MENU
klinika

Spitalet dhe klinikat rrezikojnë të mbyllen

Kriza energjetike prek shëndetësinë gjermane

17.10.2022 - 11:08

Spitalet dhe klinikat në Gjermani janë gjithnjë e më shumë në rrezik falimentimi dhe mbylljeje për shkak të çmimeve të energjisë, paralajmëroi të dielën Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach.

“Nëse nuk reagojmë shpejt dhe realisht në mënyrë drastike, do të ketë mbyllje të objekteve shëndetësore”, theksoi Lauterbach gjatë një interviste për rrjetin televiziv publik ARD.

Ai tha se planifikon të zhvillojë bisedime për dhënien e më shumë ndihmave financiare federale për spitalet dhe klinikat me Ministrin e Financave Christian Lindner të martën. Ai shtoi se nuk mund të zbulojë numra para se të diskutojnë.

Javën e kaluar, Federata Gjermane e Spitaleve i bëri thirrje qeverisë që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të shmangur rrezikun e mbylljes së spitaleve, duke theksuar se sektori përballet me një boshllëk financimi për të përmbushur nevojat e tij materiale dhe energjitike prej rreth 15 miliardë euro në 2022 dhe 2023.

Edhe pse ai e kundërshtoi këtë shifër, Lauterbach ra dakord se “spitalet do të përballen me një problem shumë drastik likuiditeti në muajt e afërt”.

Në Gjermani, me më shumë se 83 milionë banorë, funksionojnë 1,900 spitale me një kapacitet total nominal prej 490,000 shtretërish.