MENU
klinika

"Rruga për në BE vështirësohet"

Gjermania humbet durimin: Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë

18.10.2022 - 11:23

Gjermania po shton presionet ndaj Serbisë. Deputeti i Partisë Social Demokrate në Bundestagun gjerman Josip Juratoviç, deklaroi ditën e djeshme se Serbia duhet të vendosë nëse do t’i bashkohet vendeve të Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Nuk ka afat. Më 1 dhjetor duhet të hyjë në fuqi pakoja e tretë e sanksioneve dhe deri në atë datë Serbia duhet të gjejë një zgjidhje se si t’i zbatojë këto sanksione dhe në çfarë mënyre. Serbia duhet të ndihmohet gjatë rrugës, por Serbia duhet ta thotë qartë se nëse dëshiron t’i bashkohet sanksioneve apo jo”, theksoi Juratoviç. Ai mirëpret vendimin e Serbisë për të dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, por vëren se nuk mjafton. “Të gjitha vendet demokratike kanë qëndruar në solidaritet me Ukrainën në një mënyrë të tillë që të përpiqen të ndalojnë luftën dhe t’i kthejnë sovranitetin Ukrainës. Ka paketa të caktuara sanksionesh dhe kjo pritet edhe nga Serbia, për të treguar solidaritet me Bashkimin Evropian. Do të ishim të lumtur nëse Serbia do t’i bashkohej paketës së sanksioneve që është lënë të kuptohet që nga 1 dhjetori”, thotë Juratovic. Në rast se Serbia nuk e bën këtë, Juratoviç thotë se atëherë do të jetë “relativisht problematike” dhe “rruga për në BE do të jetë e vështirë”. “Ne nuk mund të solidarizohemi rreth vendosjes së mbrojtjes së botës demokratike. Dhe Serbia që është në rrugën demokratike po frenohet”, shton deputeti i Bundestagut.

Ai vlerëson se Serbia ka stagnuar në sferën e lirisë së mediave në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Ne jemi të irrituar nga fakti që presidenti i Serbisë thotë se Serbia është në rrugën e BE-së dhe në anën tjetër keni ministra që thonë të kundërtën”, shtoi ai.