MENU
klinika

"Macja e Zezë" përcillet në banesën e fundit

I jepet lamtumira Maliqatit, Duka: Humbëm një legjendë

06.10.2022 - 15:27

Komuniteti i futbollit shqiptar dhe veçanërisht ai i Durrësit ka përcjellë sot për në banesën e fundit legjendën Sulejman Maliqati, ish-portierin e famshëm të Kombëtares, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 94-vjeçare.

Në homazhet e organizuara sot në Durrës në nderim të ikonës së futbollit ka marrë pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si edhe personalitete të futbollit nga Durrësi dhe i gjithë vendi.

Pasi vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para arkivolit, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve të ish-portierit të njohur, Presidenti Duka tha në një prononcim për median se futbolli humbi një nga figurat më emblematike dhe se Maliqati ka shkruar historinë me atë që ka dhënë në fushën e lojës, por edhe jashtë saj.

“Sot është një ditë zie për komunitetin e futbollit shqiptar, kemi humbur një figurë emblematike të futbollit, por kemi humbur edhe të fundit nga brezi i tij, Sulejman Maliqatin, me kontribute të mëdha në futbollin shqiptar, ish-portieri i talentuar që ka mbrojtur portën e ekipit Kombëtar, Besës, Partizanit.

Ka kontribuar gjithë jetën e tij në fushat e futbollit, deri në ditët e fundit madje, kur ka ndjekur ekipin e Teutës. Sula si figurë e ka shkruar historinë me atë që ka dhënë në fushën e lojës, me sjelljen e tij, sepse përveçse një futbollist i talentuar ka qenë edhe një mik i shkëlqyer. Sidomos për ne që e kemi pasur me afër”, – tha Presidenti i FSHF-së, duke vlerësuar edhe rolin e Maliqatit si një qytetar model.

“Ka pasur një jetë të mbushur me futboll, por në një farë mënyre edhe me fatkeqësi dhe një nga dhimbjet e tij mbase që e rëndoi akoma më shumë në vitet e fundit ishte humbja e djalit të tij, portieri i talentuar Agim Maliqati, i cili ndërroi jetë në një moshë të re. Jeta kështu është.

Maliqati është ndarë fizikisht nga ne, por do të jetojë në memorien e të gjithëve si ‘Macja e Zezë’ siç është etiketuar për pritjet e tij në shumë ndeshje që ka shpëtuar ekipin kombëtar. Do të kujtohet si një prind i mirë, si një familjar i mirë, si një qytetar i mirë dhe si një shok i mirë.

Në këtë ditë, i shpreh ngushëllimet e mia të gjithë komunitetit të futbollit, familjarëve të tij dhe qytetarëve durrsakë, të cilët e kanë njohur dhe e kanë pasur mik të afërt”, – deklaroi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në prononcimin e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN