëse do të miratohet do të ishte një fitore e shkëlqyer diplomatike e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo fitore merr vlerë më të madhe për shkak të kohës që jetojmë- e dominuar nga sulmi rus mbi Ukrainën.

Prej fjalimit kuptohet qartë lineariteti i narrativës ruse ndaj Kosovës, si parapërgatitje për çka ndodhi sot kundër Ukrainës e që lidhet me precedentin e përdorimit të forcës pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB: ju perëndimorët bombarduat Jugosllavinë, për një genocid të supozuar, duke mbështetur një popull, udhëheqësit e të cilit bënë trafik organesh!

Ndaj fjala e gjatë e Ramës, i pritur me protokoll të veçantë si kryetar shteti- ndërsa kjo organizatë vizitohet rrallë prej tyre- jehoi më fort jashtë sallës. Për më shumë, tema e raportit të Dik Martit ishte temë e rimarrë, e potencuar më gjatë në një seli europiane në raport me fjalimin tjetër global të tij në OKB.

Efektet mbi Kosovën…

Po cilat janë efektet në lidhje me Kosovën? Dhomat e specializuara me gjasë nuk do ndikohen asfare. Këshilli i Europës me gjasë me numrat e rinj, me Rusinë dhe më pak lojtarë të saj brenda, mund ta miratojë një rezolutë të re, duke pohuar krimet e luftës të Serbisë që Rama i detajizoi- megjithëse krerët e Kosovës ishin të zënë- por pa efekt në Dhomat e Specializuara.  Fjalimi megjithatë ishte ndihmë e madhe për Kosovën, që nën ndikimin e krerëve institucionalë që e qeverisin sot, mbetet e ndarë para këtij fjalimi: qytetarët e lidhur me luftën, janë entuziazmuar.

I jepet një shpagim emocional prindërve të mikut Thaçi sot në burg, ndihmë që duket e koordinuar me mbështetjen morale që po u vjen të burgosurve nga vizitat e shumta në burg.  Të tjerë qyetarë kosovarë mbase rrinë indiferentë të ushqyer nga qëndrimet e krerëve aktualë. Mirpo ka dy gabime në leximin e udhëheqësve kosovarë që në vend të përshëndesnin Ramën- përshëndetën deputetin ukrainas Goncarenko.

Së pari, mesazhi paradoksal i Goncarenkos që thërriste për ta njohur Kosovën, thekson se sa larg është njohja prej Ukrainës, pikërisht për shkak të jehonës globale (apo kompleksimit të vetë Zhelenskit) nga narrativa komparative ruse e Kosovës me Krimenë apo Donbasin. Së dyti, narrativa ruso serbe me trafik organesh nga ana e shqiptarëve, synonte pikërisht të relativizonte apo zeronte narrativën kosovare dhe perëndimore për genocid a spastrim etnik të Serbisë në Kosovë.

Më në fund, globalisht, apo europianisht, nëse Kosova duhet ta padisë ndonjëherë Serbinë, do duhet vetë të dokumentojë krimet. Krijimi i Institutit për krime lufte para pak javësh me nxitjen e qeverisë aktuale është shumë vonë. Lufta ka ndodhur 22 vjet më parë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kritikat e ashpra në fjalimin e Ramës në KiE

PPE merr vendimin, anulon darkën e planifikuar me kryeministrin


Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

Gjykata e Lartë merr vendimin për Fredi Belerin

Arrestohet disa orë pas daljes nga burgu “Buzëderri”!

Sokol Simonati përfitoi nga amnistia, por…

"Të rikthehen koalicionet dhe lista të hapura"

Bylykbashi prezanton qëndrimin për reformën zgjedhore