MENU
klinika

Diskutimet në BE

Franca pro liberalizimit të vizave për Kosovën

13.10.2022 - 20:59

Burime zyrtare të Bashkimit Europian kanë përgënjeshtuar informacionin se Franca kushtëzon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Sipas këtyre burimeve, Franca është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, ashtu si dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian.

“Rezulton, se aktualisht nuk ka asnjë shtet anëtar të Bashkimit Europian kundër liberalizimit të vizave për Kosovën”, janë shprehur burimet zyrtare të BE-së për ABC.

Sipas tyre, keqkuptimi lidhet me modalitetet që nevojiten të diskutohen më tej në grupin e punës për vizat të Këshillit të Bashkimit Europian në kuadër të vendimit për liberalizimin e vizave me vende të treta dhe konkretisht me Kosovën. Këto burime kanë shpjeguar, se nuk bëhet fjalë vetëm për Francën por për disa shtete anëtare, që kërkojnë përfshirjen e sistemit ETIAS në procesin e liberalizimit të vizave.

“E njëjta procedurë është ndjekur për Kuvajtin dhe Katarin, pra nuk është një çështje specifike që lidhet me Kosovën, pasi sistemi ETIAS hyn në fuqi vitin e ardhshëm”, kanë shpjeguar këto burime.

Sistemi ETIAS është Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit. Është një sistem tërësisht elektronik që lejon dhe mban të dhënat e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zonën Shengen dhe jo vetem.

Pak më parë, presidenca çeke ka ndarë një deklaratë të publikuar nga ABC, ku thuhet se takimi i parë për diskutimin mbi liberalizimin e vizave për Kosovën ka konfirmuar mbështetje të gjerë në gjirin e shteteve anëtare, por kërkohen sqarime mbi disa tema dhe nevojiten diskutime të mëtejshme. Presidenca nuk ka njoftuar ende datën e ardhshme të takimit, por pritet që qëndrimet të kristalizohen në 21 tetor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN