MENU
klinika

Provim për t’u pranuar në Mjekësi

Ndryshon formula për Maturën 2023, tri risitë

07.10.2022 - 15:27

Maturantët e këtij viti që vendosin të konkurrojnë për Mjekësi të Përgjithshme duhet të maten mirë, pasi përpos provimeve të maturës, duhet t’i nënshtrohen edhe një provimi shtesë që lidhet direkt me pranimin e tyre specifikisht në këtë degë.

Ajo që u përfol muaj më parë do të implementohet, duke nisur nga matura e këtij viti vetëm me këtë profil duke filluar si projekt pilot për t’u shtrirë më tej. Thënë ndryshe, pas më shumë se 15 vitesh maturë shtetërore përmbyset formula e pranimit me meritokraci dhe rikthehen konkurset, apo provimet.

Ata që mbledhin më tepër pikë në një test final, pavarësisht rezultateve që kanë pasur në vitet e gjimnazit, pranohen automatikisht. Duhet nënvizuar se kjo ka qenë kërkesë e disa viteve më parë nga vetë Universiteti i Mjekësisë, pas ankesave për prurje jo të forta të rinjsh në degën e lakmuar nga shumica dërrmuese e maturantëve. Ministrja e arsimit, Evis Kushi, zgjodhi që ta bënte publik njoftimin për maturantët në një takim me disa prej tyre.

E shoqëruar nga drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Aurora balliu, e cila veç menaxhimit të të gjithë provimeve, që nga klasa e pestë, matura, mësuesve e deri tek ato të licencimit, i shtohet edhe një tjetër. “Të gjithë ata maturantë që duan të zgjedhin programin Mjekësi e Përgjithshme, pra duan të vazhdojnë studimet për Mjekësi e Përgjithshme, përveç detyrimeve që ka aktualisht sistemi për provimet e maturës mesataret ajo formula që tashmë është aktive, kanë detyrim të japin edhe një provim tjetër, i cili është një provim që zhvillohet në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është provim i automatizuar siç bëhet provimi i portalit.

Siç bëhen provimet e licencave, në mënyrë që të shmanget edhe gabimi të shmanget edhe fiktiviteti, të shkurtohet koha dhe në fund të fundit ai sistemi meritë-preferencë që synon i gjithë sistemi i maturës shtetërore të realizohet 100%”, bëri me dije Kushi duke e cilësuar nismën e ndërmarrë si një sfidë për ta, pasi duhet hartuar fondi i pyetjeve të cilave do t’u nënshtrohen mijëra kandidatë që duan mjekësinë.

Nota mesatare 8.5, e vendosur nga universiteti do të vijojë të jetë në fuqi si kusht për të konkurruar në këtë degë.

“NISMË E VONUAR”

Ende pa u vënë në zbatim, mënyra e re për pranimet në Mjekësi thuhet të jetë përgëzuar nga prindër e maturantë, sipas drejtoreshës së QSHA-së, Aurora Balliu.

“Nga email-et që unë kam marrë nga prindër më shumë, por edhe nga maturantë, kanë qenë falënderues që kjo nismë është marrë madje e shohin të vonuar. Ne e dimë të gjithë që në mjekësi shkojnë ekselentët, tashmë ne po mundësojmë që të mos shkojnë vetëm ekselentët me nota, por të shkojnë ekselentët e vërtetë dhe prandaj impakti ka qenë shumë pozitiv dhe unë e pashë edhe këtu nga duartrokitjet që i bëtë fjalës së ministres që ju e miratoni ketë, dhe jeni shumë dakord me ketë nismë të ministrisë dhe pastaj edhe tonën”, nënvizoi Balliu.

Ajo siguroi të rinjtë se do të njihen në kohë me fondin e pyetjeve që do të bien në test, por jo përgjigjet e sakta, pasi synohet të kuptuarit e thellë të tyre, dhe jo thjesht mësim mekanik.

Tri risitë për Maturën Shtetërore

Vendimi për ndryshimin e formulës së pranimit për degën e Mjekësisë së Përgjithshme erdhi pas një analize që iu nënshtrua matura shtetërore vitin e shkuar. Në përfundim të saj, tri ishin ndërhyrjet që do të bëhen në maturë.

“Vjet ngritëm një grup pune që analizoi shumë elemente të procesit të Maturës Shtetërore dhe grupi i punës në komunikim edhe me mësues edhe me maturantë edhe me ekspertë të arsimit arriti në përfundimin që 3 janë ndryshimet që ne duhet të bëjmë:

I pari, është pikërisht ky provimi i automatizuar që ketë vit do të jetë pilot vetëm për programin Mjekësi e Përgjithshme ku dhe kërkesat janë më të mëdha dhe ku më të mirët shkojnë atje dhe më pas ne kemi qëllim që ta shtrijmë edhe për provimet e tjera. E dyta, pra ajo pika tek rregullorja ku thuhet që nuk lejohet rivlerësim i testit do të shfuqizohet dhe aty ku ka. Uroj që të mos ketë asnjëherë, por gjithsesi qoftë gabim teknik qoftë gabim njerëzor çfarëdolloj gabimi qoftë ne nuk mund ta vendosim që s’ka rivlerësim të testit. Rivlerësim do të ketë.

Dhe e treta është rankimi i gjimnazeve”, nënvizoi ministrja Kushi, duke shtuar se Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin parauniversitar ka nisur nga puna për të bërë renditjen e gjimnazeve sipas një formule me disa tregues. Formati do t’u niset çdo shkolle për të matur cilësinë e tyre, si dhe krahasuar me gjimnazet e tjera.

Ndërsa, detajet teknike të testimit për Mjekësinë, një ndër risitë e këtij viti i dha drejtoresha e QSHA-së, Aurora Balliu teksa siguroi të rinjtë e këtij viti që çdo gjë do të bëhet publike në kohë.

“Synojmë që në këtë provim të mos kemi vetëm të mësuarin mekanik, pra të mësoni përmendësh ato përgjigje që ne publikojmë dhe pastaj ju të jeni vetëm riprodhues mekanik të tyre dhe për këtë arsye ju do të keni fondin e pyetjeve ashtu siç kanë të tërë aplikantët për licencat, por nuk do të keni përgjigje”. Mënyra se si ky test gjenerohet testim, vijon balliu nuk lë hapësirë për asnjë lloj keqinterpretimi.

Provimi nuk do të zhvillohet njëherësh për të gjithë, por nga 100 për çdo radhë. Teza do të jetë e ndarë në tre nivele ashtu sikurse edhe testi i maturës e çdo lloj provimi tjetër.

“Mendojmë që do të kemi 50 pyetje me 100 pikë njësoj si sistemin e licencave do të jenë pyetje të hartuara sipas niveleve, do të jenë pyetje që sistemi i merr gjithashtu sipas niveleve. Përgjigjen ministrja jua tha, ju e merrni përmes një deklarate në kohë reale, sapo e përfundoni provimin dhe që sapo përfundoni provimin ju kuptoni se në cilin pozicion të rankimit jeni”, detajoi drejtoresha e QSHA-së, duke lënë të hapur ende mundësinë për sugjerime nga ana e maturantëve mbi mënyrën e hartimit apo zhvillimit të këtij provimi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Tarifat sa të universiteteve publike në vend..."

Rama takim me maturantët në Krujë: Sfida jonë të sjellim…

Propozimi i Ministres së Arsimit: Mësuesit gabojnë...

Nga viti që vjen testet e Maturës Shtetërore do të rivlerësohen

Afati dhe hapat për plotësimin e formularëve

Shansi i fundit për aplikim në universitet