MENU
klinika

"Inflacioni pengon investimin e kursimeve"

Kriza ekonomike trondit shtresën e mesme!

16.10.2022 - 10:26

Çmimet në Gjermani po rriten – veçanërisht çmimet e energjisë. Inflacioni i ha pagat. Kriza mund të tronditë themelet e shoqërisë: shtresën e mesme.

Ata janë shumë dhe deri tani kanë jetuar mirë: mësues, nëpunës, zejtarë. Grupi i njerëzve me të ardhura të mesme, shtresa e mesme, shtylla e shoqërisë gjermane që ka mbështetur vendin për shumë vite. Se kush saktësisht është pjesë e saj, për këtë ka përkufizime të ndryshme, që bazohen tek të ardhurat që janë në dispozicion. Sipas përllogaritjeve të Institutit Gjerman të Ekonomisë (IW), institut ky më pranë punëdhënësve, në vitin 2019 të ardhurat e tyre ishin rreth 1700 deri në 3100 euro në muaj për një person beqar dhe 3540 deri në 6640 euro për një çift me dy fëmijë.

Shtresa e mesme gjeneron një pjesë të madhe të të ardhurave tatimore, të cilat nevojiten për të garantuar shtetin e mirëqënies dhe shtetin social, zakonisht kanë më shumë besim te demokracia dhe garantojnë një shkallë të caktuar stabiliteti.

Është e dëshirueshme që shumë njerëz të jenë pjesë e shtresës së mesme. Madje, është aq e dëshirueshme që edhe disa njerëz që në fakt nuk i përkasin kësaj shtrese në aspektin socio-ekonomik të llogariten mes tyre. Sipas një studimi nga Fondacioni Bertelsmann dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), 73 për qind e qytetarëve në Gjermani e përshkruajnë veten si pjesë e shtresës së mesme.

“Në Gjermani ka ende një shtresë të mesme relativisht të lartë, së cilës i përket një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ose të paktën mund t’i përkasë nëse bën përpjekje dhe punon shumë”, thotë për DW Patrick Sachweh nga Qendra Kërkimore për Pabarazinë dhe Politikat Sociale në Universitetin e Bremenit. „Shtresa e mesme ka qenë gjithmonë një pikë drejt së cilës janë orientuar aspiratat statusore të atyre që ende nuk i përkisnin shtresës së mesme. Dhe ajo ka qenë si një lloj qendre integruese e shoqërisë, ku donin të bënin pjesë shumë njerëz.“

Shtresa e mesme ka funksionuar për shumë vite si një premtim për ngjitje më lart. Dhe deri më sot, kur sipas OECD-së, numri i njerëzve që i përkasin shtresës së mesme në Gjermani është mbi mesataren e OECD-së. Shumë më lartë se Gjermania janë disa vende të tjera, si Danimarka dhe Sllovenia.

Tani duket se po u vjen fundi kohëve rozë. Mbi të gjitha, “po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të rinjtë që të sigurojnë një vend në shtresën e mesme”, thotë studimi i përbashkët i OECD dhe Fondacionit Bertelsmann. Sipas këtij studimi, gjasshmëria që edhe ata të llogariten te shtresa e mesme është mesatarisht dhjetë pikë përqindje më i ulët se sa ishte në mesin e viteve 1990.

Shtresa e mesme si grup heterogjen
Por shtresa e mesme po tkurret në përgjithësi. Pjesa e grupit të të ardhurave që i përkasin kësaj shtrese në të ardhurat totale të popullsisë në Gjermani ka rënë nga 74 në 67 për qind në periudhën 1995-2018, megjithëse rënia ka ndodhur kryesisht deri në vitin 2005. Dhe nëse shikoni më nga afër, shtresa e mesme në tkurrje nuk përbën gjithë grupin e mesëm. Sepse shtresa e mesme nuk është aspak homogjene. Ka disa mijëra euro të ardhura në muaj dallim midis skajit të poshtëm dhe atij të sipërm.

Protesta në Lajpcig në shtator 2022 kundër çmimeve të larta të energjisë: Të pasurit të paguajnë krizën. Ulni çmimet, ngrini rrogat! Shkruhet në pankartë.Protesta në Lajpcig në shtator 2022 kundër çmimeve të larta të energjisë: Të pasurit të paguajnë krizën. Ulni çmimet, ngrini rrogat! Shkruhet në pankartë.

Dhe zbritja ose ngjitja në grupet sociale fqinje është rritur. “Ne kemi ende një klasë të mesme të gjerë dhe të qëndrueshme,” thotë Dorothee Spannagel, shefja e departamentit për politikat e shpërndarjes në Institutin e Shkencave Ekonomike dhe Sociale (WSI) të Fondacionit Hans Böckler, i cili është afër sindikatave, për revistën “Der Spiegel”, “por kjo shtresë po gërryhet nga poshtë. Ndjenja që mbizotëronte dikur, se me formimin e duhur profesional njeriu do të kishte një jetesë të sigurt dhe ndoshta një ditë mund të përballonte një shtëpi të vogël, gradualisht ka rënë.

Pasoja e kësaj: Frika hyn në vend të premtimit për ngjitje më lart. Kjo reflektohet shumë qartë në krizën aktuale. Studiuesi i varfërisë Christoph Butterwegge tha në MDR-Aktuell se varfëria ka pushuar prej kohësh të jetë një fenomen i skajshëm. Ajo shtrihet në familjet normale. Shifrat e para e vërtetojnë këtë: asnjëherë në historinë e saj kompania e kërkimit të konsumatorit GfK nuk ka matur një shifër më të varfër për të ardhurat që gjermanët presin për veten e tyre në të ardhmen, raporton “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Frika dhe shqetësimi janë kudo
Shoqata humanitare bamirëse, si Diakonia e Këlnit apo Paritätischer Wohlfahrtsverband Nordrhein-Westfalen, thonë se njerëzit kanë frikë se nuk do t’i bëjnë dot ballë rritjes së çmimeve dhe kostove të energjisë, “Na telefonojnë kolegë nga sipërmarrjet energjetike publike dhe duan të trajnohen se si të reagojnë në situata krizash sociale. Ata marrin telefonata nga njerëz të dëshpëruar dhe të frikësuar, rrëfen specialisti Martin Debener.

Inflacioni ka zvogëluar të ardhurat reale të shtresës së mesme
Ngjashëm shprehet edhe Maike Cohrs që merret me këshillimin e debitorëve. “Ne kemi vënë re se ka shumë që,le të themi, i përkasin shtresës së mesme të ulët, që shkojnë në punë, që në fakt, që fitojnë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar jetesën, por që për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe sidomos të energjisë, po vihen gjithnjë e më shumë në hall.

Shtresa e mesme e ulët, pra, njerëzit në skajin më të ulët të shkallës me ë ardhurave të mesme, sipas OECD-së, në vitin 2018 kapte 18 milionë njerëz në Gjermani. Edhe sociologu Sachweh e sheh këtë si një grup që mund të preket rëndë nga inflacioni dhe kriza energjetike. “Pasuria mesatare e shtresës së ulët është 40,000 euro, por shumë prej tyre ka të ngjarë të kenë shumë më pak. Në këtë aspekt, nuk ka shumë rezerva në të cilat dikush mund të rikthehet për të absorbuar këtë rritje çmimi.”

Edhe një studim i Institutit të Ekonomisë Gjermane ka treguar se varfëria energjetike prek rëndë shtresën e mesme të ulët. Sapo një familje shpenzon më shumë se dhjetë për qind të të ardhurave të saj neto për energji, ajo konsiderohet “e varfër për shkak të energjisë”. Midis viteve 2021 dhe majit 2022, përqindja e familjeve me energji të ulët në klasën e mesme të ulët u dyfishua në pothuajse 41 përqind. Kjo do të thotë: Shumë njerëz hyjnë në vështirësi serioze kur u duhet të përballojnë çmimet e papritura të energjisë që shpërthejnë pa asnjë rezervë. Sipas Sachweh, do të jetë detyrë e politikës që të mos i harrojë këta njerëz dhe t’u ofrojë atyre mbështetje adekuate.

Vetë-perceptimi ndryshon
Edhe pse shtresa e mesme dhe e shtresa lartë e mesme mund të ndikohen më pak nga kriza energjetike dhe inflacioni në muajt e ardhshëm, Sachweh sheh një ndryshim nga krizat e mëparshme. Sepse vetë-perceptimi i kësaj shtylle vetëbesimi dhe pasurie të shoqërisë mund të ndryshojë. Deri më tani, një pjesë e shtresës së mesme ka kultivuar një mënyrë jetese që Sachweh e përshkruan si “punë me status investues”. Kjo do të thotë se ekzistonte ideja për të qenë në gjendje për të investuar të ardhurat e krijuara me fitim, për shembull në një shtëpi. Por rritja e normës së interesit dhe rritja e çmimeve po bëhet një opsion për gjithnjë e më pak njerëz në klasën e mesme.

Për ta zbutur këtë, klasa e mesme mund të ndryshojë në atë mënyrë që të investojë në “kapitalin njerëzor” në vend të gjërave materiale, thotë Sachweh. Me fjalë të tjera: në arsim. Për shembull, te fëmijët. Me shpresën se më pas fëmijët do të jenë në gjendje të bëjnë atë që ka qenë gjithmonë joshja e ëmbël e klasës së mesme: prosperitet, avancim dhe një vend të qendrueshëm në shoqëri. /DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Financial Times": Sa keq mund të bëhet?

Goditja globale e stagflacionit të vitit 2022

Analiza nga "Project Syndicate"

Kriza e Energjisë do të thellohet