Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri prezantoi sot para strukturave drejtuesin e ri politik të qarkut Blendi Klosi. Në një komunikim me mediat, Gjiknuri theksoi se me eksperiencën e tij të gjatë politike, Klosi do të vazhdojë punët e mira të nisura përsa i përket mirëmenaxhimit dhe mirëorganizimit politik të këtij Qarku.
Drejtuesi politik Blendi Klosi, i cili mban njëkohësisht dhe detyrën e Sekretarit Organizativ në Partinë Socialiste, u shpreh se marrja e besimit për të drejtuar qarkun e Vlorës është një përgjegjësi e shumëfishtë për të arritur rezultate. Ndërkaq, numri dy i socialistëve, Damian Gjiknuri, bëri të ditur se shumë shpejt PS do të fillojë procedurat për vlerësimin e të gjithë kryetarëve saj në të gjitha bashkitë e vendit.
Prononcimi i plotë për mediat:
Damian Gjiknuri: Besoj e keni marrë vesh; sot kam ardhur të prezantoj shokun tim, mikun tim, kolegun tonë, Blendi Klosi. Nga vendimet e Kryesisë, gjëra që janë bërë publike, shoku Klosi është caktuar si drejtues politik i Qarkut të Vlorës. Njeri me shumë eksperiencë politike. Besoj se do të vazhdojë punët e mira të nisura për sa i përket mirëmenaxhimit dhe mirëorganizimit politik të këtij qarku.
Pyetje: Çfarë nuk bëri mirë Arben Ahmetaj?
Përgjigje: Për këtë është përgjigjur edhe Kryeministri. Këto janë lëvizje normale përpara para fushatave zgjedhore, ku secili merr pozicionin e tij si lojtar, që ekipi të japë maksimumin.
Pyetje: Mungon sot Arben Ahmetaj?
Gjiknuri: Është lajmëruar, por mesa di ka qenë i angazhuar.
Blendi Klosi: Për këdo socialist është një nder i madh ta bëjë jetën e partisë këtu, në Vlorë. Padyshim si drejtues politik i qarkut është një përgjegjësi e shumëfishtë, për të arritur të njëjtat rezultate, që kjo parti ka arritur gjatë gjithë periudhës së post-tranzicionit. Një parti, e cila ka dëshmuar që gjithmonë ka arritur t’ia dalë të jetë e suksesshme, sepse ka qenë bashkë.
Misioni që më është ngarkuar është që kjo parti të jetë e bashkuar, të jetë pranë qytetarëve, të ketë mundësinë që të diskutojmë problematikat që ka çdo banor i Qarkut të Vlorës. Si qark i madh, ka nevojë për shumë punë.
Po ashtu, si pasojë e të gjitha rezultateve pozitive na del si detyrë, që jo vetëm të strukturojmë punën e Partisë Socialiste, por të jemi së bashku me qytetarët.
Jo vetëm për mua, por për këdo që do të vinte këtu në Vlorë është një respekt i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi shumë e madhe.
Pyetje: Një shqetësim që është reflektuar edhe tek qytetarët është përplasja që ka nisur me z. Gjiknuri kur ai ka qenë drejtues i qarkut, më pas edhe me z. Ahmetaj, ka qenë ajo mes Bashkisë dhe Partisë Socialiste. Shohim që mungon Dritan Leli.
Përgjigje: Detyra jonë është që të jemi së bashku me qytetarët. Mos u përpiqni që të ndani popullin. Ne që marrim detyra nga këta njerëz që na votojnë, kemi përgjegjësinë e madhe që t’iu shërbejmë. Vlerësimi për gjithsecilin, bëhet sesi u shërben qytetarëve.
Prandaj shumë shpejt, ne do të fillojmë procedurat për vlerësimin e të gjithë kryetarëve tanë të bashkisë, në të 61 bashkitë e vendit. Nuk do të jetë struktura e partisë që do të bëjë vlerësimin, por do të jetë ajo çfarë ata kanë dhënë për qytetet që kanë drejtuar dhe sesi qytetet kanë mirëpritur ose jo, drejtuesit e mandatuar nga Partia Socialiste. Të marrësh një mandat nga Partia Socialiste është jashtëzakonisht respekt dhe sidomos në Vlorë.
Faleminderit!