MENU
klinika

Goditje e rëndë

Kroacia i mbyll furnizimin me naftë Serbisë, tërbohen serbët

07.10.2022 - 12:48

Kroacia i ka mbyllur furnizimin me naftë Serbisë. Ky vendim nga i mbështetur nga Bashkimi Evropian ka tërbuar serbët dhe duke hapur një “luftë të madhe”. Në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian, Aleksandër Vuçiç dhe Andrej Plenkoviç kanë zgjedhur “të qërojnë” hesapet mes tyre. Në Pragë, presidenti i Serbisë konstatoi se nuk e fajëson aspak Kroacinë për pengimin e importit të naftës ruse. “Kroacia thjesht po bënë punën e saj, të cilën e ka bërë për dekada, që nga viti 1941”, duke aluduar kështu tek lëvizja balliste e Kroacisë, “Ustasha”. Kur u pyet pse fajëson Kroacinë kur është Serbia ajo që refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Vuçiç ka deklaruar se Zagrebi nuk do të udhëheqë politikën e Beogradit. “Do të udhëhiqet nga qytetarët e Serbisë përmes përfaqësuesve të zgjedhur dhe kundër të gjithë atyre që mendojnë se mund t’ia imponojnë vullnetin Serbisë”, tha presidenti serb. Nga ana tjetër, kryeministri kroat theksoi se kishte parë “reagime të pashembullta dhe të stuhishme” nga Serbia. “Unë jam padyshim “Ustash” atje në Serbi. Serbia nuk mund të ulet në dy karrige”, ka deklaruar Plenkoviç në Pragë. Ai nënvizoi se Serbia mund të marrë çfarëdo nafte të dojë, por jo naftën ruse.

Detajet nga sanksionet që prekin Serbinë

Nga 1 nëntori s’ka më naftë ruse për Serbinë. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar në parim për paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë, e cila përfshin edhe ndalimin e importit të disa prodhimeve të këtij shteti dhe vendosjen e një çmimi tavan për naftën e papërpunuar ruse që transportohet në vendet e treta. Risi në paketën e re është se edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të lejohen të importojnë naftë të papërpunuar ruse. Në BE thanë se në muajin dhjetor do të ndalohet në tërësi importi i naftës së papërpunuar nga Rusia, që transportohet përmes detit. Në kuadër të sanksioneve të reja është edhe ndalimi i dhënies së shërbimeve nga ekspertët e BEsë për qeverinë ruse apo ndërmarrjet ruse. Më herët gjatë javës së kaluar, në propozimin për të cilin diskutuan përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së ishte edhe pika ku thuhej se “duhet parashikuar që, për shkak të sigurisë energjetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të mundësohet transiti i naftës së papërpunuar ruse përmes territorit të Kroacisë për në Ballkanin Perëndimor, me kusht që sasitë të jenë të ngjashme me ato që ishin para krizës energjetike”.

Goditje e rëndë për Serbinë

Burimet diplomatike në Bruksel thanë se kjo pikë tashmë është hequr për shkak të Serbisë e cila është importuesja më e madhe e naftës së papërpunuar ruse. Serbia e merr naftën ruse nga naftësjellësi JNAF, që gjendet në bregdetin kroat. “Disa vende anëtare nuk kanë dashur që Serbia të shpërblehet për qëndrimet e saj rreth krizës në Rusi dhe për mospërshtatje me qëndrimet dhe sanksionet që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë”, tha një diplomat. Më parë, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm, ku u përgatitën sanksionet e reja kundër Rusisë, parashikuan mundësinë e një derogimi për Serbinë për të mbrojtur sigurinë energjetike në rajon. Për të mbrojtur sigurinë energjetike të Ballkanit Perëndimor, është shumë e nevojshme të parashikohet një derogim dhe të lejohet kalimi përmes gazsjellësit përmes Kroacisë për naftën bruto ruse që vjen nga deti, nëse ky tranzit është në nivelin e viteve të mëparshme, me qëllim për të shmangur anashkalimin e sanksioneve, thuhej në draft dokumentin më parë. Ai paragraf është hequr plotësisht. Paketa e re e sanksioneve përfshin gjithashtu një ndalim për qytetarët e BE-së që ofrojnë shërbime konsulence ose ligjore për qeverinë ruse ose kompanitë ruse, me përjashtim të rrethanave të caktuara, dhe një ndalim të pjesëmarrjes në punën e bordeve të drejtorëve të kompanive shtetërore ruse.